Seanca 13-oreshe/ Kuvendi miratoi sot në orët e para të mëngjesit me 74 vota pro dhe 56 kundër buxhetin për vitin 2012. Replikat e plota të Berishës me Blushin, Klosin, Xhaçkën dhe Finon. Blushi: “Sheshi më jep mundësi të shkoj më shpejt në shtëpi, por e keni hipur Skënderbeun mbi një lopë”.
PS, 8 kushte për buxhetin: Të rritet taksa për ministrat
PS deklaron votën kundër buxhetit. Ruçi: Nuk zgjidh 12 prioritetet e BE
Blushi: Të paaftët që qeverisin, nuk janë as të dhimbsur
Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, gjatë fjalës së tij i kërkoi maxhorancës dhe qeverisë të plotësojë tetë pika që opozita të japë votën e saj për buxhetin e 2012-s. Kreu i Grupit të PS-së kërkoi uljen e taksave për pagat mesatare dhe rritje për pagat e deputetëve dhe ministrave. Ruçi iu rikthye propozimeve për heqjen e TVSH për produktet ushqimore.
Një nga propozimet e Grupit Parlamentar socialist ishte dhe ulja e TVSH-së në 50% për miellin, vezët, vajin etj. Gjithashtu socialistët kërkojnë dhe heqjen e TVSH-së për ilaçet, pasi sipas kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, shqiptarët paguajnë 10% TVSH për shërbimet shëndetësore. Duke folur për fermerët dhe fshatin, Ruçi i kërkoi Kryeministrit të pranojë propozimin e PS për heqjen e TVSH-së për naftën për fermerët dhe të imputeve bujqësore. Propozimet e PS-së preknin dhe TVSH-në për energjinë elektrike dhe librat. Ruçi kërkoi uljen nga 20% në 6% të TVSH-së për energjinë elektrike, ndërsa për librat shkollorë ai kërkoi heqjen totale të kësaj takse. Dy nga kërkesat që kërkojnë zgjidhje sipas kreut të Grupit Parlamentar socialist ishin dhe qasja e qeverisë ndaj ish-të përndjekurve dhe pronarët. Ruçi kërkoi që qeveria të mos vazhdojë të tregohet hileqare me ish të përndjekurit politikë, por atyre që janë në moshën 75-vjeçare t’u jepet menjëherë dëmshpërblimi. Po ashtu, Ruçi kërkoi ngritjen e një komiteti të përbashkët, që do t’i japë zgjidhje njëherë e mirë problemit të pronave të tyre. Kryetari i Grupit Parlamentar socialist tha se projektbuxheti nuk zgjidh asnjë nga 12 prioritetet e parashtruara nga Bashkimi Europian. “Buxheti nuk ndihmon ekonominë e vendit. Rritja ekonomike ka ndaluar. Ky buxhet nuk shoqërohet me ulje të borxhit publik dhe nuk zbut varfërinë. Ky buxhet nuk ndihmon ekonominë e vendit. Rritja ekonomike ka ndaluar. Ky buxhet nuk shoqërohet me ulje të borxhit publik dhe nuk zbut varfërinë, ky buxhet nuk ul papunësinë dhe nuk ka politika të reja fiskale. Ky buxhet nuk mbështet bujqësinë, arsimin dhe nuk zgjidh çështjen e plehrave, lumenjve e pyjeve. Gjithashtu, ai nuk jep asnjë shpresë për pronarët. Pra, nuk zgjidh asnjë nga 12 prioritetet e BE-së”, theksoi Ruçi.
Blushi
Deputeti socialist, Ben Blushi, e cilësoi buxhetin e qeverisë të paaftë që të luftojë varfërinë. “Ky buxhet nuk është i dhimbsur dhe varfëria kurohet të paktën me dhembsuri. Edhe të paaftët e të këqijtë qëllon që janë të dhimbsur. Të paaftët dhe të këqijtë që qeverisin Shqipërinë, nuk janë të dhimbsur. Kjo është një arsye më shumë pse ky buxhet nuk meriton të votohet”, u shpreh Blushi. Sipas tij, qeveria vazhdon të tatojë njëlloj, me të njëjtën masë takse si të pasurit, ashtu dhe të varfrit. Në një llogari shumë të thjeshtë rezulton se 70% e këtij buxheti rëndon mbi supet e të varfërve. Sepse ka një diferencë të madhe mes mënyrës se si taksoni ju dhe si duhet taksuar në një vend si Shqipëria, një debat që bëhet në të gjithë Europën. “Ju taksoni më shumë punën sesa kapitalin. Si ka mundësi që tatimi mbi fitimin në Shqipëri është i barabartë me tatimin mbi të ardhurat personale? Fitimi tatohet 10%, puna tatohet 10%, një punëtor tatohet 10%, po aq dhe një kapitalist shqiptar. Por këta s’mund të jenë të barabartë karshi kontributeve dhe shoqërisë në përgjithësi”, u shpreh deputeti socialist gjatë fjalës së tij. Duke folur për borxhin publik, Blushi tha se ai duhet të përfshihet në Kushtetutë. “Borxhi mbetet një problem kronik i Shqipërisë. Ai po zhyt ekonominë e Europës, sepse qeveritë paraardhëse nuk bënë sa duhet që ta kontrollonin atë. Ne kemi thënë se ka ardhur koha se ai duhet kufizuar me ligj ndoshta dhe me Kushtetutë, ky duhet të jetë një debat që duhet bërë në këtë Parlament. Borxhi publik kufizon jo vetëm këta që janë sot në qeveri, por ndoshta dhe ne nesër në pushtet, nëse edhe ne do ta kthejmë në fizarmonikë kredimarrjen”, u shpreh Blushi.
Propozimet e ps per buxhetin
1. Të hiqet TVSH-ja për pagat mesatare. Deputetët të paguajnë më shumë se mësuesit, mjekët, policët, infermierët etj. Jemi gati ta votojmë projekt/buxhetin nëse pranohet ky propozim.
2. Sot shqiptarët paguajnë dy herë më shumë TVSH për ushqime si miell, vezë, vaj etj. Duam që të përgjysmohet TVSH-ja për këto produkte.
3. Shqiptarët paguajnë 10% TVSH për shërbimet shëndetsore. Duam që sistemi shëndetësor të vihet në binarë që t’u shërbejë të gjithëve. Propozojmë të hiqet TVSH-ja për ilaçet.
4. Duam që të ulet çmimi i naftës sepse është dyfishuar krahasuar me vitin 2004 dhe nuk ndihmon bujqësinë. Të hiqet TVSH për naftën e fermerëve dhe imputove.
5. Popullata paguan 20% TVSH për energjinë elektrike. Duam që të ulet në 6%.
6. Sot ka TVSH për librat e nxënësve. Duam që të hiqet TVSH-ja për këto libra.
7. Maxhoranca vazhdon të tregohet hileqare me të përndjekurit politikë. Ata që janë 75 vjeç e sipër duhen dëmshpërblyer menjëherë.
8. Maxhoranca tregohet hileqare me pronarët. Duam të ngrihet një komitet i përbashkët për zgjidhjen e këtij problemi.
Deputeti, akuza qeveritarëve për blerje të mëdha pronash
Deputeti socialist, Erion Braçe, akuzoi Kryeministrin se po bën shpenzime kolosale për mobilimin e vilës qeveritare në Vlorë, në shumën prej 516 milionë lekësh. Duke paraqitur një listë me objektet e porositura, Braçe tha se të gjitha janë të cilësisë luks dhe që nuk i përgjigjet realitetit e nivelit ku jetojnë shqiptarët. “Ambienti që përshkrova më lart, është rezidenca e Kryeministrit në Vlorë! Vetëm mobilimi i kushton çdo qytetari 516 milionë lekë ose gjysmë milioni dollarë. Nuk është e vetmja! Rezidencë ka në Velipojë, në Dajt, në Bllok, në Durrës, në Pogradec, në Vlorë, në Dhërmi, në Sarandë. Ka një shërbim për qeveritarët! E paguajmë ne si qytetarë dhe në buxhet na kushton: këtë vit-1.6 milionë dollarë; vitin e ardhshëm 1.3 milionë dollarë!”, u shpreh Braçe. Deputeti socialist akuzoi qeveritarët se gjatë këtij viti kanë shtuar pronat e tyre. “Familja juaj u shtua me 200 metra katrorë sipërfaqe banimi e Kryetares së Kuvendit me 670 metra truall, partneri juaj i koalicionit me 200 metra në Bllok dhe 317 metra në plazh, ministrja e Integrimit me 200 metra pranë Parkut dhe 50 metra në plazh, ministri i Arsimit ka blerë truall në Tiranë, 400 metra katrorë dhe apartament 48 metra në Gjermani, ministri i Punës ka blerë apartament në Tiranë 106 metra katrorë, ministri i Inovacionit ka blerë apartament 130 metra katrorë, gjithsej 3121 metra katrorë dhe kjo po u shtohet 5 mijë metrave katrorë të një viti më parë. T’i gëzoni! Por ju, kur shtoni pasurinë brenda një viti kaq shumë, përse refuzoni të paguani më shumë për këtë pasurim tuajin?”, tha Braçe.
