Praktika profesionale e mësuesve do të zgjasë një vit dhe për këtë periudhë atyre do t’u paguhen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Ministria e Arsimit ka gati rregulloren për mënyrën se si do të kryhen këto praktika pas diplomimit për mësuesi. Nuk do të futen në praktikë të diplomuarit pa master. Vetëm pasi të kenë mbyllur praktikën, kandidatët do të japin provimin e shtetit. “Praktika profesionale është një procedurë, e cila zhvillohet nën mbikëqyrjen e mentorit ose mësuesve më të mirë. Do të jenë ata që do të mbikëqyrin praktikantin, i cili zhvillon praktikën profesionale njësoj si një mësues tjetër i shkollës. Me mbarimin e praktikës profesionale në mënyrë të suksesshme, pasi merr certifikatën që e ka kryer me sukses praktikën profesionale, ai i nënshtrohet provimit të shtetit”, sqarojnë specialistët e Ministrisë së Arsimit. Ata sqarojnë se e njëjta procedurë do të ndiqet edhe në zonat rurale, pavarësisht problemeve që ato paraqesin në infrastrukturën e shkollave. Për t’i krijuar komoditet dhe fleksibilitet, praktikantëve, të cilët banojnë në zonat rurale, u është krijuar mundësia që ata mund ta kryejnë praktikën atje. “Kjo nëse gjithmonë do të krijohet mundësia e sigurimit të mentorit. Pra, mentori duhet të jetë një mësues i specializuar, një mësues që ka marrë kategorinë e dytë dhe ka dalë me rezultate të mira në testim. Nëse plotësohen këto kushte, ai mund ta kryejë atje. Ndërkohë, siç ju thashë, kryesisht janë në qytetet kryesore të vendit, janë krijuar kushtet dhe mundësitë që të bëjnë praktikën aty”, sqarojnë specialistët e MASH-it. Këtë vit, në të gjithë sistemin parauniversitar do të zbatohet dhe testimi i të gjithë arsimtarëve që dëshirojnë të konkurrojnë për postin e drejtuesve të shkollave. Deri tani autoritetet e arsimit janë në fazën e përgatitjes së rregullores për zhvillimin e testimit.
1 VIT do të jetë praktika profesionale e të diplomuarve për mësuesi. Më pas ata do t’i nënshtrohen provimit të shtetit. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe në zonat rurale, pavarësisht problemeve që ato paraqesin në infrastrukturën e shkollave.











