Mesazh hetuesve: Kërcënimi, bombë molotov Prokurorisë

Dec 14, 2011 | 11:25

Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë ka marrë një mesazh kërcënues nëpërmjet një shisheje me benzinë të hedhur pranë një prej dritareve të katit të parë te godina pranë 9-katësheve. Ngjarja është denoncuar në Policinë e Tiranës, nga një prej rojeve të Prokurorisë së Përgjithshme, Xhevahir S. Mbrëmjen e së hënës, ai ka kërkuar ndërhyrjen e policisë, pasi dyshonte për një bombë artizanale (molotov), që ishte hedhur brenda institucionit. Burime nga Policia thanë se incidenti ka ndodhur rreth orës 22:20 të mbrëmjes të së hënës, dhe ngjarja është klasifikuar si “kanosje” në drejtim të Prokurorisë së Përgjithshme. Të njëjtat burime thanë se brenda institucionit është gjetur një shishe e mbështjellë me një letër, ku ishte shkruar edhe mesazhi kërcënues në drejtim të prokurorëve. Ndërsa brenda shishes ndodhej një sasi e vogël benzine dhe një fitil përcjellës, por i pandezur. Me hetimin e ngjarjes po merren oficerët e Komisariatit Nr.1, si dhe specialistë të Antiterrorit të Policisë së Tiranës. Burimet nga hetimi thanë se paraprakisht është shpallur në kërkim një i dyshuar për ngjarjen, që sipas burimeve dyshohet të jetë një person me probleme mendore, i cili ka kryer edhe 2 vjet më parë të njëjtin veprim. Gjithashtu është marrë në pyetje edhe roja i Prokurorisë së Përgjithshme, Xhevahir S., i cili është personi që ka telefonuar në sallën operative, duke denoncuar ngjarjen. Por gjatë deklarimeve të tij, roja ka shpjeguar se nuk ka arritur ta shohë personin që ka hedhur shishen me benzinë, por vetëm ka dëgjuar zhurmën në momentin kur është hedhur.
KERCENIMI
“Zbardhni tabulatet…”, ky është mesazhi që i është transmetuar Prokurorisë së Përgjithshme në formën e një kërcënimi, nëpërmjet një shisheje me benzinë dhe fitili përcjellës. Burime nga Policia thanë se personi që ka hedhur shishen brenda organit qendror të akuzës e kishte mbështjellë atë me një letër, ku kishte shkruar edhe mesazhin që donte të përcillte. Letra është marrë në shqyrtim nga grupi hetimor, megjithëse sipas burimeve nuk është arritur të deshifrohet i gjithë teksti, për shkak se lagështira kishte fshirë një pjesë të saj. Por, në një pjesë të tekstit të saj janë dalluar qartë mbiemrat e disa prokurorëve dhe në fund të saj, kërkesa në formë presioni, “zbardhni tabulatet” e personit që dyshohet për ngjarjen. Burime nga grupi hetimor thanë dje se incidente të tilla kanë ndodhur edhe më parë, në drejtim të Prokurorisë së Përgjithshme. Në shumicën e rasteve ka rezultuar që shkaktarë të ngjarjeve kanë qenë persona të cilëve u zvarriten çështjet gjyqësore dhe shfaqin pakënaqësi ndaj Prokurorisë. Ata janë persona që kanë çështje të ndryshme penale të hapura dhe që nuk u jepet zgjidhje, për këtë arsye “fajësojnë” për problemet e tyre organin e akuzës. Një tjetër formë presioni ndaj Prokurorisë ka qenë para disa vitesh edhe bllokimi i rrugës para institucionit, nga një person që pretendonte se po i zvarritej gjyqi.

Personi i dyshuar, kërcënoi dy vjet më parë
Kërcënimi i mbrëmjes së të hënës në drejtim të Prokurorisë së Përgjithshme është pothuajse i njëjtë me një incident të ngjashëm që ka ndodhur rreth 2 vjet më parë. Burime nga Policia thanë se nga mënyra e të shkruarit dhe forma e zgjedhur për të kanosur prokurorët e organit qendror të akuzës, dyshohet që veprimi të jetë kryer nga i njëjti person që ka kërcënuar në vitin 2010. I dyshuari, sipas Policisë, është një person me probleme mendore, i cili fajëson Prokurorinë për fatkeqësitë që i kanë ndodhur. Burimet thanë se emri i tij ende nuk mund të bëhet i ditur për shkak të hetimit, por mësohet se herën e parë ai është ndaluar me akuzën e “kanosjes” në drejtim të Prokurorisë së Përgjithshme, veprimet hetimore janë kryer nga Komisariati Nr.4, ku është konstatuar sëmundja e tij dhe është liruar. Pritet që sot të krahasohet dosja penale në ngarkim të këtij personi, që aktualisht ndodhet në arkivin e Komisariatit Nr.4 dhe më pas do nxirret një konkluzion përfundimtar. Por paraprakisht, nga mënyra se si ka ndodhur ngjarja, elementët e përdorur për kërcënimin dhe teksti i letrës, policia thotë se bëhet fjalë për të njëjtin person.

PROKURORIA ME POLICI PRIVATE
Prokuroria e Përgjithshme dhe institucionet në varësi të saj ruhen me efektiva të policisë private që nga janari i këtij viti. Sipas një vendimi të qeverisë, policët e objekteve u larguan nga shërbimi në ruajtjen e Prokurorisë, duke e lënë për disa ditë pa roje organin e akuzës. Prokurorisë iu akordua në fondin e saj një buxhet me të cilin u kërkua që të kontraktohej një kompani policie private për ruajtjen e godinave në varësi të organit të akuzës. Heqja e policëve shtetërorë nga ruajtja e Prokurorisë u përcoll me shqetësim nga organi i akuzës për shkak të rrezikshmërisë së punës së institucionit, si dhe për shkak se në zyrat e Prokurorisë ndodhen dosje në të cilat ka edhe sekrete shtetërore.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura