Meta: Do kandidoj për kreun e LSI

Jan 6, 2012 | 10:48
Kreu i LSI, Ilir Meta

Ilir Meta do të kërkojë një tjetër mandat nga anëtarësia e Lëvizjes Socialiste për Integrim për postin e kryetarit të LSI-së. Në daljen e parë për mediat për vitin 2012, Ilir Meta pohoi dje se do të kandidojë sërish për t’u votëbesuar nga baza e kësaj forcë dhe të këtë një tjetër mandat si kryetar i LSI-së. Pas takimeve të zhvilluara në të gjitha qytetet e vendit dhe caktimit të krerëve në qarqe, LSI do të organizojë dhe Konventën Kombëtare, nga ku pritet të dalin dhe emrat e tjerë që do të kandidojnë përballë kreut aktual Ilir Meta. Kreu i LSI-së ftoi të gjithë drejtuesit e lartë të kësaj force që të paraqesin kandidaturat e tyre dhe për të paraqitur alternativat e tyre në garën që do të zhvillohet brenda LSI-së. “T’ju them që nuk do të jem, do ta merrni si modesti të tepruar dhe ndonjëherë dhe modestia e tepruar gjykohet negativisht. Nuk ka sesi të mos jem, për aq kohë sa më 8 maj LSI-ja arriti një rritje spektakolare në raport me zgjedhjet e vitit 2009, pra mbi 40 mijë vota. Por, jam i bindur që do të ketë dhe kandidatura të tjera dhe të gjitha janë të mirëpritura që të zhvillojnë alternativat e tyre në të mirën e këtyre objektivave”, theksoi Meta. Kreu i LSI-së theksoi se procesi i ripërtëritjes së strukturave të LSI-së do të jetë pranvera e këtij viti.
Objektivat
Objektivi madhor për LSI-në në vitin 2012 do të jetë integrimi në Bashkimin Europian. Për Ilir Metën, procesi i marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë duhet të ishte marrë dy vite më parë, por kjo nuk u mundësua nga përplasjet politike. “Për këtë vit kryefjala e angazhimit tonë si Lëvizje Socialiste për Integrim, në radhë të parë do të jetë progresi i mëtejshëm i Shqipërisë drejt BE-së, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat, të cilin Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë prej 2 vitesh”, deklaroi ai.  Gjatë fjalës së tij, Ilir Meta ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit në qeverisje pas mbylljes së procesit gjyqësor me ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti. “Ky është një vit kur unë besoj se LSI-ja do të rrisë dhe përmirësojë akoma më tej performancën e saj si një forcë politike qeverisëse, me qëllim realizimin e objektivave të maxhorancës, por njëkohësisht edhe realizimin e objektivave të LSI-së si një forcë qeverisëse sa më shumë të jetë e mundur”, deklaroi Meta. Për kreun i LSI-së, sfidat ekonomike dhe problematikat e hasura kërkojnë një përgatitje maksimale për t’i përballuar me sukses. “Identifikimi i të gjitha problematikave dhe sfidave të zhvillimit të mëtejshëm të vendit, sidomos zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, për më tepër në kushte të reja të një situate krize ekonomike dhe financiare globale, europiane dhe rajonale, që ende vazhdon, është shumë i rëndësishëm për të përballuar me sukses sa më të madh jo vetëm kostot e reformave, por edhe impaktet sociale të këtyre fenomeneve të reja, ne jemi të bindur se procesi i qeverisjes, që është shumë i rëndësishëm, të jetë një proces sa më gjithëpërfshirës”, theksoi Meta.

Riorganizimi
Zgjedhjet e strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim pritet të përfundojnë pranverën e vitit 2012. Procesi i votimit të strukturave të reja dhe kreut të ri të LSI-së do të çelet zyrtarisht pas Konventës Kombëtare të LSI-së, që pritet të zhvillohet në muajt e ardhshëm. Gjatë punimeve të Konventës së Lëvizjes Socialiste për Integrim pritet të dalin dhe emrat zyrtarë që do të garojnë përballë kryetarit aktual, Ilir Meta.

Pretenca
Sot, Prokuroria do të paraqesë në Gjykatën e Lartë pretencën për gjyqin Meta–Prifti. Nga ana tij, ish-ministri i Ekonomisë, njëherësh dhe kryetar i LSI-së, ka refuzuar të komentojnë ngjarjet e vitit të shkuar. “Nuk jam i gatshëm të merrem me çështje tashmë ordinere që i takojnë vitit të kaluar. Jemi këtu për t’u marrë më çështje të mëdha dhe tepër serioze që i takojnë së ardhmes dhe ju siguroj se angazhimi dhe performanca e LSI-së në të gjitha nivelet e qeverisjes do të jetë vërtet tepër premtuese”.

“Përkrahje investimeve franceze”
Bashkëpunimi ekonomik midis Shqipërisë dhe Francës ka qenë kryefjala e takimit të zhvilluar dje midis kryetarit të LSI-së, Ilir Meta dhe ambasadores së Francës në Tiranë, Christine Moro. Gjatë takimit, kryetari i LSI-së vlerësoi rolin e rëndësishëm të Francës dhe Presidentit Sarkozy në përkrahjen e deritanishme për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike dhe në Bashkimin Europian. Në takimin Meta–Moro u vlerësua bashkëpunimi ekonomik midis Francës dhe Shqipërisë dhe zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve në fushën ekonomike. Meta theksoi në takimin me ambasadoren mundësitë dhe lehtësitë që mund të gjejnë investitorët dhe firmat franceze në vendin tonë. Ambasadorja Moro shprehu në takimin me Metën se përkrahja e Republikës së Francës do të vazhdojë edhe në të ardhmen për integrimin e Shqipërisë në BE.

Paskal Milo: “Pol i ri politik, nëse nuk ndryshon sistemi zgjedhor”
Partitë e vogla brenda së majtës po përgatisin një plan alternativ, në rast së nuk do të mundësohet ndryshimi i sistemit zgjedhor. Paskal Milo, kryetari i PDS-së, gjatë një prononcimi për televizionin “AS”, theksoi se partitë e majta do të organizohen në një pol të ri politik, nëse sistemi zgjedhor do të mbetet i pandryshuar. Milo paralajmëroi se në zgjedhjet e 2013-s do të jenë më shumë se 3 parti të majta që do t’i bashkohen kësaj nisme. “Në rast se ligji nuk do të jetë i favorshëm për ne, nuk do të favorizojë koalicionet, atëherë ne do të shohim një formulë tjetër bashkëpunimi në vijim të atyre çfarë kemi deklaruar deri tani. Besoj se duhet të shikojmë me kujdes ndërtimin e këtij poli, i cili nuk do të bëhet vetëm nga tri partitë tona, por besoj se do t’i shtohen dhe parti të tjera politike, të cilat do të maksimalizojnë rezultatin tonë, në rast kur ne nuk do të kemi hapësirat e nevojshme për të dalë si subjekte politike më vete”, thotë Paskal Milo. Për kreun e PDS-së, Partia Socialiste nuk duhet të tërhiqet nga angazhimi i saj publik për të korrektuar sistemin proporcional rajonal për zgjedhjet e 2013-s. “Unë besoj se më tepër se kurrë PS-ja duhet të mbajë qëndrime të prera dhe të qarta, sepse këtu nuk është thjesht fakti i partive aleatë të PS, por është në lojë fati i zgjedhjeve dhe i vetë PS-së dhe fati i opozitës në zgjedhjet e ardhshme”, tha Milo.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura