
Kancelaria gjermane ka treguar dje nga Prishtina pikat që duhet të përmbushë Serbia në mënyrë që dera e Europës të hapet edhe për Beogradin. Pa një diplomaci fine, por me qartësinë politike të vendit që u ka thënë “jo” hapave të mëtejshëm të Serbisë në BE, Angela Merkel ka sqaruar para gazetarëve, se është dialogu dhe jo strukturat paralele ato që do të mundësojnë hyrjen në BE. Pas pritjes madhështore me Gardën e Republikës në Aeroportin e Prishtinës, vizita historike disaorëshe e kancelares gjermane ka vazhduar me takimin me Kryeministrin Thaçi dhe është pasuar me vizitën në komandon e trupave gjermane të KFOR. Në fakt, shumë analistë e kanë lidhur këtë vizitë edhe me sulmin që strukturat paralele serbe bënë në Veri ndaj forcave gjermane. Sidoqoftë, mesazhi gjerman i dhënë nga Prishtina ishte i qartë, Kosova është një shtet i pavarur dhe strukturat paralele serbe nuk kanë vend në këtë shtet.
Merkel
“Në bisedat tona me Serbinë e kemi bërë të qartë se çfarë dëshirojmë në raport me Kosovën në kuadër të përmirësimit të marrëdhënieve. Duhet të gjenden mundësitë për tregti të lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të gjenden mundësitë për një bashkëpunim ndërkufitar dhe jemi të angazhuar që Serbia në Kosovë të mos ketë struktura paralele. Këtë e kam thënë në Serbi dhe sot e thashë këtu se çfarë presim nga Kosova, e cila duhet të angazhohet që të ketë komunikim të hapur me Serbinë”, tha kancelarja Merkel. Ajo tha se ka akoma punë për t’u bërë në ndërtimin e një shteti ligjor në Kosovë, sikundër mbetet punë për t’u bërë për marrëdhënie më të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Lidhur me situatën në Veri kam biseduar edhe me Presidentin serb, Boris Tadiç, dhe i kam kërkuar që të gjenden forma të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Në këtë linjë, edhe palën kosovare e kam lutur që të japë angazhimin e saj në këtë drejtim, në mënyrë që të mbetemi në kontakt të vazhdueshëm me Serbinë dhe Presidentin Tadiç. Ne dëshirojmë që me ushtarët tanë në kuadër të KFOR-it si dhe me përfaqësuesit tanë në misione civile, të angazhohemi në mënyrë që Kosova të jetë më e sigurt. Angazhimi i ushtarëve gjermanë në Kosovë nuk është i lehtë”, tha kancelarja Angela Merkel. “Unë sot e thashë se sa është i rëndësishëm zhvillimi i Kosovës, në mënyrë që Kosova të bëhet shtet i fortë demokratik, ku sundon rendi dhe ligji dhe ku do të angazhohet për të luftuar fenomenet negative, si krimi i organizuar dhe korrupsioni. Bashkëpunimi me misionin ‘EULEX’ është shumë i rëndësishëm, dhe ky bashkëpunim nuk duhet të mbetet vetëm në letër”.
Thaçi
“Unë sot përulem para ushtarëve gjermanë që i shërbejnë paqes në Kosovë dhe u uroj atyre që u lënduan në Veri shërim dhe shëndet”, tha Kryeministri Thaçi. Ai e siguroi kancelaren Merkel se Kosova do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj, duke qenë e vendosur që të mbyllë historinë e konflikteve dhe të hapë kapitullin e zhvillimit. Sipas tij, Kosova do të jetë e përkushtuar në dialog me fqinjët në këtë mes edhe me Serbinë, dhe sipas tij, dialogu është zgjidhja e vetme për përmirësimin e raporteve me Serbinë, por që ky dialog të marrë vlerën e vërtetë, duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë.
Tadiç: Kosova, si Irlanda e Veriut
Presidenti Boris Tadiç tha dje se Serbia po shikon marrëveshjen e paqes së Irlandës Veriore si model për zgjidhjen e mundshme të konfliktit me Kosovën. Nën marrëveshjen e Paqes së vitit 1998, të njohur si “E premtja e Mirë”, qeveria e Dublinit hoqi dorë nga pretendimet për sovranitet mbi Irlandën e Veriut, duke e zëvendësuar atë me shpresën për të parë një Irlandë të bashkuar, por duke u bazuar në votimet në të dyja anët. Në një intervistë për të përditshmen e Maqedonisë “Dnevnik”, Tadiç tha se Beogradi po shikon të arrijë një marrëveshje të njëjtë me qeverinë e Prishtinës, gjë kjo që do të hiqte një pengesë në rrugën e Serbisë për t’u bërë anëtare e BE-së. “Ekziston modeli irlandez ku pavarësisht se Republika e Irlandës nuk e njeh ndarjen e integritetit territorial (me Irlandën Veriore), megjithatë është anëtare e BE-së”. Europa e Lirë, shkruan se Tadiç, po ashtu ka përmendur zgjidhje të tjera të konflikteve territoriale në Europë, përfshirë ndarjen e rajonit të Tirolit alpin, por hodhi poshtë idetë për ndarjen e Kosovës.
© Panorama.alFranca, jo kushte Serbisë për Kosovën
Ndryshe nga Gjermania, që e ka shprehur hapur veton për Serbinë, Franca ka një tjetër vizion për rajonin. “Franca nuk e kushtëzon vendimin për kandidaturën e Serbisë me njohjen e Kosovës”, ka thënë ambasadori francez në Serbi, Fransua-Ksavie Denio. “Ne insistojmë në vazhdimin e dialogut, i cili mundëson jetë më të mirë, para se gjithash për pakicën serbe në Kosovë”, u ka thënë ai gazetarëve, pas nënshkrimit të memorandumit në mes të Vojvodinës dhe rajonit francez të Bretanjës. Sipas “Europa e Lirë”, duke vlerësuar se përmes dialogut Prishtinë-Beograd janë përmirësuar shumë gjëra, ambasadori Denio ka shtuar se BE-ja për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura, i ka dhënë Beogradit edhe pak kohë për zgjidhjen e të gjitha problemeve.











