Media izraelite: Hamasi po merr pjesë fshehurazi në formimin e qeverisë së ardhshme teknokrate në Rripin e Gazës!

Oct 21, 2025 | 15:32

Hamasi po merr pjesë fshehurazi në formimin e një qeverie të ardhshme teknokratike në Rripin e Gazës, duke shkelur kështu planin e paqes të Donald Trump.

hamasi

Ky është raportimi që ka bërë së fundmi stacioni televiziv shtetëror izraelit “Kan”. Sipas informacioneve, Hamasi ka zgjedhur rreth gjysmën e ministrave të qeverisë teknokratike që do të formohet, duke zgjedhur njerëz që mbështesin – jo në mënyrë eksplicite dhe publike – organizatën dhe parimet e saj.

Autoriteti Palestinez zgjodhi gjysmën e mbetur të qeverisë, sipas transmetuesit shtetëror, dhe ndërmjetësit arabë janë në dijeni të pjesëmarrjes së Hamasit në formimin e qeverisë së ardhshme në Gaza.

Në fakt, kjo do t’i lejojë Hamasit të ruajë njëfarë kontrolli mbi Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës. Kujtohet se plani 20-pikësh i Trump përjashton Hamasin nga qeverisja direkte ose indirekte e Rripit të Gazës në të ardhmen.

Në të njëjtën kohë, Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë izraelitë, kanë theksuar në pothuajse çdo deklaratë se Izraeli është i vendosur të arrijë eliminimin e plotë ushtarak dhe politik të Hamasit nga Rripi.

© Panorama.al

Te lidhura