Koalicioni kristian-demokrat i kancelares gjermane, Anxhela Merkel, ka humbur zgjedhjet shumë të rëndësishme në rajonin e pasur jugperëndimor të Baden-Vuertembergut, ku partia e saj ka qeverisur për gjashtë dekada. Dhimbja më e madhe për Merkel ka qenë mundja nga të gjelbrit, duke testuar kështu pa sukses politikën nukleare të Kancelares. “Kjo është një plagë e thellë në historinë e Baden-Vuertembergut, por edhe në historinë e CDU-së”, tha Merkel. “Dhimbja nga kjo humbje nuk do të largohet vetëm me një ditë. Në do të na duhet të punojmë një kohë të gjatë, për të kapërcyer efektin e kësaj humbjeje”, shtoi ajo. Rezultatet paraprake tregojnë fitues të gjelbrit me 24.2 për qind dhe aleatët socialdemokratë me 23.1 për qind, ndërsa partia e Merkel, CDU, me 39 për qind dhe aleatët e saj, Demokratët e Lirë me 5.3 për qind. Energjia bërthamore ishte një nga çështjet qendrore të këtyre zgjedhjeve, për shkak të incidentit në centralin Fukushima Daiki në Japoni. Rajoni me popullsi prej 11 milionë banorësh është qeverisur nga kristiandemokratët prej vitit 1953. Nëse të gjelbrit formojnë një koalicion me socialdemokratët, për herë të parë do të marrin pushtetin në këtë land.











