Ish presidenti Meidani: Përjashtimi i Kastriot Islamit, kambanë alarmi për PS

Dec 19, 2011 | 10:25
ISH-PRESIDENTI REXHEP MEIDANI, DUKE I DOREZUAR EDI RAMES LIBRIN E REKOMANDIMEVE PER PROGRAMIN E PS NE KONGRESIN E 2009

Përgjigje Ramës për bashkimin e së majtës: Nuk ka zgjidhje pa u mbështetur në numra.

Ish-presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, i përgjigjet replikës së Edi Ramës lidhur me koalicionet e ardhshme të PS-së me LSI-në. I sapokthyer nga një konferencë në Berlin të Gjermanisë, profesor Meidani shprehet dhe për debatin e ndezur në PS që prej të premtes, kur kreu socialist, Edi Rama, kërkoi diskutimin dhe vendimin nga Grupi Parlamentar Socialist për çregjistrim të deputetit Kastriot Islami nga ky grup, për shkak të mungesës së tij në seancën e fundit parlamentare. Për ish-kreun e shtetit, përjashtimet në PS janë kambana të forta alarmi, duke e kthyer këtë parti nga një parti që tërhiqte ndër vite personalitete nga fusha të ndryshme, në një parti ku mbyllen liritë dhe konkurrenca. Për profesor Meidanin, PS-ja “duhet të vazhdojë të ushqejë shpresën e emancipimit politik të jetës partiake, pra dhe të asaj qeverisëse”. Duke iu përgjigjur kryetarit socialist, se “analizat e tij bazohen më shumë në numra dhe më pak në moral”, ish-presidenti shprehet se numrat janë pjesë e strategjive politike të partive. “Numrat duhen kuptuar, duhen ndjerë! Këtë nuk e bën lehtë kushdo, aq më pak ai që ushqen “ide mesianike” apo pretendon frymëzime të ngjashme. Në botën e sotme, siç e theksova pak më sipër, shifrat, shumë e më shumë se më parë, janë bërë një element i domosdoshëm dhe i pandashëm i qeverisjes, madje pa to nuk ka vendimmarrje adekuate politike e publike, apo qoftë dhe të vetë biznesit”, shprehet në intervistën e tij ish-kreu i shtetit.
Zoti Meidani, kreu socialist, Edi Rama, në një shkrim të tij dje hedh poshtë qëndrimet tuaja për domosdoshmërinë e një bashkëpunimi PS-LSI për të ardhur në pushtet. Rama e cilëson si një aleancë “bashkimpazar” që nuk ka moral, dhe përmes së cilës nuk ka vlerë pushteti. Si e lexuat këtë qëndrim të zotit Rama dhe a i qëndroni të njëjtit opsion se e majta duhet të jetë e bashkuar për të fituar mbi të djathtën?
Të them të drejtën nuk e di për ç’shkrim ju po bëni fjalë. Sapo jam kthyer nga Berlini dhe brenda disa minutash i mora vesh të gjitha ngjarjet e reagimet, qejf-mbetjet apo “qëndisjet” retorike në “përrallën” politike shqiptare. Nisur nga indiferenca personale, sa intelektuale po aq dhe politike, ndaj kësaj retorike apo çdo lloj euforie propagandistike, unë në intervistën time televizive fola për bashkim të së majtës, pse jo dhe duke tentuar një bashkëpunim të ngushtë me forca politike në qendër apo individë me peshë politike apo elektorale. Është detyrë e partisë kryesore të opozitës, pra e PS-së, dhe e lidershipit të saj, për të analizuar gjendjen dhe për të gjetur zgjidhjen. Veçse, analizë pa numra nuk ka! Të paktën jo më në botën e sotme të “big data”! Pra, dhe zgjidhjet, pa u mbështetur në numra, në shumën e rasteve, nuk janë fare zgjidhje! Padyshim, jo me atë llafe-turpin e “bashkimpazar”-it të përdorur në pyetjen tuaj, as me atë të shfrytëzuar në disa raste nga vetë kreu i PS-së. Aq më pak me interesa çasti e kërkesa personale pushteti, që në mjaft raste e kanë dëmtuar të majtën në përgjithësi, apo PS-në në veçanti; duke hartuar një platformë programore të përbashkët dhe duke ndërvepruar në procesin politik e elektoral në përputhje me të dhe mbi të gjitha, jo me improvizime e shfaqje mediatike, por në mënyrë të sinqertë, transparente e kolegjiale.
