“Më dënuan me dëshmitarë të rremë!”- Historia e qëndresës së të burgosurit politik që u dënua me 26 vite burg, letra kundër Enver Hoxhës që tronditi regjimin komunist

May 27, 2026 | 9:23

Xhemal Madan Bali ishte një nga të mbijetuarit e burgjeve politike të diktaturës komuniste dhe një prej të ridënuarve të revoltës së famshme të Spaçit.

Xhemal Madan Bali

Historia e tij është një nga dëshmitë më të dhimbshme të represionit komunist në Shqipëri, një histori që përmbledh vuajtjen, qëndresën dhe sakrificën e një brezi të tërë shqiptarësh që u dënuan për mendimet, bindjet apo thjesht për dëshirën për të jetuar të lirë. Xhemal Bali hyri në burg në moshën 25-vjeçare dhe doli prej andej vetëm kur ishte 51 vjeç. Ai kaloi plot 26 vite të pandërprera në burgjet dhe kampet e punës së regjimit komunist, duke u dënuar tri herë radhazi. Jeta e tij mbetet simbol i fatit tragjik të shumë shqiptarëve që u përballën me dhunën e shtetit totalitar. Ai lindi më 26 mars 1936 në fshatin Vërvë, në jug të Shqipërisë.

Familja e tij jetonte me punën e tokës dhe, si shumë banorë të zonës, ishte pjesë e sistemit të kooperativave bujqësore të ngritura nga regjimi komunist. Xhemali punonte si kooperativist në vendlindje, ndërsa në vitin 1961 kishte përfunduar arsimin dyvjeçar për veterinari në Tiranë, duke shpresuar për një jetë normale dhe një profesion që do t’i siguronte të ardhmen. Por jeta e tij do të merrte një drejtim krejt tjetër. Arrestimi i parë ndodhi më 15 mars 1961. Në atë kohë regjimi komunist kishte ashpërsuar kontrollin ndaj çdo mendimi ndryshe dhe çdo pakënaqësi konsiderohej “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”.

Xhemal Bali u akuzua sipas nenit 64 të Kodit Penal, në kombinim me nenet 10 dhe 13, së bashku me bashkëfshatarin e tij Alush Tahiri. Akuza ndaj tij lidhej me shprehjet kritike për gjendjen e vështirë ekonomike në Shqipëri, kundërshtimin e kooperativizmit dhe bisedat për arratisje jashtë vendit që, sipas hetuesisë, kishin nisur që nga viti 1957. Në klimën e frikës së asaj kohe, edhe një bisedë private mund të konsiderohej krim politik. Gjykata Ushtarake e Sarandës, me vendimin nr. 41 të datës 8 korrik 1961, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 17 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për tre vjet.

Vendimi u la në fuqi nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë më 13 shtator 1961. Kështu nisi kalvari i gjatë i burgjeve për Xhemal Balin. Ai u dërgua në kampet e punës së detyruar, ku të burgosurit politikë punonin në kushte çnjerëzore në miniera, ndërtime industriale dhe objekte të rëndësishme ekonomike të regjimit. Vuajtjet fizike, uria, dhuna dhe izolimi ishin pjesë e përditshme e jetës së tyre. Por dënimi i parë nuk do të ishte i fundit. Më 21 gusht 1967, ndërsa kryente dënimin në Repartin nr. 303 në ndërtimin e fabrikës së çimentos në Elbasan, ai u arrestua sërish. Regjimi përdorte shpesh ridënimet për të zgjatur vuajtjen e të burgosurve politikë dhe për të mbjellë terror mes tyre. Sipas dokumenteve hetimore të mëvonshme, Xhemal Bali u akuzua për një letër anonime, akuzat e së cilës ai nuk i pranoi kurrë. Gjykata e Rrethit Elbasan, me vendimin nr. 18 të datës 27 tetor 1967, e dënoi me 10 vjet të tjera heqje lirie.

Në këtë mënyrë, jeta e tij në burg vazhdonte pa fund, ndërsa vitet kalonin mes kampeve dhe punishteve të detyruara. Ngjarja më dramatike e jetës së tij lidhet me revoltën e Spaçit, një nga aktet më të rëndësishme të rezistencës antikomuniste në Shqipëri. Në maj të vitit 1973, të burgosurit politikë të kampit famëkeq të Spaç ngritën krye kundër regjimit, duke refuzuar punën dhe duke kërkuar liri e dinjitet njerëzor. Revolta zgjati nga 21 deri më 23 maj dhe u shtyp me dhunë nga forcat e regjimit. Xhemal Madan Bali ishte ndër pjesëmarrësit e kësaj revolte historike. Ai u arrestua më 23 maj 1973 dhe u akuzua sipas neneve 72, 73/2 dhe 76 të Kodit Penal. Hetuesia e përshkruante si një nga njerëzit që kishte nxitur vazhdimin e revoltës dhe kishte bërë thirrje kundër regjimit komunist. Kundër tij u përdorën akuza të rënda politike, duke përfshirë thirrjet “Poshtë qeveria e Tiranës”, “Ja vdekje, ja liri” dhe “Poshtë komunizmi”.

