Dhjetëra krerë shtetesh do të mblidhen të enjten në qytetin amazonian të Belem-it në Brazil, përpara samitit vjetor të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, me shpresën për të nxitur përparimin global, pavarësisht frikës në rritje se bashkëpunimi shumëpalësh po shkon drejt krizës.
Konferenca COP30 shënon 30-vjetorin e fillimit të negociatave ndërkombëtare për klimën. Gjatë kësaj kohe, vendet kanë arritur të ngadalësojnë disi rritjen e parashikuar të emetimeve, por jo mjaftueshëm për të parandaluar ngrohjen ekstreme globale që shkencëtarët paralajmërojnë se mund të ndodhë në dekadat e ardhshme.
Në dy ditët e para të punimeve, presidenca braziliane e COP30 ka planifikuar që 53 krerë shtetesh të mbajnë fjalime, përkrah më shumë se 40 liderëve rajonalë. Ndër të pranishmit pritet të jetë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Megjithatë, mungojnë liderët e katër prej pesë ekonomive më ndotëse në botë, Kina, Shtetet e Bashkuara, India dhe Rusia, ndërsa vetëm përfaqësuesi i Bashkimit Evropian ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Në dallim nga të tjerët, administrata amerikane, e cila mohon ndikimin e ndryshimeve klimatike, ka vendosur të mos dërgojë asnjë përfaqësues në samit.
Disa analistë e shohin mungesën e SHBA-së si një mundësi për dialog më të barabartë mes vendeve pjesëmarrëse.
Objektivi për reduktimin e metanit merr mbështetje të re
Brazili u ka bërë thirrje vendeve që të mos bëjnë premtime të reja, por të përmbushin zotimet ekzistuese për uljen e emetimeve dhe financimin e masave përballuese ndaj motit ekstrem dhe pasojave të tjera të ngrohjes globale.
Një prej këtyre angazhimeve, marrëveshja e COP26 për uljen e emetimeve globale të metanit me të paktën 30% nga nivelet e vitit 2020 deri në vitin 2030 është larg realizimit.
Megjithëse shkencëtarët kërkojnë ndalimin urgjent të emetimeve të këtij gazi shumë ndotës, shifrat kanë vijuar të rriten që nga samiti i Glasgout në vitin 2021.
Samiti i liderëve botërorë mund të përcaktojë të ardhmen e nismës kryesore të Brazilit, “Tropical Forest Forever Facility”, një mekanizëm shumëpalësh financimi për mbrojtjen e pyjeve të rrezikuara dhe komuniteteve që jetojnë në to.
Brazili u ka kërkuar vendeve të kontribuojnë financiarisht në fond. Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar, e cila ka ndihmuar në hartimin e modelit të fondit, zhgënjeu pritjet të mërkurën duke bërë të ditur se nuk do të ofrojë fonde.
Vetë Brazili dha kontributin e parë prej 1 miliard dollarësh në shtator, ndërsa Indonezia ka premtuar të japë të njëjtën shumë. Kina gjithashtu ka paralajmëruar se do të kontribuojë, por nuk ka bërë ende të ditur shumën.
© Panorama.al












