Meta: Ndryshime në Qeveri, duhet më tepër ritëm e grintë

Jun 15, 2012 | 12:45

Kreu i LSI, Meta

Kreu i LSI: Zgjedhja e Nishanit, jo arrogante.

“Gabim i yni që PS e mori vesh nga media emrin e Zaganjorit. Kishim një listë, disa s’pranuan”

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, kërkoi mbrëmë nga qeveria një ritëm dhe dinamikë më të madhe në punën e saj. I ftuar në “Top Story”, përballë analistëve, Meta tha se maxhoranca i dha vendit një President sipas Kushtetutës.
Pavarësisht klimës së frytshme të bisedimeve që u krijua mes dy spektrave të politikës shqiptare, zgjedhja e një figure të njëanshme si Nishani solli dështimin e procesit?
Nuk është kështu. Mendoj se zgjedhja e Presidentit të ri, i cili tani quhet Bujar Nishani, nuk ka qenë një zgjedhje aspak arrogante e maxhorancës, as e paramenduar dhe as e paragjykuar. Ishte rezultat i një procesi, i cili pati edhe disa të papritura apo devijime të tij, një proces që lidhej edhe me afatet kushtetuese që përcaktojnë zgjedhjen e Presidentit, por edhe pasojën që vjen nga moszgjedhja, zgjedhjet e parakohshme, diçka që nuk i duhet vendit, sidomos kur s’ka mbaruar reforma zgjedhore dhe kur Kuvendi është në proces të marrjes së statusit të vendit kandidat, shpresojmë brenda këtij viti. Unë e votova zotin Nishani dhe jam i qetë për këtë, jo sepse votova një anëtar të Kryesisë së PD-së apo një ministër të saj, por sepse unë në fund të fundit votova një koleg, për të cilin kam shumë konsideratë, sepse është një politikan shumë korrekt, shumë institucional, njerëzor dhe jam i sigurt që duke hequr kostumin e ministrit apo fanellën blu të PD-së dhe duke veshur kostumin e Presidentit të Republikës, do të dijë të përballojë me dinjitet këtë detyrë.
Si ndodhi që opozita u informua për kandidaturën e zotit Zaganjori përmes televizioneve?
E vërteta është kjo, që u menduan shumë emra. Zaganjori ishte absolutisht një person që nuk kishte lobuar për këtë detyrë dhe praktikisht e pranoi, me dëshirën që t’i shërbente konsensusit dhe tërheqja e tij pas raundit të tretë tregoi se kishte pasur integritetin dhe cilësitë për të qenë konsensual. Ideja ishte t’i paraqisnim një listë përfaqësuesit të opozitës, zotit Ruçi, nga ana e Patozit. Donim një listë, jo shumë të gjatë, sepse ndryshe s’do të ishte serioze. Ne përzgjodhëm disa emra, unë, Berisha, Idrizi dhe Mediu, një ditë para raundit të parë dhe në këto kushte, rreth orës 8:30 ose 9:00, bëmë disa telefonata me disa emra që nuk pranuan për arsye të ndryshme, e në këto kushte ngelëm në një rreth të kufizuar dhe duke qenë çështje kohe një problem tjetër, momentin që ramë dakord për emrin e Zaganjorit, si emër që kishte këto elemente. Menduam që duke paraqitur këtë emër dhe votimi bëhej nesër e kalonte që në raundin e parë, me idenë e seriozitetin për të treguar vullnetin më të mire. Komunikimi me Ruçin u bë rreth orës nëntë, por si ai, edhe Patozi ishin të ftuar në studio televizive dhe gjithçka u shty deri në mëngjes. Ndërkohë, lajmi në media u përhap”.
Mendoni se pati gabime nga ana e maxhorancës në procesin e negocimit?
Ky mund të pranohet si një gabim i yni, por nuk mund të ishte një element thelbësor për të penalizuar kandidaturën e tij, që ishte e goditur dhe e gjetur. Nuk mund të sajonim emra, kur dikush nuk pranon, të çonim emra politikë, kur ishim të bindur që nëse çonim emra të tillë, konsiderohej si provokim nga ana tjetër.
Çfarë ndodhi me Artan Hoxhën sipas jush?
Zoti Hoxha është një njeri shumë simpatik, sipas vlerësimit dhe gjykimit tim. Kjo simpati vjen nga koha që ka qenë ministër fare i ri, 25-26 vjeç dhe për shkak të njohjes së vazhdueshme e kam vlerësuar racionalitetin e logjikën e tij, si njeri i programuar. Absolutisht s’ka pasur interes Hoxha për këtë post, por kur u tërhoq Zaganjori, iu kërkua ta rivlerësonte dhe ai e rivlerësoi pa ndonjë optimizëm të madh, por me një ndjenjë përgjegjësie. Ndërsa çështja e tërheqjes së tij mendoj se ai ka besuar dhe shpresuar që nuk do të kishte arsye të kundërshtohej seriozisht, por u bind në fund të tërhiqej përballë presioneve të ulëta dhe shantazheve nga më të shumëllojshme.
Çfarë përfitoi LSI nga vota pro për President të një figure të dalë nga aleati i saj qeverisës?
Pozicioni i LSI-së është respektimi i marrëveshjes me PD-në, ku në mënyrë eksplicite bëhet e qartë se këto dy forca do të vendosin me konsensus për çështjen e Presidentit. Të gjitha idetë që u hodhën pas takimit tim me zotin Rama, që tani ekziston mundësia për një shumicë tjetër në Parlament, mocioni etj. etj., nuk qëndronin dhe ajo që unë besoj se është e rëndësishme është që t’u qëndrojmë marrëveshjeve. Askush nuk duhet të priste që PD-ja do të pranonte që t’i dhuronte Presidentin opozitës. E rëndësishme ishte që t’i ofronte figura të profilit shumë të lartë. Prokurori i ri? Jemi paragjykuar shumë kur nisëm këtë proces, LSI ka qenë dhe është e bindur që ky proces ishte i rëndësishëm dhe për mua, pavarësisht që nuk ishte proces perfekt, solli dy takime Berisha-Rama.
Kjo qeveri ka nevojë për ripërtëritje, për ndryshime emrash, për një ritëm tjetër, një ritëm të ri?
Absolutisht që kjo qeveri dhe e gjithë shoqëria jonë duhet të ecë më shpejt.
Pra, duhet të kemi ndryshime?
Kur flas për ndryshime, nuk duhet të kemi në konsideratë domosdoshmërisht se duhet folur për emra. Unë po flas për një axhendë, kërkohet një ritëm më të shpejtë dhe më të lartë. Fqinjët dhe e gjithë bota janë përfshirë nga kriza. Edhe Shqipëria, edhe pse i ka rezistuar krizës globale, nuk mund të themi se është e paprekur, prandaj unë them që në javët e ardhshme ne duhet të zgjidhim me shpejtësi 2-3 çështjet kryesore për statusin e vendit, siç është reforma zgjedhore.
LSI ka përfaqësuesit e saj në postet ministrore, a mundet që të ndryshohen edhe ata, bashkë me ndryshimet e tjera në qeveri?
Për ne e rëndësishme është që qeveria të ketë më shumë grintë, në aksionin e saj qeverisës dhe në radhë të parë kjo i takon vetë Kryeministrit Berisha.