Kuvendi debaton për 13 orë orë. Blushi: Sheshi me jep mundësi të shkoj më shpejt mundësi
Buxheti, 74 vota pro, 56 kundër
Zbardhen batutat e Berishës me Blushin dhe deputetët e PS
Debati maratonë për projektbuxhetin e vitit 2012 u mbyll me votimin që u bë pak pas mesnate. Buxheti u miratua me 74 votat pro të maxhorancës, ndërsa opozita ashtu siç pritej votoi kundër. Në sallën e kuvendit pas 13 orë debatesh, të cilët nisën në orën 11:15 të paradites dhe përfunduan në 00:15, jo të gjithë deputetët rezistuan deri në fund të seancës. Vetëm 130 deputetë ishin prezentë, ndërsa disa deputetë të opozitës ishin larguar nga salla. Votimi në parim i buxhetit i hapi rrugë vazhdimit të diskutimit të tij nen për nen në komisionet parlamentare për t’u rikthyer sërish për votim të detajuar në seancë.
Debati
Gjatë seancës së djeshme, palët nuk mundën të shmangnin debatet mes tyre lidhur me shifrat e buxhetit, por dhe zhvillimet brenda PS-së. Kryeministri Berisha ka akuzuar opozitën se nuk arrin të adresojë asnjë pyetje për buxhetin, duke e konsideruar këtë një rast të rrallë parlamentar. “Ju bëheni të pashpresë! Unë prisja që ju do të vinit këtu me buxhet të votuar në komisione. Unë do të votoja me ju, nëse ne do të sillnim një buxhet me deficit buxhetor 5 ose 6 për qind”, iu drejtua Kryeministri Berisha deputetëve socialistë. Gjatë debatit të djeshëm nuk kanë munguar dhe sfidat e ndërsjella. “Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës të tatonte për tabelën, nëse t’i vije tabelën “Shitorja Blushi”, do t’i paguaje Bashkisë 900 mijë lekë vetëm për emrin që të kanë vënë prindërit. Po të ishte diskrecioni i rregullt, nuk do humbte zgjedhjet ai. A e dini ju se një pemë në Tiranë kushtoi 5 mijë dollarë?”, u shpreh Berisha. Deputeti socialist, Ben Blushi, i cili replikoi gjatë me Kryeministrin, u shpreh se: “Ai shesh është bërë mirë, se më jep mundësi të shkoj 5 minuta më shpejt në shtëpi, por a mund të ma thotë njeri si të shkoj tek Skënderbeu? E keni hipur Skënderbeun mbi një lopë dhe e keni lënë aty të kullosë në bar. Kjo nuk është për të qeshur. Po pati mundësi Saliu të shkojë tek monumenti pa hequr këpucën, jam gati ta ndjek dhe unë”. Ndërsa në vijim të debatit, Berisha akuzoi deputetët socialistë se janë detyruar të lexojnë me pahir librin e kryetarit të tyre. “Kur një vit më parë unë u ndala dhe thashë se si zonja Rollings ekzekutoi të atin e Harrit, ju më thatë ‘po merret Kryeministri me Harri Poterin’. Po ja që ju doli “Kurban”-i një vit më pas. Juve ju ka mbirë “Kurban”-i tek dera e PS, e merrni me detyrim dhe ju është bërë si citatet e Maos, si veprat e Enverit për ju”, u shpreh Berisha.
Debatet në Kuvend për projektbuxhetin 2012
Sali Berisha: Ju vazhdoni të mohoni, vetëm kur një ditë do të shihni pyjet. Shkoni kudo, në Berat, në shpatet e malit të Sinjës, në komunën e Sinjës të shikoni plantacionet e mëdha të qershive dhe të ullinjve që po mbillen. Shkoni të shikoni Lunxhërinë.
Erion Braçe: Dalin plantacionet e Lazaratit.
Sali Berisha: Ky është buxheti i 100-vjetorit dhe ka për mision të shënojë ndryshimin e Shqipërisë. Shqipërinë 100-vjeçare ta paraqesë një nuse të vërtetë para shqiptarëve. Dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme që mund të rinojë më shumë moshën e këtij vendi, sesa mosha dixhitale.
Erion Braçe: Po, more po. Ai po kërkon akoma eshtrat e Ismail Qemalit( për Ferdinand Xhaferrajn)
Marko Bello: Kjo qeveri dështoi me integrimin në BE. 95 për qind e shqiptarëve janë të varfëruar.
Sali Berisha: 95 për qind e shqiptarëve janë të varfër dhe në krye të tyre jeni ju. Lërini këto akuza, se në këtë mënyrë më zgjasni mandatin përtej atyre viteve që as vetë nuk i kam shpallur.
(Deputeti i PS, Ervin Koçi, përmend problemet e fundit për qarkun e Fierit)
Sali Berisha: Mos u bëj militant, se dhe ai Koçi (Petro Koçi) para teje kështu bënte, po ku është tani?
(Fjalën e kërkon Fatmir Toçi për të folur për buxhetin. Ende pa arritur në foltore, reagon Berisha)
Sali Berisha: Po ti çfarë ke? Ai (Edi Rama) nuk të dha ty as “Kurban”-in!
Bashkim Fino: Projektbuxheti cenon autonominë e pushtetit vendor. E gjithë transferta e pakushtëzuar e qeverisë për pushtetin vendor sot me këtë buxhet kushtëzohet, sepse e detyron pushtetin vendor të përdorë 10% të kësaj transferte të përdoret për arrorët dhe frutorët. Pushteti qendror vendos se si do të përdoret granti i qeverisë, në kundërshtim me autonominë e pushtetit vendor.
Sali Berisha: PS ka ndezur të gjithë motorët e makinerisë së dizinformimit për buxhetin. Ish-kryeministri Fino detyrohet të thotë të kundërtat dhe të pavërtetat e buxhetit. Qeveritë vendore kanë sot 35 miliardë lekë, kanë taksën e plotë të biznesit të vogël.
Ben Blushi: E kanë pasur dhe më parë!
Sali Berisha: Jo zotëri, kanë pasur vetëm gjysmën.
Ben Blushi: Bëhet fjalë për diskrecionin.
Sali Berisha: E di si u përdor diskrecioni? Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës të tatonte për tabelën, nëse t’i vije tabelën “Shitorja Blushi”, do t’i paguaje Bashkisë 900 mijë lekë vetëm për emrin që të kanë vënë prindërit. Po të ishte diskrecioni i rregullt, nuk do humbte zgjedhjet ai. A e dini ju se një pemë në Tiranë kushtoi 5 mijë dollarë? Janë harxhuar 17 milionë dollarë si taksë gjelbërimi dhe pemët që janë mbjellë, ky është çmimi i një peme.
Erion Braçe nga vendi: Ju prishët sheshin!
Sali Berisha: Çfarë sheshi, shko shikojeni si është shndërruar. Nga betoni kaloi në shesh të gjelbëruar. Nga Piramida në mes të sheshit, u kthye në gjelbërim. Ne nuk ndërtojmë më piramidë, ne nuk bëjmë kurbane. Ne kemi ritin e jetës dhe të së ardhmes.
Kur një vit më parë unë u ndala dhe thashë se si zonja Rollings ekzekutoi të atin e Harrit, ju më thatë “po merret Kryeministri me Harri Poterin”. Po ja që ju doli “Kurban”-i një vit më pas. Juve ju ka mbirë “Kurban”-i tek dera e PS, e merrni me detyrim dhe ju është bërë si citatet e Maos, si veprat e Enverit.
Ben Blushi: Kollares po i vure llastik, e var ku të duash. Po flet për taksat, por si ka mundësi, vetëm dyqani i Saliut nuk taksohet. Ai sheshi është bërë mirë, se më jep mundësi të shkoj 5 minuta më shpejt në shtëpi, por a mund të ma thotë njeri si të shkoj tek monumenti. E keni hipur Skënderbeun mbi një lopë dhe e keni lënë aty të kullosë bar në fushë. Kjo nuk është për të qeshur. Po pati mundësi Saliu të shkojë tek monumenti pa hequr këpucën, jam gati ta ndjek dhe unë.
