Më parë dialog me vetveten

Mar 10, 2011 | 10:23

NEXHMEDIN SPAHIU

Debati i djeshëm për dialogun me Beogradin në Parlamentin e Kosovës nxori në pah shumë gjëra pozitive e negative për Kosovën. Edhe pse një pjesë e deputetëve, në mos shumica e tyre, janë të zgjedhur me vota të vjedhura, kualiteti i këtij Parlamenti përkundër mungesës së Driton Talit, Naim Rrustemit, Besa Gaxherrit, Gani Gecit etj., tejkalon atë paraprak. Diskutimet përgjithësisht ishin të nivelit, por nuk munguan as shkarjet. Diskutimi i Sabri Hamitit ishte një diskutim i pjekur dhe i përgjegjshëm, i denjë për një Parlament serioz. Padyshim, diskutimi më i qëndrueshëm ishte ai i Fatmir Limajt. Diskutimi i Albin Kurtit përmbante me saktësi matematikore objektivin dhe strategjinë e Beogradit, që synon ta arrijë përmes këtij dialogu. Albini e tha edhe një të vërtetë të madhe, kur tha se Prishtinës i duhet dialogu me Tiranën. Në fakt, Prishtina jo vetëm që ka probleme me Beogradin, por ka edhe me Tiranën, e më së shumti me vetveten. Kjo nuk është vetëm metaforë.
Dialogu me Tiranën
Dialogu me Tiranën ka pasur mundësi të zhvillohet edhe në kohën  e UNMIK-ut, e aq më tepër pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Politikanët e Tiranës e të Prishtinës kanë bërë poza patriotike të përbashkëta në Tiranë e Prishtinë, por dialogu konstruktiv, frytdhënës dhe integrues ka munguar. Këtë askush nuk e ka penguar pos budallallëkut tonë. Edhe pse si nga Kosova, si nga Shqipëria kërkohen standarde europiane në rrugën për BE, bashkëpunimi i Tiranës dhe Prishtinës le shumë për të dëshiruar. Më pozitivja që mund të thuhet është se Tirana si në kohën e socialistëve, po ashtu në kohën e demokratëve, emëroi ambasadorët e vet më të mirë të mundshëm në Prishtinë. Por kjo nuk mjaftoi që patatet apo rrushi i Kosovës të shitet në Shqipëri, apo që hartohen plan-programe të përbashkëta shkollore, apo edhe të shpallën tenderë të përbashkët për tekste shkollore, të krijohen ambasada të përbashkëta etj., gjëra këto me interes të të dyja palëve. Është e qartë se më shumë bëhen deklarata patriotike se sa punë e veprime patriotike, nëse përjashtohet këtu ndërtimi i autostradës. Prishtinës vërtetë i duhet dialog i përnjëmendtë me Tiranën në rrugën e saj për në BE. E ky dialog i duhet edhe Tiranës.
Por dialogu me Tiranën nuk mjafton. Prishtinës i duhet të dialogojë edhe me Maqedoninë edhe me Malin e Zi, por sidomos me Serbinë. Këtë në mënyrë elokuente e elaboroi Fatmir Limaj.
Por a jemi të gatshëm të dialogojmë me Beogradin?
Jo. Këtë më së miri e dëshmojnë deklaratat e Kryeministrit dhe disa politikanëve tjerë, që thonë se në këtë dialog po shkojmë si dy shtete.
Ky nuk është dialog mes dy shtetesh, sepse Beogradi nuk e njeh Kosovën si shtet. Njeh një lloj autoriteti politik të Prishtinës, por jo në cilësinë e shtetit. Ndërsa Kosova e njeh Serbinë si shtet. S’ka se si mos ta njohë Serbinë si shtet, kur ajo njihet nga tërë bota që nga 13 korriku i vitit 1878. Për më tepër që Kosova, pa vullnetin e saj, ishte pjesë e shtetit serb që nga 1912 e deri më 1999, me përjashtim të kohës së dy Luftërave Botërore kur Kosova ishte pjesë e Shqipërisë.
Pra, këto bisedime në formë do të jenë bisedime të një shteti (Serbisë) me një autoritet politik, që pjesërisht (nga afro 1/3 e kombeve të botës) njihet si shtet (Kosova).
Por, a do të thotë që Kosova përderisa të mos njihet si shtet, të mos dialogojë me Serbinë?!
Jo. Ky është gabimi i qasjes së Albin Kurtit. Kosova nuk e ka luksin të injorojë bashkësinë ndërkombëtare, jo vetëm për faktin se është e vogël, 2 milionëshe, por edhe sikur t’ishte 200 milionëshe, ajo nuk është Iran e as Serbi, që kanë tradita të forta shtetërore dhe i bëjnë ballë presionit ndërkombëtar. Shkuarja ndesh me bashkësinë ndërkombëtare do t’ishte fatale për jetëgjatësinë e shtetit të Kosovës. Prandaj, këtu Fatmir Limaj është më në terezi se Albin Kurti. Kosova është shumë vonë me përgatitjet e saj për dialog me Beogradin (më saktë duhet thënë s’është kurrkund), por refuzimi i dialogut është akoma më fatal.
Me çka mund të matet suksesi dhe me çka dështimi i këtyre bisedimeve?
Sukses për Kosoven kishte me qenë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, duke përfshirë këtu edhe njohjen e pavarësisë nga Beogradi në fund të këtyre bisedimeve. Dështim për Kosovën kishte me qenë ndarja e Kosovës në dy entitete politike, përkatësisht shnëdrrimi i saj në një federatë mes Republikës Serbe e asaj
Shqiptare, qoftë ky si kompromis që do të sillte njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Në paraqitjen e tij, Kryeministri nuk e përjashtoi këtë mundësi. Ai vuri vijat e kuqe tek paprekshmëria e kufijve, integriteti territorial e sovraniteti, por jo edhe tek uniciteti i shtetit të Kosovës. Këtë të fundit duhet ta përmbajë me doemos rezoluta eventuale e Parlamentit të Kosovës.
Kështu si është puna tani, gjasat janë shumë të mëdha që Kosova më parë të dështojë se sa të arrijë sukses.
Suksesi nuk varet vetëm nga ekipi negociues, po nga puna e institucioneve të Kosovës në terren, sado që edhe tek ekipi puna çalon. Serbia ka caktuar për shef ekipi një zyrtar të rangut të shtatë, drejtor drejtorie që vjen në rang pas presidentit, kryeparlamentarit, kryeministrit, zv/kryeministrit, ministrit, zv/ministrit. Kurse Kosova ka caktuar një zyrtar 3 rangje më lart – zv/kryeministre. Që këtu fillon pabarazia në këto bisedime, e shkaktuar nga vetë vendimi politik i kryeministrit e jo nga ndonjë arsye objektive.
Përparësia e Kosovës
në bisedime – Behgjet Pacolli
Kosova në këto bisedime ka një përparësi ndoshta të vetme – Presidentin Pacolli. Gatishmëria dhe thjeshtësia e tij për të dialoguar është përparësi e madhe. Ai ka edhe një përparësi që opinioni në Kosovë ia sheh për mëkat – ka biseduar me Millosheviqin. Njeriu që ka biseduar me Millosheviqin e ka shumë më të lehtë të bisedojë me Boris Tadiqin. Ç’është e vërteta, orvatja e Pacollit me Millosheviqin, edhe pse konsiderohet e dështuar ka luajtur rol pozitiv, sepse u mundësoi amerikanëve që t’i takonin Rugovën me Millosheviqin. Qëllimi amerikan ishte që Beogradin e Prishtinën t’i bënin palë bisedimesh për agjendat e mëvonshme. Rroli i Pacollit ka konsistuar në bartjen e mesazhit të Boris Jelcinit për Millosheviqin. Ky ishte një rrol pozitiv.
Por afiniteti i Presidentit Pacolli dhe biografia e tij nuk janë aspak garancë për suksesin e Prishtinës në dialog. Gjendja dhe aktivitet në terren janë vendimtarët në këtë drejtim.
Çfarë në fakt do të duhej t’ishin veprimet e terrenit?
Ja ta zëmë, kur në agjendë të futet çështja e targave të automjeteve, nëse Beogradi tregohet i ngurtë për lëshime në këtë drejtim, qeveria e Kosovës do të duhet të jetë e gatshme ta ndalojë qarkullimin e automjeteve të Serbisë për të imponuar reciprocitet. Kështu me radhë për të gjitha çështjet dhe nëse puna në terren vijon me sukses, Beogradit i imponohet agjenda e Prishtinës.
Prishtina nuk mund
të imponojë agjendë të vetën, nëse atë nuk e ka
Edhe sikur ta ketë agjendën e vet qeveria e Kosovës, atë nuk mund ta imponojë në dialogun me Beogradin, në qoftë se nuk këshillohet me shtetet aleate dhe nuk bashkërendon me opozitën e me shoqërinë civile. E bashkërendimi nuk bëhet pa dialog të brendshëm.
Prandaj, Prishtinës para se dialogu me Tiranën e Beogradin i duhet dialogu me vetveten.
Në këtë drejtim, diskutimi i djeshëm në Parlamentin e Kosovës ishte frytdhënës. Refuzimi i votimit të rezolutave të propozuara dhe kërkimi një rezolute të re e ngriti pazarin Kosovës në prag të dialogut të pashmangshëm me Beogradin. U bë hapi i parë shumë i vonuar, por i domosdoshëm – dialogu me vetveten.

© Panorama.al

Te lidhura