Rikthimi i skenave dhe skemave përjashtuese brenda Partisë Socialiste nuk ishte në këtë fund viti as diçka e re, as dhe e papritur apo e paparalajmëruar. Në këtë rast ka ndryshuar vetëm forma, e cila është bërë më përfundimtare dhe më “statutore”. Rama ka kohë që ëndërronte e dëshironte arritjen e kësaj dite. Dhe punën për këtë gjë ka kohë që e ka nisur.
Zbrazëtia ideore si karakteristikë themelore e tij, gjithmonë është kompensuar me lëvizje ekstremisht të forta përkundrejt demokracisë së jashtmi dhe demokracisë së brendshmi. Pasojat e këtyre lëvizjeve jo vetëm kanë reflektuar në shënjimin negativ ndaj perspektivës europiane të vendit, por dhe kanë dëmtuar rëndë funksionalitetin e politikës dhe politikëbërjen, sikurse kanë tronditur dukshëm bazat fluide të një tolerance brenda PS, të instaluar me shumë sportivitet nga ish-lideri socialist Nano.
Nga njëra anë, i ardhur në krye të një force politike me formatin e një personi të vetëshpallur si apolitik, Rama që në hapat e parë të kësaj karriere të re ndërtoi natyrshëm një konfliktualitet dhe i hyri një beteje të humbur, pikërisht me vetë politikën.
Kjo jo për faktin e thjeshtë se ai trumbetoi farsën “për një politike të re”, por për faktin se nën moton e saj ai filloi largimin e butë, dredharak, djallëzor, inatçor, përjashtueso-mospërfshirës të nuklit politik, të elitës majtiste, të atyre njerëzve që kishin dhënë kontribute të pashlyeshme dhe që ishin përpjekur për t’i ndërruar sadopak faqe PS-së së lindur nga hiri i Partisë së Punës.
Zëvendësimi i tyre u bë menjëherë me njerëz pa karrierë politike, pa jetë strukturash, pa evidentime publike, por që u katapultuan për veçori specifike, sidomos sipas kriterit të besnikërisë ndaj liderit të ri, duke krijuar në këtë mënyrë detashmente, të cilat do t’i përdorte në ditë fatlume si këto të këtij fundviti, për të goditur më në fund “armiqtë e brendshëm”, Islamin me shokë, dhe për ta drejtuar PS-në e tij me grusht të hekurt.
I kamufluar nën vellon e miksimit kryetar Bashkie-kryetar PS, ky qëndrim i Ramës jo vetëm që nuk u vu re, por përkundrazi, u përkrah dhe nga një pjesë e asaj elite, e cila, ditë pas dite po vuan sot shqelmat “e kërriçit të cilin e paguan për mëz”.
Më pas, ky antipolitizëm i Ramës, i motivuar dukshëm dhe nga humbjet e proceseve zgjedhore, mori forma më të përçudnuara: si antiinstitucionalizëm, si antiparlamentarizëm, si antisistem, forma që ishin shprehje e saktë e nervozizmit ekstrem aspak politik.
Dhe pasi i trullosi shesheve e bulevardeve “të ngushtët” e tij, veçoi me lezet kundërshtarët e butë, herë duke i mikluar, herë duke lozur tragjikisht me idealet e tyre, herë duke i presionuar me të ardhmen ose të sotmen. Pas kësaj iu lëshua me vrap kritizerëve dhe kundërshtarëve të fortë dhe shpërfilli me përbuzje ata që i mbajtën iso për dy vjet, partitë e vogla. La në hije Blushin, Harasanin, Malajn etj., goditi Meidanin, Haxhiymerin & grup dhe përjashtoi tipikisht Islamin, të njohur për kontributin e tij të pazëvendësueshëm shumëdimensional, që nuk besoj se do të jetë i fundit.
Sigurisht, ky hap e çon Ramën, sipas mendjes së tij, gjithnjë e më shumë drejt atij qëllimi për të cilin ai sakrifikoi si fatet europiane të vendit, ashtu dhe demokracinë e brendshme të PS, drejt çimentimit të pozitës së tij.
Ajo që harrohet në këtë pikë është se me këtë mënyrë komportimi politik ai po shpejton shkërmoqjen jo vetëm të aleancave majtiste, por dhe të piedestalit ku pretendon se është ngjitur.
Nga ana tjetër, përballë Ramës gjithmonë ka qëndruar një figurë, e cila e ka obsesuar pafundësisht, të cilën vazhdimisht është përpjekur ta godasë dhe ta sfidojë, lideri i PD dhe Kryeministri Berisha, por që gjithmonë, pa arritur asnjëherë, ka dashur ta imitojë, pavarësisht se është munduar të shfaqet si i kundërt me portretin që kërkon sforcërisht t’i vizatojë.
Përballë tij Rama bën gabimin e radhës fatal, pasi duke kërkuar çelësin e suksesit drejtues të kryetarit të PD, Rama vërtet ia atribuon këtë hekurtësisë së tij, të cilën dhe insiston ta imitojë, por këtu ai ngatërron mendjen me grushtin, pasi PD drejtohet me mendje të hekurt dhe jo me grusht të hekurt, siç kërkon të adoptojë paradoksalisht në PS Rama.
I formatuar si apolitik dhe i paraqitur si antipolitik dhe imitues i keq, ai i është futur me zell rrugës për humbjet e radhës.
© Panorama.al












