
Deputetja e qarkut të Fierit e PS-së, Ermelinda Meksi, lë mandatin për t’u bërë anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Në votimin e fshehtë që u zhvillua mbrëmë në orën 19:00 në Parlament, pas rreth 7 orë debatesh për ligjin e plehrave, kandidatura e propozuar nga Partia Socialiste mori 123 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenim. Paraditen e djeshme, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit, Ermelinda Meksi, la mandatin e deputetit, duke ia paraqitur atë kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho. Pas rreth 15 minutash mbledhje në Komisionin e Ekonomisë, kandidatura e Meksit i kaloi seancës parlamentare. Në momentin e votimit, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, bëri kujdes duke iu kujtuar disa herë deputetëve që kandidatura e Meksit është konsensuale dhe e pranuar nga të gjitha palët. Në përfundim të votimit, kryeparlamentarja i uroi suksese ish-deputetes së Partisë Socialiste, e cila u largua nga salla e Kuvendit e shoqëruar nga disa kolegë të saj. Brenda një periudhe të shkurtër pritet që të vijë në Parlament dekreti tjetër i Presidentit për emërimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Pas hyrjes në fuqi të vendimit, në vendin e Ermelinda Meksit në radhët e opozitës do të jetë djali i ish-deputetit të kësaj partie, Fatmir Xhindi.
“Spekulime për kandidimin tim”
kandidatja e propozuar nga PS-ja për në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës, Ermelinda Meksi, tha se “ka pasur spekulime lidhur me pozicionin politik. Jeni të gjithë në politikë dhe duhet të kemi respekt për angazhimin tonë politik, angazhim i cili nuk zeron aftësitë profesionale të gjithsecilit. Jam nga 1993 profesoreshë me dy doktoratura. I rikthehem me profesionalizëm një detyre që ka nevojë për profesionistë. Do të zbatoj nenin 47 të Bankës, ku ngrin pozicioni im aktiv politik për aq kohë sa jam në Bankë. Si politikane jam e ftohtë në këtë vendimmarrje, për herë të parë duke gjykuar me mendje”.











