Është mbyllur afati i aplikimeve për garën për drejtuesit e gjashtë departamenteve kryesore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Afati për dorëzimin e aplikimeve përfundoi të premten, më 17 korrik, ndërsa në proces janë regjistruar 9 kandidatë.
Sipas burimeve, nga këta kandidatë pritet të përzgjidhen gjashtë drejtuesit e rinj të departamenteve më të rëndësishme të Policisë së Shtetit. Në garë janë Pëllumb Seferi, Artan Barjaktari, Lorenc Panganika, Saimir Muça, Hergis Jica, Idajet Faskaj, Ferdinand Mara, Alban Dauti dhe Lufti Minxhozi.
Konkurrimi është zhvilluar për drejtimin e Departamentit për Policinë Kriminale, Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Departamentit të Teknologjisë së Informacionit dhe Departamentit për Kufirin dhe Migracionin.
Procesi u hap me urdhër të kryepolicit Skënder Hita dhe synon për herë të parë që drejtuesit e këtyre strukturave të përzgjidhen përmes një gare. Pak muaj më parë, procedura u pezullua pas një padie të ish-drejtueses së BKH-së, Aida Hajnaj, në Gjykatën Administrative.
Sipas kritereve të përcaktuara në ligjin për Policinë e Shtetit, kandidatët duhet të kenë gradë të rolit të mesëm drejtues, të mos kenë masa të rënda disiplinore gjatë tre viteve të fundit, të mos jenë në konflikt interesi dhe të plotësojnë kriteret ligjore e shëndetësore për funksionin.
Në ditët në vijim pritet të zhvillohen fazat e vlerësimit nga komisioni i posaçëm i Policisë së Shtetit, në përfundim të të cilave do të përcaktohen drejtuesit e rinj të gjashtë departamenteve.
Emërimi i tyre do të bëhet me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe me firmën e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari. Ky pritet të jetë procesi i parë dhe i fundit i përzgjedhjes me konkurs për këto nivele drejtuese, pasi në Kuvend pritet të shqyrtohen ndryshime në ligjin e Policisë së Shtetit që parashikojnë heqjen e garës për nivelet më të ulëta drejtuese.
© Panorama.al












