BRUKSEL- Raundi i shtatë i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian ka përfunduar me arritjen e një marrëveshje, ajo për njohjen e diplomave universitare.
Në deklaratën e lëshuar pas takimit nga ana e Bashkimit Evropian thuhet se palët, duke avancuar pas marrëveshjes në parim që ishte arritur më 2 korrik të këtij viti, janë pajtuar që nga Asociacioni Universitar Evropian të kërkohet certifikimi i diplomave të lëshuara nga universitetet e secilës palë, për përdorim nga pala tjetër, lidhur me shkollim apo punësim publik.
Shefi i delegacionit të Serbisë, Borislav Stefanoviç, ka thënë se kjo marrëveshje është e pranueshme për shtetin serb, pasi ajo “nuk kërkon që të njihen diplomat apo dokumentet e lëshuara në Kosovë, që do të kenë vula apo shenja të së ashtuquajturës Republikë të Kosovës”.
Sipas ndërmjetësve të Bashkimit Evropian, përparim është arritur edhe në çështje të tjera.
Këtu, para së gjithash, bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Kosovës në takime rajonale dhe nisma rajonale. Nga delegacionet e të dyja palëve u kuptua se problemi mbetet ende tek emërimi i delegacioneve të Kosovës në takimet e tilla, sepse Serbia insiston që kjo të bëhet në mënyrë asimetrike – pra, të mos vihen shenja që i japin mundësi Kosovës të trajtohet si shtet i pavarur.
Në deklaratën e BE-së thuhet se palët, gjatë dialogut, kanë mirëpritur edhe përparimin e arritur nga ana e grupeve teknike punuese, përfshirë dhe ato për regjistrin civil dhe lirinë e lëvizjes.
Nga BE-ja, por edhe nga palët është thënë se takimi i radhës do të zhvillohet para fundit të këtij muaji.
Ndërkohë, për Kosovën është duke u diskutuar edhe në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku do të bëhet leximi i parë i projekt-rezolutës për Kosovën, të paraqitur nga zonja Ulrike Lunaçek, e cila është raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën.
© Panorama.al