Sipas dosjes hetimore, ai kishte marrë pjesë në shkatërrimin e stendave të propagandës socialiste dhe kishte kërkuar që organizata ndërkombëtare të njiheshin me gjendjen reale në kampin e Spaçit. Një nga elementët më domethënës të akuzës ishte fakti se ai kishte shkruar një parullë drejtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku kërkohej ardhja e përfaqësuesve ndërkombëtarë për të parë kushtet çnjerëzore të kampit. Hetuesia u zhvillua në Tiranë nga hetuesi Irfan Shaqiri, por Xhemal Bali nuk i pranoi akuzat. Megjithatë, regjimi kishte vendosur të jepte një ndëshkim shembullor ndaj pjesëmarrësve të revoltës. Gjykata e Rrethit Mirditë, e drejtuar nga Filip Lako, me pjesëmarrjen e prokurorit Zef Deda, e dënoi më 25 korrik 1973 me 16 vjet të tjera heqje lirie, konfiskim pasurie dhe heqje të së drejtës zgjedhore për katër vjet. Vendimi nuk u ankimua, çka tregon klimën e terrorit dhe mungesën totale të shpresës për drejtësi në atë sistem. Pas këtij ridënimi, Xhemal Bali vazhdoi të vuante dënimin në kampin e Spaçit deri më 6 prill 1987, kur më në fund u lirua. Kishte hyrë në burg si një i ri 25- vjeçar dhe po dilte prej andej një burrë 51-vjeçar, me më shumë se një çerek shekulli të jetës së kaluar pas hekurave. Dënimin e gjatë e vuajti në burgje të ndryshme nga jugu në veri.

LETRA KUNDËR DIKTATORIT

Regjimi komunist e akuzoi Xhemal Balin se kishte mendime kundër sistemit komunist dhe se planifikonte të arratisej jashtë vendit. Vetë Xhemal Bali do ta kujtonte më vonë atë periudhë si fillimin e një kalvari të gjatë vuajtjesh. “Më akuzuan sikur doja të arratisesha, nuk e pëlqeja sistemin komunist në Shqipëri dhe kur rashë në duart e hetuesisë më thoshin që ti e ke mendjen tek bota perëndimore”, rrëfente ai vite më vonë. Në hetuesi, siç ndodhte shpesh në diktaturë, u përdorën dëshmitarë të rremë dhe akuza të fabrikuara. Proceset politike të kohës nuk kishin lidhje me drejtësinë, por me frikën dhe terrorin shtetëror. Xhemal Bali u dënua me 17 vjet burg. Dënimin e gjatë e vuajti në burgje dhe kampe pune nga jugu në veri të Shqipërisë. Fillimisht qëndroi në burgun e Gjirokastër, më pas në Vlorë dhe më vonë në Tiranë. Ai provoi nga afër sistemin e burgjeve komuniste, ku të burgosurit politikë shfrytëzoheshin në punë të rënda fizike në kushte çnjerëzore. Një nga periudhat më të vështira ishte puna në Laç, ku për katër vjet punoi në ndërtimin e uzinës së superfosfatit së bashku me specialistë kinezë.

Të burgosurit punonin me orë të gjata, në kushte të rënda dhe nën mbikëqyrje të vazhdueshme. “Kam punuar katër vjet me kinezet, bëhej uzina, bëhej një uzinë e superfosfatit”, kujtonte ai. Por momenti që do ta rëndonte edhe më shumë fatin e tij erdhi në vitin 1967. Ndërsa vuante dënimin në Elbasan, Xhemal Bali mori lajmin për vdekjen e të atit. Humbja e babait e tronditi thellë, sidomos sepse familja kishte mbetur vetëm me gra dhe një vëlla të vogël. “Në prill të ’67-ës shkoj në Elbasan, atje më kishte vdekur babai edhe më iku mendja fare, se ngelën të gjithë pjesëtarët e familjes, të gjithë qenë femra dhe vëllai qe i vogël, 10-12 vjeç”, tregonte ai para se të ndërronte jetë në moshën 87-vjeçare. Në gjendje dëshpërimi dhe revolte ndaj regjimit, ai shkroi një letër prej 31 faqesh drejtuar Komiteti Qendror i PPSH dhe Byrosë Politike, ku sulmonte drejtpërdrejt diktatorin Enver Hoxha. Në atë letër ai e konsideronte Enver Hoxhën përgjegjës për gjendjen tragjike të vendit dhe paralajmëronte drejtuesit komunistë për pasojat e politikës së tij. “Asnjë njeri nuk kam zënë me gojë, vetëm atë. Sa kam arritur ju kam thënë hiqeni atë se do ju heqë të gjithëve”, shprehej Xhemal Bali. Regjimi reagoi menjëherë. Letra iu bashkëngjit dosjes hetimore dhe ai u ridënua me 17 vite të tjera burg për “agjitacion dhe propagandë”.

