Zbardhen kërkesat e Hulian Rubios për merkaton e janarit. Përveç emrit të Niaz Lenës, duket se trajneri është i tërhequr edhe pas dy lojtarëve të tjerë të kampionatit shqiptar. Bëhet fjalë për Gjergji Muzakën dhe Armando Vajushin, futbollistë të cilët kanë lënë shije të mirë te spanjolli, ndaj nëse realizohen, ai do të ishte shumë i kënaqur. Te Tirana kanë nisur të mendojnë seriozisht për merkaton, madje edhe emrat e parë kanë nisur të lakohen. Skuadra ka nevojë të përforcohet për të përmbushur objektivat. Ndonëse vlen të theksohet se problemi kryesor i krye-qytetasve për momentin janë financat, vetëm pasi të zgjidhet ky ngërç mund të flasin për merkato. Rubio i ka bërë publike kërkesat e tij një ditë para ndeshjes me Kamzën, ku ndonëse nuk ka përmendur emra, ai ka shprehur pozicionet ku nevojiten përforcime. Për Muzakën nuk do të ishte hera e parë që do të luante te Tirana, pasi ka qenë pjesë e bardhebluve edhe kohë më parë. Megjithatë, edhe një lëvizje e tillë duket thuajse e pamundur, duke qenë se lojtari është nën kontratë me korçarët, dhe për tekniku Stanislav Levi ai është një titullar i padiskutueshëm, ndaj një largim të tij nuk do ta pranonte lehtë. Sulmuesi i Vllaznisë mund të cilësohet si pista më e realizueshme nga emrat e përmendur më lart. Lojtari pritet që në janar të rishikojë edhe një herë kontratën e tij me klubin shkodran, ndaj edhe opsioni i Tiranës mund të ishte i preferuar prej tij. Ndërsa mesfushori shqiptaro-maqedonas është një element që pëlqehet së tepërmi nga spanjolli, madje ai emrin e tij e ka përmendur disa herë te personat që e rrethojnë. Mirëpo, kjo tratativë është paksa e pamundur, duke qenë se vetë Lena ka gjetur ambientin e duhur në Vlorë, madje edhe klubi është e vështirë që ta lërë të lirë.
Spostohet mbledhja, bordi vendos sot
Ishte menduar se mbledhja e tretë e bordit drejtues të zhvillohej dje, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Krerët e klubit e kanë spostuar atë për sot. Gjatë mesditës pritet që të përcaktohet diçka më konkrete për të ardhmen e Tiranës. Kujtojmë që lojtarët dita-ditës kanë shtuar presionin kundrejt drejtuesve, madje kanë vënë edhe afat. Nëse nuk do të ketë garanci, atëherë ata nuk do të mendohen dy herë, por do të largohen. Kujtojmë që ofertat në drejtim të tyre nuk kanë munguar, kësisoj marrja e një vendimi për të braktisur bardheblutë nuk do ishte i vështirë.











