Merkel, propozime të reja për eurozonën: Programi për Greqinë nuk po funksionon

Jan 27, 2012 | 12:48
Kancelarja Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar nga Davosi i Zvicrës se “programi i shpëtimit, i përzgjedhur për Greqinë, nuk po funksionon”. Deklarata e Merkel, bërë për pesë gazetat më të mëdha europiane e cilëson Greqinë si një rast të veçantë. Ajo theksoi se atje fillimisht duhet të qetësohet situata dhe të rifitohet besimi i tregjeve. Merkel kërkoi më shumë reforma nga vendet me borxhe të mëdha. Sipas saj, është e pakuptimtë që vendet e tjera të ofrojnë shuma të tjera të mëdha parash, nëse nuk luftohet shkaku i krizës. Duke folur në Forumin Ekonomik të Davosit, Merkel hodhi një ide të re për shpëtimin e eurozonës nga kriza e borxhit. Kancelaria refuzoi kërkesat e disa vendeve, përfshirë edhe Italisë, se duhet rritur kontributi i vendeve në Mekanizmin Europian të Shpëtimit (rreth 450 miliardë euro), duke theksuar se zgjidhja është unioni fiskal. Propozimi i ri i Merkelit ishte transferimi i pushtetit tek institucionet e eurozonës. “Nuk dëshirojmë të jemi në një situatë ku të detyrohemi të premtojmë diçka që nuk jemi në gjendje ta përmbushim”, ka  deklaruar Merkel. “Ne kemi marrë disa hapa drejt unionit fiskal, por mund të fitojmë shpejtësi dhe të jemi më të vendosur, duke iu referuar traktatit ndërqeveritar për disiplinën fiskale, i cili negociohet me 26 vendet anëtare të BE-së, përveç Britanisë. Një vlerësim nga institucionet financiare të Berlinit, të cilat shihet si “supreme” në të gjithë Europën, vlerësuan se raporti i trojkës për ecurinë e programit të stabilitetit në Greqi nuk do të jetë për samitin e ardhshëm të BE-së, më 30 janar.

Papunësia në BE
Krerët më të lartë të BE-së, presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso dhe presidenti i BE-së, Herman Van Rompuj, kanë shprehur shqetësim të madh për shifrat vazhdimisht në rritje të papunësisë së të rinjve. Barroso tha se situata ishte alarmante, duke kërkuar nga të gjitha qeveritë e unionit masa konkrete për të luftuar këtë fenomen.

© Panorama.al

Te lidhura