
Tentativa e një arsimtareje 40-vjeçare gjirokastrite për t’i dhënë fund jetës duke humbur mes rrjedhës së lumit Drino
në Parkun Natyror të Viroit ka rezultuar e dështuar. Kjo falë kujdesit në momentet finale që ka treguar Policia e Gjirokastrës për të shpëtuar nga mbytja e padiskutueshme gruan, e cila kishte humbur çdo shpresë për të jetuar e dashuruar deri në momentet e fundit të jetës. H. K. ka gjetur motin me shi të dendur mëngjesin e së hënës në Gjirokastër, për të qenë larg vëmendjes së njerëzve dhe të dashurit të saj për të kryer aktin vetëvrasës. E zhgënjyer nga jeta, e cila për të ka qenë një dramë e vërtetë, sidomos në tre vitet e fundit, 40-vjeçarja, mes dilemës të jetojë për fëmijët dhe e nënshtruar karshi të dashurit, apo të zhdukej nga kjo jetë, zgjodhi këtë të fundit. Qëllimi vetëflijues i saj nuk u realizua sepse nuk qëndroi jashtë vëmendjes nga kalimtarët e rastësishëm që vështruan lëvizjet e pakontrolluara të saj në buzë të rrjedhës së Viroit, në vendtakimin mes rrjedhës së liqenit dhe të lumit Drino. Një telefonatë në adresë të Policisë së Gjirokastrës ka vënë në lëvizje punonjësit e kësaj strukture, të cilët u turrën me vrap në drejtim të Viroit për të shpëtuar jetën e arsimtares. Në momentin e fundit ajo është bindur falë toneve shprehëse dhe shpresëdhënëse për vazhdimin e jetës nga një oficer policie. “Mos u hidh! Mos e bëj këtë veprim! Ç’do të thotë djali? Çfarë do të thonë prindërit? Jetoje jetën. Mos e ndërmerr këtë veprim, mos i bëj me turp fëmijët dhe prindërit”. Kanë qenë këto disa nga fjalët që e bindën në momentin e fundit 40-vjeçaren, e cila ishte gati të hidhej në gropën me ujë me 4 metra thellësi. Mësuesja e biologjisë, pasi shpëtoi nga mbytja, u mor në dorëzim nga policët, të cilët me kujdes të madh dhe me mesazhe inkurajuese, e përcollën për trajtim psikologjik në ambientet e Komisariatit të Gjirokastrës. Aty ajo ka rrëfyer dramën e jetës së saj, sidomos qysh prej ndarjes nga bashkëshorti tre vjet të shkuara. Mësohet se 40- vjeçarja ka qenë e martuar 15 vjet të shkuara dhe kishte dy fëmijë. Martesa e saj zgjati derisa ajo u njoh dhe krijoi lidhje me një biznesmen të fuqishëm në Gjirokastër. Sipas dëshmive, biznesmeni i pati premtuar 40-vjeçares dashuri të përjetshme, madje për të qenë i besueshëm, e detyroi atë të divorcohej nga i shoqi. Biznesmeni, i martuar me një fëmijë, i pati premtuar se do të martohej me arsimtaren sapo të mbaronte disa detyrime familjare dhe seancën gjyqësore të ndarjes “de jure” me të shoqen e tij. Me shpresën se do të gjente lumturinë e përjetshme me të dashurin e saj, mësuesja veproi e para duke e lënë të shoqin dhe mbajtur me vete fëmijët. Pas disa viteve dhe me zbehjen e shpresës për t’u lidhur në martesë, 40- vjeçarja udhëtoi e vetme më këmbë duke përshkuar një gjatësi prej 2.5 km deri në Parkun e Viroit për të kryer vetëvrasjen.
GJIROKASTER/ PIRO NASE











