Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një vizite në Shkodër, deklaroi se nuk duhet të ketë presion ndaj Kolegjit Zgjedhor. “Vendimi i Gjykatës është i detyruar për të gjithë. Çdo presion që u bëhet institucioneve është i papranueshëm dhe tregon qartë se në vendin tonë ka ende politikanë që flasin për integrimin europian, por kanë mentalitete, të cilat i takojnë një kohe që kemi lënë prapa me dekada”, tha Meta. Sipas tij, situata politike është normale. “Situata politike në vend është tërësisht normale, tërësisht demokratike dhe e qëndrueshme. Besoj se kjo u tregua më së miri në ditën e zgjedhjeve. Problemet e vetme që kanë ardhur janë pikërisht tensionimet artificiale, të cilat vijnë pikërisht nga politika e vjetër e shantazhit mbi votën e lirë, mbi institucionet, nga mosrespektimi i rregullave të lojës demokratike dhe natyrisht që për çdo mosmarrëveshje, fjalën e fundit e ka gjykata”, shtoi Meta.
Koçi: Fitorja e Ramës e bashkoi të majtën
Kryetari i PSV ’91, Petro Koçi, deklaroi dje se e majta duhet të bashkohet dhe të rezistojë për të shpëtuar parimet demokratike të zgjedhjeve. “Situata politike e krijuar pas fitores së qartë të Aleancës për të Ardhmen në shumicën e njësive vendore, e sidomos atyre bashkiake, fitorja mbi strategjinë disavjeçare të PD-së për të mundur me “vota” Edi Ramën në Tiranë, e ka bashkuar edhe më tej të majtën dhe aleatët e saj progresistë. Ndërkaq, përpjekjet e Berishës për t’i shkelmuar standardet zgjedhore nëpërmjet ushtarizimit PD-ist të KQZ-së dëshmojnë se për Kryeministrin një gram pushtet është më i rëndësishëm se një tonelatë legjitimitet. Rrezikshmëria e këtij qëndrimi ndaj stabilitetit dhe integrimit europian të vendit duhet të bashkojë çdo faktor politik të majtë rreth rezistencës për të shpëtuar parimin demokratik të zgjedhjes nga qytetarët”, tha Koçi.











