
Soros: Kriza e euros mund të shkatërrojë unionin politik në Europë
Kriza e borxhit të eurozonës është thelbi i diskutimeve në samitin e Davosit, në Zvicër. SHBA këtë vit ka dërguar numrin më të madh të delegatëve, 754 të tillë. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka 298 delegatë, Zvicra 205 delegatë, Gjermania 133 të tillë, India po ashtu 133 delegatë, Rusia ka 80 përfaqësues, Vatikani katër dhe Irani nuk ka dërguar asnjë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, diskutimi i së cilës pritej nga të gjithë, tha se bota ka nevojë për më shumë Europë. Merkel tha se kishte dijeni që Europa ishte etiketuar si “dhimbja e kokës” së ekonomisë së madhe botërore, por tha se ajo nuk është e vetmja. Gjithsesi, Merkel nuk përmendi problemet e tjera. Por tha se “Ne duhet të jemi gati t’i japim shumë kompetenca Europës dhe se pakti i stabilitetit e rritjes nuk është mbajtur”. Duke folur për vendet që kanë mbi 40 për qind të të rinjve të papunë, si Spanja, Merkel tha se nuk është surprizë që të rinjtë mendojnë se Europa nuk bën për ta. Ajo tha se mungon struktura politike për stimulimet e vazhdueshme për ta bërë këtë projekt të funksionojë.
George Soros, investitori miliarder, ka paralajmëruar se kriza e borxhit në eurozonë mund të shkatërrojë unionin politik të kontinentit. “Masat e paraqitura nga Banka Qendrore Europiane kanë lehtësuar problemet e likuiditetit të bankave europiane, por ato nuk shëruan disavantazhet financiare nga të cilat vuajnë vendet anëtare me borxhe të larta. Gjysma e zgjidhjes nuk mjafton. Ajo i lë të dobët anëtarët e eurozonës të zbritur në statusin e vendeve të botës së tretë, që janë të zhytur thellë në borxhe në një monedhë të huaj”, tha Soros mes të tjerash, gjatë fjalimit të tij.
© Panorama.alTakimi i miliarderëve
Samiti i Davos është kritikuar shpesh si mjet i elitës globale. 70 nga 2500 të ftuarit e takimit të Davos janë miliarderë. Pjesa tjetër thuhet të jenë thjesht milionerë. Sipas një artikulli të Mat Miller në “Bloomberg”, SHBA ka dërguar kontingjentin më të madh të miliarderëve, 20 të tillë. Mes tyre janë Steve Cohen, Ray Dalio dhe George Soros. Ndërsa India ka dërguar 16 miliarderë, një të tretën e pasanikëve në vend, kurse Rusia vetëm 12 miliarderë.











