Ish-presidenti Rexhep Meidani deklaroi dje se situata në vend është kritike. Sipas tij, duhet të presim vendimin e Kolegjit Zgjedhor. “Duhet të presim edhe rezultatin e Kolegjit Zgjedhor, ndërkohë që në gjykimin tim, mbështetur edhe në Kodin Zgjedhor, ka disa rregullime të domosdoshme që duhet të kishin ndodhur në këtë Kod. Kam përshtypjen se nga pikëpamja ligjore, ishte një gabim i Komisionit Zgjedhor, në mënyrë të veçantë një vendimmarrje me katër vota, pa një pjesëmarrje politike të përfaqësimit të tre anëtarëve të tjerë të KQZ-së. Në vendimmarrje të tilla kërkohet konsensus për të mos ngarkuar politikën shqiptare, përkundrazi, për të mbështetur politikën në zhvillimin institucional të vendit. Në këtë situatë, KQZ vetëm e ngarkoi më tepër këtë politikë. Në pozicionin që po flas, mbështetur mbi ligjin mbi Kodin e Zgjedhjeve, do të thosha që KQZ i kaloi kapacitetet e veta ligjore aktuale, ndërkohë që të shpresojmë që Komisioni do ta ndiejë këtë trysni për të korrigjuar gabimet që ka bërë deri tani”, tha Meidani. Sipas tij, vota e qytetarit duhet numëruar, por kjo lidhet gjithmonë me bazë ligjore, nga e cila përcaktohet votimi dhe vota e qytetarit. “Gjithmonë na duhet një bazë ligjore dhe në planin zgjedhor, natyrisht, duhet një bazë. Të mos harrojmë se një qeverisje e mirë lidhet, pa dyshim, me respektimin e një baze ligjore. Këtë duhet të ketë parasysh politika dhe këtë duhet ta realizojë me mirëbesim”, tha Meidani. Përsa i përket kontestimit të zgjedhjeve, Meidani deklaroi se “është një pjesë e një trysnie politike, tension politik, por të mos harrojmë se origjina e kësaj trysnie vjen nga mosbesimi mes forcave politike. Nëqoftë se forcat politike nuk do të kenë besim ndaj njëri-tjetrit, atëherë do të krijojnë gjithmonë situatat të tilla që janë shqetësuese për qytetarin, i cili voton me orientimin e tij në mënyrë të drejtë”. m.s
“Rënie-ngritjet e demokracisë”
Deklaratat ish-presidenti i bëri në Fakultetin e Shkencave të Edukimit në Elbasan, për të promovuar librin e tij të fundit dalë në treg disa muaj më parë “Rënie-ngritjet e demokracisë”. Përpara këtij auditori, ish-presidenti foli për krijimtarinë e tij në veçanti për librin e fundit. Gjatë këtij promovimi Meidani i është përgjigjur një sërë pyetjesh të gazetarëve të cilat konsistonin në situatën politike në vend.