Në shkrimin e tij, ai madje ju kërkon që në opinionet tuaja të përdorni më pak shifra dhe më shumë moral e etikë në idetë dhe sugjerimet që jepni. Si e vlerësoni këtë qëndrim të Ramës?
Ndryshe nga kolegë që përgjigjen thjesht duke u informuar nga zona rrethuese servile, unë personalisht nuk komentoj atë që nuk e kam lexuar me sytë e mi, apo që nuk e kam dëgjuar me veshët e mi. Por, le të ecim më tutje. Numrat duhen kuptuar, duhen ndjerë! Këtë nuk e bën lehtë kushdo, aq më pak ai që ushqen “ide mesianike” apo pretendon frymëzime të ngjashme. Në botën e sotme, siç e theksova pak më sipër, shifrat, shumë e më shumë se më parë, janë bërë një element i domosdoshëm dhe i pandashëm i qeverisjes, madje pa to nuk ka vendimmarrje adekuate politike e publike, apo qoftë dhe të vetë biznesit. Bile, në ditët tona, ato po i bëjnë gjithnjë e më të vështira gënjeshtrat e politikanëve, të qeveritarëve dhe administratorëve publikë. Pse jo, në sajë edhe të medias sociale, duke fituar dita-ditës edhe elementë tepër të rëndësishëm moralë e etikë. Por, në asnjë mënyrë pseudo-etika e pseudo-morali i ngritur mbi retorikë. Ishin pikërisht këto shifra të fshehura nga politika, që rrëzuan disa qeveri në vende europiane, ku “kampion” mbetet deri tani rasti grek, me fshehje shifrash të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik në dekada. Madje, prej kësaj fshehje në Greqi ai që falimentoi nuk ishte biznesi e iniciativa private, por ishte vetë shteti, administrata e tij, ishte politika jo transparente e dy krahëve, që luajti në dekada me shifrat ekonomike-financiare, pa më të voglin moral dhe etikë!…
Në mbledhjen e parë të kryesisë së re, zoti Rama në fjalën e tij i ka hapur rrugë Grupit Parlamentar të dëgjojë dhe shqyrtojë mungesën e deputetit Islami nga seanca e fundit parlamentare, duke e cilësuar këtë mungesë thyerje të vendimit politik të Grupit Parlamentar. Si e vlerësoni këtë propozim të Ramës?
Pikërisht, te liria e vetë individëve, anëtarë apo simpatizantë të PS-së, te pranimi i kësaj lirie (në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë) dhe zgjerimi i hapësirës së saj, te diversiteti dhe liberalizmi i drejtimit të kësaj partie, kjo strukturë politike ka gjetur në vite, veçanërisht në vitet e para të tranzicionit, mbijetesën e ringritjen, forcën e vet reale dhe kurajën reaguese. Ishte ky magnet permanent, relativisht i fuqishëm, që e bëri krejt normale thithjen në gjirin e saj të intelektualëve më me zë të fushave të ndryshme, ndërtoi ekspertizën e duhur administrative-qeverisëse. Por ama, siç njihet dhe në shkencë, kur goditet mekanikisht një magnet apo ngrohet ai tej një temperature të dhënë, ai mund të çmagnetizohet, mund të humbasë forcën e vet tërheqëse; deri bëhet i pa vlerë. Kjo nuk duhet harruar! Aq më tepër për t’i shërbyer një pushteti më të madh personal!…
Zoti Islami dhe zoti Harasani kanë thyer bojkotin e PS-së në Parlament, duke marrë pjesë në seancë dhe duke votuar kundër buxhetit të qeverisë. Përse sipas jush ky qëndrim radikal i kreut të PS-së?
