Mediu: Kthimi i tokës në zonat e thella, do të zbusë varfërinë

May 28, 2011 | 10:35
Konferenca e djeshme

“Varfëria në zonat e thella do të zbutet nëse do të bëhet e mundur jo vetëm kthimi i tokës për banorët, por dhe të punohet me strategji të qarta për të mos e dëmtuar. “Këtë deklaratë bëri dje gjatë Konferencës Ndërkombëtare mbi sigurimin e të drejtave mbi tokën për të varfrit, ku dhe u kërkoi institucioneve të pushtetit vendor që të jenë të përgjegjshëm në dhënien e çdo leje të shfrytëzimit të tokave. Ministri i Mjedisit tha se transferimi i pyjeve dhe kullotave në drejtim të pushtetit vendor ka dhënë rezultatet pozitive, pasi sipas Mediut, ka më pak pyje të prerë pa kriter dhe më shumë përkujdesje. Në Konferencën e organizuar nga koalicioni ndërkombëtar për tokën, ministri Mediu theksoi se Shqipëria po harton dhe plane pune, që toka të mos dëmtohet si pasojë e ngrohjes globale. Sfida globale kundrejt ndryshimeve klimatike është edhe sfidë e vendit tonë dhe për këtë arsye Mediu ka kërkuar bashkëpunim me të gjitha institucionet. “Procesi i transferimit të pyjeve dhe kullotave në drejtim të komunave ka qenë një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarrë nga qeveria shqiptare e shoqëruar me politika të reja për zhvillimin e qëndrueshëm dhe multifunksional për pyjet”, është shprehur Mediu. Për ta realizuar është kërkuar bashkëpunim me të gjithë përdoruesit, individët, fshatrat, komunat. Sipas ministrit,  procesi i transferimit nuk ka qenë një proces i thjeshtë. Sipas ministrit të Mjedisit, erozioni i tokës është një tjetër çështje me të cilën përballet Shqipëria, e cila klasifikohet si një nga vendet mesdhetare me nivelin më të lartë të erozionit nga 21.4, në 34.7 ton /ha për vit.

© Panorama.al

Te lidhura