Shqipëria i ka bërë një nder Francës. Kështu është konsideruar më së shumti nga mediat franceze, por jo vetëm fitorja e kuqezinjve ndaj Bjellorusisë. Mediat i kanë bërë jehonë fitores së paparashikuar, kjo dhe për faktin se rezultati indirekt shkoi në favor të Francës. Media prestigjioze “L’equipe” në editorialin e saj falënderon lojtarët e Kuzhesë që ndalën bjellorusët, skuadër kjo që i mundi në ndeshjen e parë në “Parc de Princes” në Paris. Ndërsa ‘Goal.com’ kishte si titull në shkrimin e vet: “Blutë mund të falënderojnë Shqipërinë”. “Në fakt, – shkruan ‘Goal.com’, – falë fitores së ngushtë të Shqipërisë përballë Bjellorusisë (1-0) të shtunën, gjatë eliminatoreve të Euro 2012, blutë kanë tani katër pikë avantazh nga ndjekësit në Grupin B”. Sakaq portali francez, ‘Chronofoot.fr’ e kishte titulluar shkrimin: “Shqipëria rigjen besimin”. “Përpara takimit, – shkruan ‘Chronofoot.fr’, – Lorik Cana kishte deklaruar që ekipi i tij synonte një vend në ‘play-of’ gjatë këtyre eliminatoreve”, duke iu referuar kështu një interviste të kosovarit një ditë para ndeshjes për “equipe.fr”.
Bjellorusët
Mediat bjelloruse e kanë komentuar gjatë humbjen e skuadrës së tyre me Shqipërinë (1-0). Portali sportiv, ‘Champ.by’, citon deklaratën e Hamdi Salihit, autorit të golit të vetëm të ndeshjes. Veç kësaj, analistë të ndryshëm dhe thuajse të gjitha mediat sportive, por jo vetëm, kanë vënë me shpatulla pas murit lojtarët dhe në mënyrë të veçantë mbrojtësit Mirtinoviç dhe Shitov. Dy mbrojtësit janë vlerësuar me notat më të ulëta, si dhe janë bërë përgjegjës për gafat e shumta në mbrojtje. Ndërkaq, i ka shpëtuar kësaj “gijotine” vetëm portieri Veremko, i konsideruar si i vetmi që ruajti nderin e bjellorusëve.











