Mediat shqiptare kundër fyerjeve maqedonase

Jan 25, 2012 | 17:26
Gazeta KOHA

SHKUP- Vetëm një ditë pasi radio Shkupi, programi në gjuhën shqipe lajmëroi se nuk do të jepte asnjë informacion për kombëtaret maqedonase të çdo lloj sporti, sot kësaj nisme i është bashkuar edhe një prej të përditshmeve më të lexuara në shqip në Maqedoni, gazeta Koha.

Në një shënim redaksional, gazeta Koha shpjegon se, “si rezultat i ofendimeve të vazhdueshme të simpatizantëve të përfaqësuese së Maqedonisë ndaj shqiptareve në të gjitha ndeshjet sportive, por edhe të vetë hendbollistëve të kombëtares maqedonase në Kampionatin Evropian që po mbahet në Serbi, kolegjiumi redaktues i gazetës KOHA, ka vendosur që të bojkotojë të gjitha aktivitetet sportive të hendbollistëve, por edhe të kombëtareve të Maqedonisë në sportet tjera.”

Sipas tyre, kjo është forma e vetme e protestës, siç thekson gazeta,  kundër jashtëqitjeve raciste të spektatorëve maqedonas kundër kombit shqiptar.

Nëpërmjet këtij shënimi redaksional gazeta ka kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të evituar përshkallëzimin e situatës në vend dhe daljen e saj nga kontrolli.

Kërkesat e parashtruara nga gazeta Koha

– Qeveria të mos bëhet e shurdhër, por të reagojë dhe ta dënojë veprimin primitiv dhe thirrjet raciste të huliganëve maqedonas

– Qeveria të ndalë çfarëdo lloj përkrahje financiare me paratë e buxhetit të shtetit dhe të mos financojë racizmin ndaj shqiptarëve

– Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) përfundimisht të respektojë Ligjin, duke sanksionuar racistët maqedonas sipas ligjeve në fuqi, e jo t’i zbatojë ato në mënyrë selektive dhe gjithmonë ekspeditive vetëm kur ato shkelen nga shqiptarët. Ka disa muaj që në Prilep, publiku brohoriste parulla “dhoma gazi për shqiptarët” dhe përkundër video xhirimeve në HD, ajo deri sot nuk ka ngritur asnjë padi penale, sikurse veproi me djegien e flamurit në Strugë, apo me vizatimin e hartës së Shqipërisë etnike në Tetovë

– Nëse kjo nuk ndodhë së shpejti, ftojmë edhe zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Bajrami, të japë dorëheqje të parevokueshme dhe të mos qëndrojë aty kot, duke legjitimuar zbatimin selektiv të ligjit

– Federatat sportive në Maqedoni, menjëherë të dënojnë aktet vandale dhe racizmin nëpër arenat sportive, dhe të ndëshkojnë të gjitha klubet, spektatorët e të cilëve shërbehen me brohoritje raciste

– Zëvendësdrejtori i Agjencionit për Rini dhe Sport, nëse nuk mundet të ndikojë që institucioni që përfaqëson të distancohet dhe të marrë masat e duhura në këtë rast, atëherë e ftojmë atë të dorëheqje nga posti që mban

– Federata Evropiane e Hendbollit menjëherë të marrë masat e duhura për të ndëshkuar reprezentacionin e Maqedonisë për sjelljen anticivilizuese të disa lojtarëve të saj, por edhe të vetë publikut maqedonas në Beograd dhe në Nish. Në të kundërtën, kjo federatë do të jetë bashkëfajtore për stimulimin e racizmit që u manifestua në evenimentin e organizuar nga vetë ata dhe për këtë, do t’i padisim në gjykatat përkatëse evropiane

– Partitë politike që formojnë koalicionin qeveritar, por edhe ata të opozitës, të dënojnë qartë dhe ashpër racizmin ndaj shqiptarëve, në të kundërtën, do të konsiderojmë se ata në heshtje përkrahin këtë dukuri

– Organizmat ndërkombëtarë në Maqedoni, si dhe përfaqësitë diplomatike të vendeve të akredituara në vendin tonë, të kuptojnë pasojat nga heshtja që kanë zgjedhur, të dënojnë racizmin e manifestuar, si dhe të luajnë rolin e tyre në vetëdijesimin e institucioneve shtetërore që tolerojnë dhe stimulojnë këto dukuri të rrezikshme për sigurinë e vendit dhe rajonit

– Kolegët tanë maqedonas, nëse nuk kanë guxim t’i dënojnë, së paku të informojnë opinionin e tyre për brohoritjet raciste të publikut maqedonas në Nish dhe Beograd

– Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) duhet të dënojë këtë sjellje të mediave maqedonase dhe t’ju bëjë apel që të jenë në nivel të detyrave të profesionit që kanë zgjedhur

Më tej gazeta shton se nëse nuk do të ketë një reagim të shpejtë, atëherë do të kërkojë nga sportistët shqiptarë që luajnë në përfaqësueset e tjera të Maqedonisë, të mblidhen dhe të protestojnë në një vend duke hedhur fanellat e tyre në një kazan plehrash. Njëherësh, për këta sportistë do të kërkojmë t’u jepet shtetësia shqiptare dhe të mbrojnë ngjyrat e përfaqësueses së Shqipërisë.

© Panorama.al

Te lidhura