Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur dje në mbrëmje se ka përfunduar procesi i numërimit të votave në 5, nga 11 njësitë bashkiake në Tiranë.Nga njësitë që nuk kanë përfunduar ende, PD-ja kryeson në pesë zona, PS-ja në një zonë, ndërsa në Njësinë 5 procesi nuk ka nisur akoma.
Rezultatet zyrtare
Nga rezultatet zyrtare të marra në rrugë elektronike rezulton se tri nga këto njësi i kanë fituar kandidatët e Partisë Socialiste dhe dy njësi kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Konkretisht, PS-ja ka fituar në Njësinë Bashkiake Nr. 1, ku Lindita Nikolla ka marrë rreth 1200 vota më shumë se kandidati i PD-së, Agron Seseri. Gjatë ditës së djeshme, është konfirmuar edhe fitorja e kandidatit Krenar Cenkollari në Njësinë Bashkiake Nr. 6 përballë kandidates së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luzhiana Abazaj. Në përfundim të procesit të numërimit të 51 kutive, ka rezultuar se Cenkollari ka marrë rreth 350 vota më shumë se përfaqësuesja e LSI-së. Minibashkia e tretë që ka fituar PS-ja deri tani, me rezultat të përfunduar dhe të konfirmuar nga KQZ-ja është në Njësinë 7. Pas numërimit të 50 kutive të votimit, rezulton se Erion Koka ka marrë rreth 400 vota më shumë se Krenar Alimehmeti i “Aleancës për qytetarin”. Nga ana e saj, Partia Demokratike ka fituar Njësinë Bashkiake Nr. 10, ku Blendi Fuga ka marrë rreth 1700 vota më shumë se kandidatja e PS-së, Enada Alikaj. Njësia e dytë bashkiake, e fituar deri tani nga “Aleanca për qytetarin” është Minibashkia 2. Elez Gjoza i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka marrë rreth 1200 vota më shumë se kandidati i “Aleancës për të ardhmen”, Artemon Cukalla.
Rezultatet paraprake
Gjatë ditës së djeshme, procesi i numërimit ka vazhduar paralelisht edhe në pesë minibashki të tjera. Në Minibashkinë Nr. 3 rezulton se deri tani janë numëruar 24 nga 32 kutitë e votimit dhe rezulton se Ilir Kokona i koalicionit të djathtë ka përmbysur rezultatin, të cilin në kutitë e para e kishte në disavantazh. Aktualisht, Kokona ka 500 vota më shumë se Enver Sulollari i “Aleancës për të ardhmen”. Në Njësinë Bashkiake Nr. 4 ka ngelur edhe një kuti pa u numëruar, nga 42 që ka kjo zonë dhe, Hysen Xhura i Partisë Demokratike është thuajse zyrtarisht fitues i këtyre zgjedhjeve. Kandidati demokrat ka marrë deri tani rreth 1800 vota më shumë se Vahid Kalaja i Partisë Socialiste. Kalaja kandidonte në këto zgjedhje për të katërtën herë rresht dhe në qytetin e Tiranës ishte vetëm ai dhe Edi Rama kandidatët që kërkonin një mandat të katërt. Në Njësinë Bashkiake Nr. 8 procesi i numërimit ka ecur me ritme të ngadalta. Deri tani janë numëruar 16 kuti nga 30 që janë gjithsej, nga ku rezulton se Arben Tafaj i koalicionit të djathtë ka marrë deri tani rreth 1800 vota më shumë se Sadi Vorpsi i Partisë Socialiste. Në Njësinë Bashkiake Nr. 9 numri i kutive të numëruara është i njëjti me atë të një dite më parë, 11. Në këtë njësi kryeson kandidati i PS-së me 150 vota. Ndërsa në Njësitë 10 dhe 11 kryesojnë kandidatët e Partisë Demokratike, respektivisht me 1700 dhe 1800 vota.
Kontestohet kutia në njësinë 9
Në një qendër votimi në Njësinë Bashkiake Nr. 9, anëtarët e PD-së në KZAZ kanë kontestuar një kuti votimi për kryetarin e njësisë vendore, për shkak se janë gjetur fletë votimi së bashku me kundrafletët, çka nuk e parashikon Kodi Zgjedhor. Anëtarët e KZAZ-së kanë vendosur t’ia dërgojnë KQZ-së këtë kuti për ta vlerësuar. Në këtë qendër e njëjta gjë ka ndodhur edhe në kutinë për kryetarin e Bashkisë, ku është votuar së bashku me kundrafletët.
Numërimi në Njësinë Nr. 5
Njësia Bashkiake Nr. 5, e cila u vu në qendër të vëmendjes për shkak të interesimit të madh të kutive të fundit në garën për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, nuk ka nisur ende numërimin për kryetarin e njësisë vendore. Gjatë ditës së djeshme ka vazhduar numërimi i votave në kutinë e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Në këtë zonë kandidon Erisa Xhixho nga koalicioni i djathtë dhe Jeta Seitaj nga koalicioni i majtë.
Rezultatet ne 10 minibashki
Njësia Nr. 1 39/39 kuti
Lindita Nikolla Aleanca për të Ardhmen 9985
Agron Seseri Aleanca për Qytetarin 8775
Njësia Nr.2 54/54 kuti
Artemon Cukalla Aleanca për të Ardhmen 15177
Elez Gjoza Aleanca për Qytetarin 16340
Njësia Nr. 3 24/32 kuti
Enver Sulollari Aleanca për të Ardhmen 6369 Ilir Kokona Aleanca për Qytetarin 6861
Njësia Nr. 4 42/43 kuti
Vahid Kalaja Aleanca për të Ardhmen 9715 Hysen Xhura Aleanca për Qytetarin 11508
Njësia Nr. 6 51/51 kuti
Krenar Canollari Aleanca për të Ardhmen 11419 Luzhiana Abazaj Aleanca për Qytetarin 11061
Njësia Nr.7 50/50 kuti
Erion Koka Aleanca për të Ardhmen 13607 Krenar Alimehmeti Aleanca për Qytetarin 13206
Njësia Nr.8 16/30 kuti
Sadi Vorpsi Aleanca për të Ardhmen 3364 Arben Tafaj Aleanca për Qytetarin 5143
Njësia Nr. 9 11/41
Armond Halebi Aleanca për të Ardhmen 3198 Indrit Fortuzi Aleanca për Qytetarin 3047
Njësia Nr.10 25/25 kuti
Enada Alikaj Aleanca për të Ardhmen 5060 Blend Fuga Aleanca për Qytetarin 6748
Njësia Nr.11 46/55 kuti
Naim Asllani Aleanca për të Ardhmen 9374
Haki Mustafa Aleanca për Qytetarin 11201
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











