Me “Olimpic air”, Selanik-Tiranë vetëm për 40 minuta fluturim

Dec 26, 2011 | 10:59

Linja e re ajrore Tiranë-Selanik ofron një fluturim komod dhe të shpejtë për vetëm 40 minuta. Aeroporti “Nënë Tereza” është përfshirë tashmë në listën e destinacioneve të reja nga aeroporti “Makedonia” për kompaninë private të rinovuar tashmë, “Olimpic air”. Linja e re ka filluar nga funksioni në fillim të këtij muaji, ndërsa janë të shumtë ata që e zgjedhin për të shkuar në shtetin fqinj apo për të ardhur prej andej në Tiranë. Udhëtimet kryhen me një avion të ri të tipit “Bombardier Q400”,78-vendësh ndërsa më vonë do të mund të bëhen edhe të përditshme, e kompania premton për çmime akoma më konkurruese në të ardhmen, me oferta të shpeshta. Aktualisht çmimi i biletës është 160 euro. Sipas disa të dhënave, çdo ditë lëvizin në këtë drejtim, në rrugë tokësore, 1000-1500 persona. Pas një periudhe shkëputjeje për më shumë se dhjetë vjet, Selaniku dhe Tirana tashmë ndodhen larg vetëm 40 minuta nëpërmjet urës së re ajrore, që ka vendosur kompania “Olympic Air”. Linja pritet të lehtësojë lëvizjen e mbi 200.000 shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Selanik e zonat përreth, por edhe të gjithë kryeqytetasve që u duheshin më shumë se 6 orë udhëtim me makinë për të vizituar qytetin verior të Greqisë. Në udhëtimin tonë nga Selaniku, në avionin e mbushur plot më udhëtarë, fluturonte dhe Ariani nga Tirana, që jetonte prej 13 vjetësh në Selanik bashkë me familjen. “Linja e re ajrore, në kushtet kur çmimi i karburantit ka shkuar në nivele që nuk njiheshin më parë, lehtëson jo vetëm kushtet e udhëtimit, kohën, garancinë, shpejtësinë, por edhe anën ekonomike. Nëse do më duhet të udhëtoj vetëm drejt Tiranës, më nevojiten të paktën 150 euro benzinë, ndërsa në dimër ky udhëtim bëhet edhe më i rrezikshëm për shkak të borës dhe ngricave”, më tha Ariani, i cili në krah kishte një nga mjekët e spitalit “Hygea”, i cili vinte në Tiranë për një operacion të ndërlikuar në zemër.     a.l

© Panorama.al

Te lidhura