Me 12 anëtarë,ngrihet Këshilli Shkencor në ISHP

May 19, 2011 | 11:02

Ngrihet Këshilli Shkencor në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë. Ai do të funksionojë si organ këshillimor i këtij Instituti. Qeveria miratoi dje vendimin për organizimin dhe përbërjen e këtij Këshilli. “Këshilli Shkencor drejton punën në ISHP, duke përcaktuar përparësitë dhe duke vlerësuar cilësinë dhe frytshmërinë e punës së kryer. Ky Këshill, gjithashtu, vlerëson vlefshmërinë shkencore dhe etikën e programeve të kërkimit apo të ndërhyrjes dhe programet e edukimit në vazhdim në fushën e shëndetit publik”, thuhet në vendim. Sipas tij, ky organ do të drejtojë plane të zhvillimit strategjik, strukturor, teknologjik dhe të burimeve njerëzore në ISHP. Këshilli Shkencor i  ISHP-së kryesohet nga drejtori i këtij Instituti dhe ka në përbërje 12 anëtarë. Ndër ta do të ketë një përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, tre përfaqësues nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, njëri nga të cilët është përfaqësues i Departamentit të Shëndetit Publik. Po kështu, do të ketë një përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe nga një përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe ajo e Arsimit. “Gjashtë anëtarë të tjerë emërohen nga drejtori i ISHP-së, ndërmjet specialistëve të këtij instituti, me gradë dhe/ose titull shkencor”, thuhet në vendim. Sipas tij, KSH mblidhet në mënyrë të rregullt, të paktën dy herë në vit, për të analizuar e për të vlerësuar punën e kryer nga ISHP dhe për të drejtuar përparësitë dhe veprimtaritë e ardhshme. KSH mund të mblidhet për raste të veçanta dhe nga drejtori i ISHP, ose nga jo më pak se 1/3 e anëtarëve të tij. Mbledhja hapet dhe zhvillohet kur marrin pjesë jo më pak se 2/3 e anëtarëve.

© Panorama.al

Te lidhura