Kastriot Islami pranë LSI?
I pyetur nëse ish-deputeti socialist Kastriot Islami mund t’i bashkohet LSI-së, Meta tha se deputeti tashmë i pavarur është figurë bashkëpunuese. “Zoti Islami është një figurë integruese, një figurë që punon dhe bashkëpunon me të gjithë”, u shpreh kreu i LSI-së. Në raundin e katërt të votimit për President, ish-deputeti socialist, Kastriot Islami, mori pjesë në votim dhe mendohet se është një nga dy votat e pavlefshme.

“Pse u rrëzua kandidatura e Nanos”
Kreu i LSI-së hodhi poshtë aludimet se Fatos Nano u keqpërdor në këtë proces. “Zoti Nano u vetofrua publikisht, në mos gaboj në emisionin këtu tek ju, në “Top Story”. Me argumentet që ai ka renditur dhe me bindjen se ishte një figurë që mund të pranohej nga të gjitha palët, për arsye edhe se vinte nga PS-ja si eksperiencë dhe si histori, përveç faktit që në momente të caktuara kishte arritur të bashkëpunonte me kundërshtarin e tij historik, zotin Berisha. Partia Demokratike, në qoftë se do t’i referohemi takimit të zotit Berisha me zotin Rama, e ka bërë të qartë që nuk e mbështeste këtë kandidaturë, për arsyet që ajo i kishte bërë publike, pra për arsye që e konsideronte si një figurë të socialistëve. Nuk ka qenë diversion për shembull fakti që zoti Idrizi e ka përmendur disa herë”, tha Meta. Sipas tij, ishte kreu i PDIU-së që e propozoi. “Po ju sqaroj më në detaje. Zoti Idrizi, i cili ka pasur një raport njerëzor me zotin Nano, e ka ngritur vazhdimisht edhe në tryezën e maxhorancës, por edhe në tryezën e fundit që u zhvillua me zotin Rama. Zoti Berisha ka mbajtur atë qëndrimin e tij që në qoftë se kandidohej Nano, edhe ne do të kandidojmë një figurë të lartë të PD-së”, tha Meta dje në emision.

PS, shpresa te LSI
Pas takimit privat që zhvilloi me Ilir Metën në Gjirin e Lalëzit, Edi Rama zbuti fjalorin politik me qëllim bashkëpunimin në një të ardhme të afërt me LSI-në në Parlament. Madje, në editorialin e tij, pak para nisjes së raundeve për zgjedhjen e Presidentit, Rama bënte thirrje për bashkëpunim me cilido, pa paragjykime, për të rrëzuar Kryeministrin Berisha me vota në Parlament. Rama ka shpjeguar pas takimit me Metën se ishte i gatshëm për aleancë, nëse LSI do të largohej nga Qeveria

Votimi i Presidentit
Qëndrimi i LSI-së për zgjedhjen e Presidentit shoi shpresat e PS-së për një bashkëpunim të mundshëm me LSI-në në Kuvend, për t’i hapur rrugë më pas një bashkëpunimi në zgjedhjet e 2013-s. Mbështetja e Xhezair Zaganjorit nga LSI dhe refuzimi i tij nga kreu i PS-së, duket se ndau dy partitë që në nisje të një marrëdhënie të re mes tyre, me synim fushatën e ardhshme zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

© Panorama.al

Te lidhura