Bashkim Fino: Do të votoj buxhetin tënd, nëse bën këto ndryshime. Kushtëzimet e parashikuara në nenin 15 të pr/buxhetit janë të papranueshme, ato duhet të hiqen. Do ta votoj buxhetin nëse rregulloni disa pika. Hiqni kushtëzimet që janë vendosur në nenin 15. Nëse flisni për grante të pakushtëzuara, nuk mund të vendosni kushtëzime. Rritja e grantit duhet të jetë 7%. Të ardhurat nga renta minerare janë 25% dhe jepja atyre të plotë, por jo duke ia zbritur nga granti i pakushtëzuar.
Blendi Klosi: Ky buxhet nuk zbut varfërinë në vend. Këtu kam regjistra të tërë dyqanesh ku njerëzit kanë shënuar emrat në lista pasi nuk kanë para me se të blejnë. Këtë problem të madh duhet të zgjidhë buxheti i vitit 2012.
Berisha (për Blendi Klosin)
Të gjitha ato që tha parafolësi, i ka të gjitha të amnistuara se sapo është kthyer nga festa dhe është bërë dhogë (ndërhyn Xhaçka). Po Olta, po të tregoj një histori të Eseninit. Ishte martuar me Isabelën, një balerinë e famshme amerikane, një nga bukuritë e kohës dhe u ul në restorantin më luksoz, por i erdhi motra nga fshati, Olta. E motra ishte shumë e ndrojtur para kësaj superdame dhe ai fillon e shkruan “Eh sa mace ka kjo botë, sa shëmtinë e tyre nuk ua gjen kurrë”, njëri prej tyre është ky që shohim Olta. Ke të drejtë. Vazhdojmë më tej, e di vetë ti këtë histori.
Tani një minutë se kjo ishte pjesa e festës.
Ata regjistrat (regjistrat që Klosi tregoi për borxhet), përgjigjja ime është këtu se ai Gjushi (Vangjush Dako) yt dhe ti me të, blini 3 mijë “Kurban”-e tek “Dudaj”, më mirë shkoni blini ushqime dhe u jepni qytetarëve. Është kollaj të blesh 3 mijë “Kurban”-e. A e dini që sipas informacioneve të shumta, ai po përdor paret e taksapaguesve për “Kurban”-in, për të blerë “Kurban”-in dhe jo kurban për ta ndarë sipas ritit, por kurban për ta groposur sipas veprave të Enverit, se s’i lexon kush. Sa i besueshëm je ti këtu kur me ato fletore, do ishe shumë i besueshëm sikur të më thoje sot “që me përpjekjet e mia me kryetarin tim të Bashkisë së Durrësit”, i cili e di vetë ti, të paguan dhe në Monte Karlo ty ato që s’duhet të të paguajë. Kam dhënë urdhër për t’ju nxjerrë nga policia atje, mos më thoni mua ju! Po, jo jo, s’ju pëlqen kjo. Të vish të më derdhësh mua lot krokodili këtu, në një kohë kur kalon nga kazinoja në kazino, i ke të qarta vetë këto. Të lutem, mos flasim kot se i kam me fatura këto, të sjell faturat po deshe. Ndaj dhe të bëhemi të sinqertë, ky është një moment sinqeriteti. Ta kaloi dhe ty me shitje (për Blushin), ta kaloi se ty s’t’i blejnë kryetarët e bashkive, ç’është e vërteta. Ky ishte i ardhur mbas feste.
