
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi. Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha i shprehu dhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta Thaçit për ndarjen nga jeta të presidentit të nderit të kësaj partie, Arbën Xhaferi. Gjatë një prononcimi për mediat, Berisha tha se me kryetarin e PDSH-së kishte diskutuar mbi qëndrimet e kësaj partie në kuadër të garantimit të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Maqedoni. “Zoti Menduh më informoi mua mbi zhvillimet e fundit dhe disa qëndrime të forcës politike që drejton. Unë e garantova se për ne avancimi i mëtejshëm i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni është dhe mbetet një përparësi madhore, sikundër paqja dhe stabiliteti i këtij vendi, kanë një rëndësi kryesore”, theksoi Berisha. Gjithashtu, Thaçi e informoi Kryeministrin Berisha rreth zhvillimeve më të fundit politike në Maqedoni, si dhe qëndrimet politike të PDSH-së. “Pata mundësi që në takimin me Kryeministrin shqiptar, në emër të partisë që drejtoj, ta falënderoj për nderin që i bënë kryetarit Arbën Xhaferi, vetë Kryeministri dhe delegacioni qeveritar”, theksoi Menduh Thaçi.











