Kreu i PS s’është konsultuar me ish-presidentin dhe ish-kryeministrin.
Kryesocialisti Edi Rama nuk është konsultuar më parë me anëtarët e Këshillit Politik të PS, që e emëroi të premten e shkuar në mble-dhjen e Asamblesë Kombëtare. Burime pranë PS pohuan se me propozimin e tij, Rama ka shprehur një ide të huazuar nga partitë europiane, por dhe nga këshillimet e personave afër tij për të angazhuar figura të tilla si Meidani, Bufi, Brokaj e Pëllumbi në një grup të urtësh, me të cilët pritet të konsultohet për çështje parimore. Por, personalitetet e hershme të PS mësohet se nuk janë konsultuar nga Rama nëse duan të jenë pjesë e një këshilli të tillë partiak. Madje ata s’kanë pasur fare dijeni për një organizim të tillë të personaliteteve me përvojë në këtë parti. Në përbërje të këtij këshilli janë figurat e njohura dhe me përvojë në këtë parti, duke u kryesuar nga vetë Rama. Në të janë ish-presidenti Rexhep Meidani, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, ish-kryeministri, Ylli Bufi, por dhe shumë nga figurat themeluese të PS-së. Maqo Lakrori, Sabit Brokaj, Luan Hajdaraga, Gramoz Ruçi, Pandeli Majko etj., janë pjesë e këtij grupi. Gjithashtu dhe ish-ambasadori Bashkim Zeneli, me përvojë të gjatë në diplomaci, do të jetë pjesë e këshillimit në këtë grup. Por, kryesocialisti ka lënë jashtë këtij këshilli ish-kryeministrin socialist Fatos Nano. Mungesa e Nanos nuk ka kaluar pa komente në radhët e PS. Deputeti socialist, Andis Harasani, u shpreh dje se “është e pakuptueshme që në grupin e të urtëve të PS mungon ish-kryetari i saj, Fatos Nano”.
Rama
Përbërja e këtij këshilli duket se është lidhur me vetë funksionet që kanë luajtur anëtarët e tij. Kryesocialisti Rama, në fjalën e tij prezantuese të Këshillit Politik të PS-së në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, tha se përvoja e gjatë e anëtarëve të tij në PS e bën të arsyeshme ngritjen e tij. “Një strukturë këshillimore e njerëzve më me përvojë, thënë ndryshe ajo që hera-herës është kërkuar si një këshill të urtësh. Ky këshill duhet të institucionalizohet dhe mblidhet sistematikisht në prani të kryetarit të partisë domosdoshmërisht dhe të tjerë përfaqësues të partisë, sipas rastit dhe nevojës, për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar. Në kushtet kur më shumë se asnjëherë është e domosdoshme një sinergji e re dhe sa më e plotë me sa më shumë protagonistëve të jetës së kësaj partie, nga më të moshuarit tek më të rinjtë”, u shpreh Rama. Sipas tij, roli i tyre në këtë Këshill lidhet ngushtë me përvojën e tyre të gjatë në situata të ndryshme që PS ka kaluar. “Besoj se protagonizmi në vijueshmërinë e jetës së partisë, qysh nga lindja deri sot, si edhe rolet e larta drejtuese në parti e në qeveri dhe eksperienca e gjatë si anëtarë të organizatës sonë, përbën një kriter të arsyeshëm për ta formësuar këtë këshill politik. Pavarësisht se disa prej anëtarëve të tij mund të jenë sot në një aktivitet të reduktuar, ndërkohë që disa të tjerë janë në aktivitet të plotë politik dhe publik”, u shpreh Rama në fjalën e tij, duke treguar arsyet pse ai ngrihet dhe funksionet që do të kryejë.
“Grupi i të urtëve” është praktikuar për herë të parë nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Ish-kreu i shtetit angazhoi personalitetet më të spikatura në fushat e tyre për t’u konsultuar dhe dhënë mendimet e tyre lidhur me reformën zgjedhore në vitin 2004. Aleksandër Meksi, Aleks Luarasi, Alfred Uçi, Aurela Anastasi, Dritëro Agolli, Luan Omari, Lutfi Dervishi, Njazi Jaho, Rustem Gjata, Sabri Godo e Ylli Popa ishin në përbërje të “Grupit të të urtëve” të ish-kreut të shtetit.
ARISTIR LUMEZI
“Mjaft” i mbushnin militantët e PD