Megjithatë, as ridënimet dhe as vitet e gjata të burgut nuk arritën ta thyenin plotësisht. Xhemal Bali mbeti një nga të burgosurit politikë që kundërshtoi hapur regjimin edhe brenda burgut. Më vonë ai do të bëhej pjesë e revoltës së famshme të Spaç në maj 1973, një nga aktet më të rëndësishme të rezistencës antikomuniste shqiptare. Pas 26 vitesh vuajtjeje, ai u lirua më 1987. Kishte hyrë në burg si një djalë i ri dhe po dilte prej andej me jetën e shkatërruar nga diktatura. Megjithatë, ai u rikthye pranë familjes dhe nisi të punonte sërish në kooperativë, duke u përpjekur të rindërtonte jetën. Pas rënies së komunizmit, Xhemal Bali dhe familja e tij emigruan në Greqi. Edhe pse kishte kaluar dekada në burgje, ai nuk kërkoi hakmarrje, por një jetë të qetë pranë familjes. Në vitet e para të demokracisë ai mori edhe një ftesë nga presidenti i atëhershëm Sali Berisha për t’u përfshirë në politikë. “Më vjen një telegram mua që pas festave të nëntorit të pret presidenti në presidencë”, kujtonte ai. Në takimin me Berishën iu propozua të angazhohej politikisht, por Xhemal Bali refuzoi. Pas gjithë vuajtjeve të jetës së tij, ai zgjodhi familjen mbi politikën. “Dy njerëz më kanë ndihmuar në jetë, babai dhe gruaja. Babai më ka vdekur dhe nuk i hodha asnjë lopatë, ndërsa gruaja më rriti dy vajzat. Tani jetën do ja kushtoj gruas dhe vajzave”, shprehej ai me emocion.

Megjithëse kishte kaluar rininë në burgjet komuniste dhe kishte vuajtur për dekada të tëra, edhe pas ndryshimit të sistemit ai mbeti i zhgënjyer nga mungesa e drejtësisë dhe dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politikë. Sipas tij, shteti shqiptar nuk e kishte kompensuar asnjëherë realisht për vitet e humbura. Xhemal Madan Bali u nda nga jeta më 3 tetor 2023 në Sarandë, duke lënë pas historinë e një njeriu që sfidoi diktaturën, vuajti për bindjet e tij dhe mbeti deri në fund simbol i qëndresës dhe i dinjitetit njerëzor.

REVOLTA E SPAÇIT

Revolta e burgut të Spaçit ishte një kryengritje dy ditore e të burgosurve politikë të burgut të Spaçit, e cila nisi më 21 maj 1973 dhe zgjati deri më 23 maj. Revolta e Spaçit përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste, por edhe të lëvizjes për liri e demokraci. Shkaqet e kësaj revolte ishin kushtet çnjerëzore në të cilat vuanin të burgosurit e burgut, puna e tyre skllavëruese, përdorimi i torturave psikologjike dhe fizike, si edhe gjendja e mjeruar e popullit nën diktaturën komuniste, kundër së cilës ata u ngritën dhe qëndruan heroikisht. Revolta e të burgosurve të Spaçit ishte një lëvizje politike. Ajo vërtet shpërtheu në mënyrë spontane në mbrojtje të jetës së shokut të tyre Pal Zefit, por menjëherë mori formë të përgjithshme e të organizuar me një shtab drejtues e me kërkesa kryesisht politike të përcaktuara. Revolta e Spaçit u shtyp dhunshëm nga regjimi, duke dënuar kryengritësit, me dënime që varionin nga 25 vite shtesë në dënimin fillestar me burgim, deri në pushkatim. U arrestuan menjëherë 68 të dënuar.

12 prej tyre u gjykuan dhe u dënuan qysh në datën 24 maj nga Kolegji i Gjykatës së Lartë. Motivacion për dënimet e dhëna nga autoritetet ishte “djegia e tabelave të emulacionit socialist, ngritja të flamurit pa yll, shkruarja e parullave armiqësore dhe afishimi i tyre, si edhe parulla të hedhura me gojë më mënyrë demonstrative me përmbajtje thellësisht armiqësore”. Të burgosurit u arrestuan sërish, dhe një pjesë e madhe e tyre u dërgua në Tiranë, për hetim. Dëshmitarët tregojnë për tortura gjatë hetuesisë në Tiranë. Më pas ata u dërguan sërish në Rrëshen, për tu përballur me gjyqin dhe dënimet. Në gjyqin e Rrëshenit, prokurori quhej Zef Deda dhe kryetar i trupës gjykuese ishte Filip Lako. 80 të burgosur morën ridënime, ndërsa 4 prej tyre u ekzekutuan. Katër të pushkatuarit ishin Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Peka dhe Hajro Pashai.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura