Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një tjetër postim në rrjetin e tij social Facebook, përmes të cilit ndan detaje të tjera nga takimi prej 7 orësh që Rama dhe Balluku mbajtën dy ditë më parë në Kryeministri, pasi GJKKO vendosi masat pezullim nga detyra dhe bllokim të pasaportës për zv.kryeministren Belinda Balluku.
Sipas Berishës drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror Vlora Hyseni është vënë në krah të Belinda Ballukut.
Berisha shkruan se gjatë debatit 7 orësh me Edi Ramën në Kryeministri, Balluku ka kërkuar me insistim që të mos emërohet askush tjetër në vendin e saj.
“Më jep kohë se e zgjidh vetë në Gjykatën e Lartë, mos emëro dikë tjetër në vendin tim”, citohet t’i ketë thënë Balluku Ramës, sipas Berishës.
Berisha ngriti gjithashtu pyetje për një lidhje të mundshme mes SHISH dhe Gjykatës së Lartë, duke aluduar në ndërhyrje të mundshme në favor të Ballukut dhe të tjerëve në lidhje me vendimet e gjykatës.
Në postimin e tij, Berisha shkruan:
“Breaking News! Vesh i mureve informon: Vlora Hyseni në krah të Lubisë! A ka ndërhyrë SHISH personalisht tek 5 gjyqtare të GJL për të favorizuar Llagamin me porosi të kryeministrit dhe a do përdorë këtë shantazh edhe për Belën?”
Postimi i plotë i Sali Berishës:
Breaking News!
Veshi i mureve informon:
Vlora Hyseni në krah të Lubisë!
Në debatin 7 orësh përveç të tjerash Lubia ka kërkuar me insistim: “Më jep kohë se e zgjidh vetë në Gjykatën e Lartë, mos emëro dikë tjetër në vendin tim”.
Lidhja e Lubisë me Gjykatën e Lartë është Vlora Hyseni (SHISH). Pyetja eshte: a ka ndërhyrë tek 5 gjyqtare të GJL personalisht SHISH për të favorizuar Llagamin me porosi të KM duke i shantazhuar? A do përdorë këtë shantazh dhe për Belen?
Kujtojmë se GJKKO konfirmoi sot pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i zv.kryeministres dhe ministres se Infrastruktures.
Gjithashtu, ndaj administratorit të KESH, Erald Elezi dhe drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli është lënë në fuqi masa “arrest shtëpie”.
E para që u largua nga ambientet e GJKKO-së ishte Belinda Balluku, e cila vendosi të kyç gojën para mediave.
Menjëherë pas saj është larguar edhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, që gjithashtu nuk foli për gazetarët.
“Belinda Balluku patjetër do të ankimojë masën sepse nuk mund të paraqitet në zyrë. A do të japë dorëheqjen dhe nëse jo, a do e shkarkojë Kryeministri? Dhe pyetja tjetër është se çfarë do të vendosë Kushtetuesja”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.
Zv.kryeministrja e pezulluar, përveç tunelit të Llogarasë është nën hetim edhe për tenderin abuziv në Unazën e Madhe.
SPAK sqaroi se ndaj të pandehurës Belinda Balluku rëndojnë akuzat për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Seanca nisi rreth orës 09:00, por u ndërpre për dy orës pas gati 40 minutash. Gjatë kësaj kohe, Belinda Balluku u largua nga GJKKO për t’u rikthyer sërish më vonë.
Ajo u largua rreth orës 14:40, ku gjyqtari Erion Çela vendosi të lërë në fuqi masat e sigurisë.
Gjyqi u zhvillua për marrjen në pyetje të 3 të pandehurve, si edhe verifikimin e kushteve, kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit Belinda Ballukun, Gentian Gjylin e Erald Elezin.
Vendimi i GJKKO:
- Kërkuesi Prokuroria e Posaçne kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 21.11.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrja në pyetje dhe verifikimi i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, caktuar me vendimin Nr. 118, datë 19.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin nr. 120, datë 22.11.2025, vendosi:
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (si Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, të caktuara me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Saktësimin e adresës së zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” duke urdhëruar të pandehurin Erald Elezi që të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në qytetin e **** me adresë: ****
- Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 22.11.2025
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar












