Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, përgëzoi dje strukturat e kësaj partie për rezultat e mira që arriti në zgjedhjet e 8 majit. Në një takim me krerët lokalë të kësaj partie, Meta evidentoi faktin se në këto zgjedhje LSI arriti të marrë 45 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e 2009-s. “Unë dua të falënderoj të 120 mijë votuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim në shkallë vendi për mbështetjen e konsiderueshme që i dhanë forcës sonë politike, për konfirmimin e një besimi të plotë, të qëndrueshëm dhe në rritje ndaj LSI-së, si një forcë e domosdoshme për stabilitetin e vendit, për modernizimin e tij dhe njëkohësisht për shtimin e kontributeve të saj në drejtim të procesit integrues. Ky është një rezultat shumë më i mirë sesa ai i zgjedhjeve të fundit, LSI ka arritur të marrë 45 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e fundit të vitit 2009, por natyrisht që ky rezultat nuk është i njëllojtë kudo, prandaj edhe është e rëndësishme që ky rezultat t’i nënshtrohet një analize të plotë dhe të hollësishme”, u shpreh Meta. Tirana për kreun e LSI ka arritur rezultate shumë më të mira se ato të zgjedhjeve të shkuara, jo vetëm duke e konsoliduar përkrahjen e qytetarëve, por dhe duke e rritur atë. “Një falënderim i veçantë i takon LSI-së së Tiranës për punën e mrekullueshme që ka bërë, gati 21 mijë vota për Këshillin Bashkiak dhe më shumë se 23 mijë vota për Këshillat e Njësive Bashkiake. Në qytetin e Tiranës, LSI ka arritur rezultatin e saj më të mirë ndonjëherë, gati 70% më shumë vota sesa në zgjedhjet e vitit 2009. Po kështu edhe një falënderim për të gjithë qarkun e Tiranës, ku LSI ka gati mbi 30 mijë vota në këto zgjedhje dhe ku përsëri rezultati është gati 65% më i lartë sesa në zgjedhjet e fundit të vitit 2009”, u shpreh Meta. Sipas tij, ky rezultat ishte “konfirmimi i politikës së drejtë që ka ndjekur Lëvizja Socialiste për Integrim, që nga 28 qershori i vitit 2009, i vendimeve të rëndësishme që i kanë shërbyer vendit dhe njëkohësisht ky rezultat është pikënisja jonë për zgjedhjet e ardhshme të qershorit të vitit 2013”.
45 mijë vota më shumë sesa në zgjedhjet e vitit 2009 ka marrë LSI-në në zgjedhjet e 8 majit, duke akumuluar në total 120 mijë vota në të gjithë vendin. Meta kërkoi që ky rezultat t’i nënshtrohet një analize të hollësishme