Berisha: Shqipërinë, si nuse në 100-vjetorin e Pavarësisë
“Buxheti 2012 mbështet rritjen e rrogave dhe pensioneve”
Kryeministri Berisha ka preferuar që buxhetin e vitit 2012 ta mbrojë përveçse me shifra e me projekte të programuara, edhe me doza ironie e batutash ndaj opozitës. Në seancën maratonë të ditës së djeshme, kreu i ekzekutivit për më shumë se 20 minuta shpalosi projektet e qeverisë së tij, që do të mbështeten nga buxheti prej më shumë se 394 miliardë lekësh i vitit të ardhshëm, ndërkohë që shprehu keqardhjen për votën kundër të deklaruar opozitës. Sipas Berishës, mazhoranca do të donte të miratonte një buxhet më të madh, por e rëndësishme është të ruhet stabiliteti makroekonomik. Votën kundër të opozitës ai e cilësoi si një votë që vjen si efekt i “sindormës së tunelit”, ndaj së cilës vuajnë të majtët. “Një vit më parë, në këtë sallë, ju ratë në sindromën e tmerrshme të tunelit të Kërrabës, hytë në tunel e nuk dolët. Së bashku qëndruam në këtë Parlament deri në orën 5 të mëngjesit. U përpoqa t’ju shëroja. E pamundur. Përdora të gjithë aftësitë e mia mediko-psikologjike. E pamundur. Sërish do të mbeteni në sindromën e tunelit”, u shpreh Kryeministri, duke theksuar se buxheti i vitit 2012 mbështet një tunel tjetër të rëndësishëm, atë të Qafë-Murrizit. Duke u ndalur në disa nga prioritetet që favorizon ky buxhet, Kryeministri nuk la pa përmendur rritjen e pagave dhe të pensioneve, në një kohë kur bota po ecën në kahun e kundërt e detyruar nga kriza. Investimet në infrastrukturë apo ndihma ndaj kategorive në nevojë janë përmendur nga Kryeministri si të tjera prioritete të këtij buxheti. Një pikë e përmendur ishte ajo e 100-vjetorit të Pavarësisë, i cili përkon në vitin 2012. Berisha u shpreh se dixhitalizimi i Shqipërisë në vitin e ardhshëm është hapi final, që do të shënojë ndryshimin e Shqipërisë. “Ky është buxheti i 100-vjetorit dhe ka për mision të shënojë ndryshimin e Shqipërisë; Shqipërinë 100-vjeçare ta paraqesë një nuse të vërtetë para shqiptarëve. Dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme që mund të rinojë më shumë moshën e këtij vendi, sesa mosha dixhitale. Prandaj ne kemi zgjedhur këtë moshë për të rinuar Shqipërinë në 100-vjetorin e saj”, u shpreh ai. Edhe për sektorin e shëndetësisë kreu i qeverisë u shpreh se buxheti i vitit 2012 mbështet modernizimin e tij. Jashtë vëmendjes nuk është lënë edhe projekti për arrorët. “Shqipëria duhet të vishet në drurë frutorë. 250 milionë rrënjë arrorë dhe ullinj do të mbillen në këtë vend. Po të pyesni veten, ju thoni se as 15 milionë rrënjë nuk mbillen dhe sigurisht, sepse ju keni një imagjinatë të kufizuar për qëllime politike. Sigurisht që do të mbillen. Sigurisht, po të mos e shëtisni këtë vend, nuk e dini se ku mund të mbillen. Dilni pak jashtë orbitës suaj”, u shpreh Berisha. Turizmi ka qenë një tjetër çështje e diskutuar dhe për të cilin Kryeministri u shpreh se do të jetë në fokusin e vitit 2012, pas suksesit të këtij viti, kur u shpall si një ndër vendet më tërheqëse. “E vërteta është që këtë vit, nga agjencitë më prestigjioze të turizmit ajo u shpall “Miss Bota” për turizmin dhe përsëri për vitin 2012 dëshmohet se ajo kurorë ishte e merituar. Investimet më të mëdha në historinë e vendit do të bëhen drejt turizmit të vendit me këtë buxhet. Do të asfaltohen të gjitha rrugët turistike të vendit, nga Valbona, në kanione, në Çajup, në malet e Zagorisë dhe kudo”, u shpreh ai.

Kryetarja: Topalli feston ditëlindjen në seancë
Sapo ora ka kaluar mesnatën, tek tavolina e Kryetares së Parlamentit kanë mbërritur dy tufa të mëdha me lule. Deputetët kanë shpërthyer në duartrokitje, duke e kuptuar të gjithë se numri një i Parlamentit kishte ditëlindjen. Jozefina Topalli sot mbushi 48 vjeç, një përvjetor që gjeti drejtuesin e parlamentit shqiptar në seancën më të rëndësishme të vitit, siç është debati për buxhetin e qeverisë për vitin 2012. Menjëherë deputetët kanë filluar t’i nisin mesazhe Kryetares së Parlamentit ndërsa seanca rridhte në minutat e fundit të saj, pas 13 orë debatesh dhe diskutimesh në të.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











