MEMALIAJ – Grabitet me armë përfaqësia e Western Union në qytetin e Memaliajt. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:40 të së hënës, kur një i ri nga qyteti i Memaliajt ka hyrë brenda përfaqësisë së kësaj zyre të transfertave të parave dhe ka tërhequr andej një sasi ende të papërcaktuar të hollash. Gjithçka ka ndodhur për tri minuta kur një person rreth të 30-ave ka hyrë në pikën e Western Unionit me një pistoletë në dorë dhe ka kërcënuar punonjësin e saj të dorëzonte të gjithë sasinë e parave që ndodheshin në sirtarë dhe zarfet e gjendura aty. Përfaqësuesi i kësaj pike, I.Sinanaj, 50 vjeç, i gjendur mes kërcënimit real për jetën, i ka dorëzuar paratë që kishte në zyrë. Ngjarja ka ndodhur në kohën kur Memaliaj ishte pushtuar nga një rrebesh shiu. Dyshohet se autori ka qenë i shoqëruar me një tjetër person, i cili ka pritur jashtë për ta sinjalizuar nëse mund të afrohej njeri. Këtë fakt e kanë pohuar dëshmitarë të rastësishëm, të cilët kanë pikasur jashtë dyqanit një person me çadër të zezë. Pasi kanë marrë të gjithë sasinë e lekëve në zyrën e Western Unionit, 30-vjeçari i cili guxoi të hynte i vetëm me një pistoletë në dorë, është gjendur para një mase qarkullimi makinash të rastësishme dhe i frikësuar se mos mbërriti policia, ka shtënë dy herë në ajër me pistoletë dhe u largua në drejtim të rrugës që të çon tek godina e Bashkisë së Memaliajt. Këto të shtëna shkaktuan ilaritet te njerëzit që gjendeshin aty pranë. Disa prej personave që gjendeshin në lokale, dolën menjëherë të shikonin se çfarë kishte ndodhur dhe aty mësuan se ishte vjedhur zyra e Western Union-it, e cila në një kënd të vetin shërbente edhe për shkëmbim valutor. Në vendngjarje mbërritën disa minuta më vonë forcat policore, me në krye drejtorin e Policisë Rajonale, Emri Vata dhe grupi hetimor. Për të kapur autorin e grabitjes së të hollave dhe bashkëpunëtorin e tij, Policia ka ngritur disa postblloqe në të gjitha akset rrugore dhe, përveç këtyre, ka ushtruar kontrolle në tetë banesa në qytetin e Memaliajt, ku dyshohej se mund të jetë fshehur 30-vjeçari grabitës. Nuk bëhet e ditur shuma e grabitur, por dyshohet se bëhet fjalë për më shumë së 1 milion lekë. p.n











