
PRISHTINE- Të shqetësuar me hyrjen në fuqi të rregullores për qasjen e mediave në Kuvendin e Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës(AGPK) u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve gazetarë dhe mediave të vendit që të bojkotojnë punën e Parlamentit të Kosovës.
“Bojkoti hyn në fuqi duke filluar nga dita e sotme, 21 dhjetor 2011, dhe mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër’, thuhet në një komunikatë të AGPK-së.
Kjo rregullore është miratuar në Kryesinë e Kuvendit, nga të gjitha subjektet politike pralamentare dhe si e tillë – sipas AGPK – tregon se ato nuk janë të interesuara për të krijuar kushte për punën e gazetarëve.
AGPK thekson se është e gatshme që me Kryesinë e Kuvendit ta diskutojë qasjen e gazetarëve në ambientet e parlamentit, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për gazetarët.
“AGPK në konsultim më anëtarët gazetarë në të gjitha mediat e Kosovës, vlerëson se rregullorja është diskriminuese dhe pengon punën e gazetarëve. Si e tillë ajo duhet të shfuqizohet dhe të hidhet në shqyrtim”.
AGPK po ashtu thekson se, në të gjitha takimet që ka pasur me përfaqësues të Kuvendit të Kosovës dhe me institucione tjera vendëse e ndërkombëtare, ka shprehur kundërshtimin për këtë rregullore.
Megjithatë, përmbajtja e këtij dokumenti, sipas AGPK, është hartuar pa e marrë parasysh vullnetin e gazetarëve dhe kontributet e tyre në disa punëtori gjatë hartimit të rregullores.(zëri)
© Panorama.al