Kanë votuar kundër buxhetit të qeverisë? Në fakt, ky është pozicioni i çdo opozitari në shumicën e parlamenteve demokratike, kur bëhet fjalë për miratimin e buxhetit të qeverisë. Madje, në mjaft kushtetuta demokratike, kur nuk miratohet buxheti, me një përqindje të caktuar parlamentare (zakonisht 50%+1), bie qeveria dhe kalohet në zgjedhje të reja. Në këtë kuptimin e mësipërm, ata nuk kanë shkelur ndonjë “betim” të mirëfilltë të pakicës parlamentare, sepse janë sjellë tamam si opozitarë duke votuar kundër. Pra, nuk është kjo arsyeja, por ndoshta dhe ajo që mund të ndodhë më vonë, p.sh., në procesin e zgjedhjes së kryetarit të shtetit… Veçse të mos harrojmë amendamentet kushtetuese, që ia hoqën PS-së kartën e fortë në zgjedhjen e Presidentit, nuk i ideuan Islami e Harasani, por z. Rama, siç ka pohuar vetë ai në atë kohë…
Zoti Islami është pjesë e lidershipit të PS-së që në krijimin e saj, kryetari i parë i Parlamentit pluralist, por dhe me karrierë dhe kontribute 20-vjeçare në këtë parti. Me çregjistrime të tilla, cili është mesazhi që jepet brenda në PS, në opinionin e brendshëm, por dhe atë të jashtëm?
Pyetja e juaj, për fat të keq, qoftë dhe si “paradhënie”, flet shumë. Kjo nuk është më punë mesazhi. Por dhe nëse tentohet thjesht trysnia, është përsëri shumë! PS-ja ishte dhe duhet të  mbetet simboli i ndryshimit, ajo duhet të vazhdojë të ushqejë shpresën e emancipimit politik të jetës partiake, pra edhe të asaj qeverisëse. Çdo prirje në drejtim të kundërt mund të bëhet mbytëse për vetë politikën, deri duke e shkëputur më tepër prej qytetarit. Kjo është, në thelb, një kambanë alarmi!…
Duket se ka një tendencë që deputetë të PS-së të dorëzojnë mandatin dhe të gjejnë veten në profesionin e tyre apo dhe në detyra të tjera, duke lënë në mes një karrierë dhe një investim 20-vjeçar, si rasti i zonjës Meksi, i zonjës Seseri, apo dhe i zotit Majko. Mendoni se PS-ja duhet të hapë një debat rreth kësaj tendence, dhe sipas jush cilat janë shkaqet e mbylljes së karrierave politike në këtë mënyrë?
Mesa kam kuptuar nga biseda me znj. Meksi, kalimi i saj në Bordin Drejtues të Bankës së Shqipërisë ishte dhe dëshira e saj. Madje, ajo dukej entuziaste për kryerjen e një detyre të tillë, të paktën në këtë periudhë të parë. Për dy deputetët e tjerë, znj. Seseri dhe z. Majko nuk kam ndonjë të dhënë konkrete… Madje, për mua ky informacion është i ri, padyshim nëse është i vërtetë. Sidoqoftë, problemi që ju ngrini është tepër i rëndësishëm, sidomos për dy partitë kryesore politike. Meqë njoh shumë më mirë PS-së, mund të rreshtojë një mori emrash, që për “interesa” apo pakënaqësi të njërit kryetar apo tjetrit, janë lënë jashtë loje, ose e thënë me “gjuhën” tuaj, iu janë mbyllur karrierat politike. Pa pretenduar saktësi, po kujtoj këtu p.sh. emrin e Ilir Zelës, Maqo Lakrorit, Bardhyl Agasit, Moikom Zeqos etj., që gati janë lënë sot në harresë, edhe pse potencialet e tyre intelektuale, politike e profesionale; qëndrueshmëria individuale, etika e morali i tyre partiak e qeverisës, kanë kuota shumë më të larta përkundrejt disa “prurjeve” të reja. Kjo duhet parë, dhe detyrimisht kjo duhet ndrequr!…

Editoriali
Në editorialin e së shtunës, kreu i PS, Edi Rama, iu përgjigj për herë të parë kritikave të ish-presidentit Meidani, i cili ka përsëritur në shkrimet e tij domosdoshmërinë e aleancës zgjedhore të PS me LSI si rruga e vetme për të ardhur në pushtet. Sipas Ramës, koalicionet kërkojnë jo vetëm numra, por dhe moral e etikë. Në këtë editorial Rama nuk la jashtë vëmendjes dhe debatin që u bë për përzgjedhjen e kandidaturës së Avokatit të Popullit dhe rezervave të shprehura nga personat që ishin në garë.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura