Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur i kujdesshëm, por optimist, pas raundit të fundit të diskutimeve në Gjenevë, të zhvilluara me synimin për të arritur një marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Në një deklaratë pas kthimit të delegacionit ukrainas, Zelensky u shpreh se negociatat kanë bërë përparim, por disa pika mbeten ende të hapura përpara se të hartohet teksti final i marrëveshjes.
Sipas tij, çështjet më të rëndësishme të planit do të trajtohen gjatë bisedimeve të drejtpërdrejta me presidentin amerikan Donald Trump, ku – siç theksoi – do të merren vendimet përfundimtare në nivelin më të lartë politik. Takimet në Gjenevë kërkuan të afronin pozicionet mes propozimit amerikan dhe kushteve të Kievit, që synojnë garanci për sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të vendit.
“Ukraina nuk do të jetë kurrë pengesë për paqen. Kjo është parimi ynë dhe miliona ukrainas meritojnë një paqe të ndershme”, nënvizoi Zelensky, duke shtuar se vendi kërkon një zgjidhje që nuk rrezikon sigurinë afatgjatë të Ukrainës.
Ai konfirmoi se pas rikthimit nga Gjeneva, lista e çështjeve të hapura është shkurtuar ndjeshëm: “Nuk janë më 28 pika. Shumë prej shqetësimeve tona janë marrë parasysh.” Megjithatë, sipas tij, mbetet punë e vështirë për të arritur në një dokument final.
Zelensky theksoi se tema më të ndjeshme do t’i diskutojë personalisht me presidentin Trump dhe se Ukraina është e gatshme të punojë “sa më shpejt të jetë e mundur” për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme.
Negociatat në Gjenevë: 28 pika u reduktuan në 19
Zyrtarët ukrainas i përshkruan bisedimet në Gjenevë si “të tensionuara, por produktive”. Sipas ministrit të parë zv/punëve të Jashtme të Ukrainës, Serhiy Kyslytsya, të dyja palët larguan shumë nga pikat kontradiktore të planit fillestar.
Sipas Financial Times, dokumenti i ri përmban 19 pika, ndërsa disa prej çështjeve më të ndjeshme politike – si statusi i territoreve ose raportet NATO–Rusi–SHBA – janë lënë të hapura për vendimmarrje të drejtpërdrejtë nga presidentët Trump dhe Zelensky.
Pala ukrainase theksoi se nuk kishte autorizim për të bërë lëshime territoriale, duke kujtuar se çdo ndryshim i këtij lloji kërkon referendum sipas Kushtetutës së Ukrainës.
Kyslytsya tha se versioni i ri “ka shumë pak lidhje me draftin fillestar që shkaktoi indinjatë në Kiev”, ndërsa shtoi se “pothuajse të gjitha propozimet ukrainase u morën parasysh nga pala amerikane”.
Tani, të dy delegacionet po i dërgojnë draftet finale në Washington dhe Kiev, përpara takimeve të nivelit të lartë. Më pas pritet që administrata Trump të kontaktojë Moskën për vazhdimin e procesit diplomatik.
© Panorama.al











