Mazhoranca rrëzoi sot në Kuvend tre amendamentet që kishte dorëzuar kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në emër të opozitës, për ndryshimet në projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Marrëveshjen e Bordit të paqes për Gazën.
Deputeti ka kthyer në qendër të vëmendjes një detaj nga seanca, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për mungesën në procesin e votimit dhe duke mos e votuar marrëveshjen. Bardhi tha se Rama e mat vullnetin politik dhe miqësinë ndaj SHBA me fjalime dhe jo me votë.
“Edi Rama e bëri. Ai nuk e votoi marrëveshjen! Iku nga seanca pa asnjë arsye shtetërore. Sepse Edi Rama jo vetëm që nuk e sheh dot me sy Donald Trump, por i duhej vetëm skena politike për të mbuluar dështimin e tij spektakolar me mungesën në Davos”, tha ai mes të tjerash nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, pak pasi përfundoi seanca, ku marrëveshja u miratua me 110 vota, përfshi edhe ato të deputetëve opozitarë.
Bardhi nënvizon se Rama kishte qëllim vetëm të godiste opozitën, por PD “ia dogji skemën perverese”, teksa sipas tij, kryeministri bën avokatin e Ballukut, Veliajt dhe Agasit.
“Rama e përdori marrëveshjen e Bordit të Paqes si skenë të urrejtjes politike kundër opozitës dhe si moment për të goditur dhe për t’u dukur i fortë kundër SPAK-ut. U rreshtua si avokat i Erion Veliajt, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit, por jo si një shtetar i përgjegjshëm”, vijon ligjvënësi opozitar.
Postimi i Gazment Bardhit:
“Kush beson vërtet te një marrëveshje dhe te arkitekti i saj, Presidenti Trump, nuk braktis votimin.
Edi Rama e bëri. Ai nuk e votoi marrëveshjen!
Iku nga seanca pa asnjë arsye shtetërore. Sepse Edi Rama jo vetëm që nuk e sheh dot me sy Donald Trump, por i duhej vetëm skena politike për të mbuluar dështimin e tij spektakolar me mungesën në Davos.
Rama e përdori marrëveshjen e Bordit të Paqes si skenë të urrejtjes politike kundër opozitës dhe si moment për të goditur dhe për t’u dukur i fortë kundër SPAK-ut. U rreshtua si avokat i Erion Veliajt, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit, por jo si një shtetar i përgjegjshëm.
Ne ia dogjëm skemën perverse antiopozitë Edi Ramës. Ne e votuam me besim marrëveshjen dhe partneritetin me Presidentin e SHBA-së. Ai u zhduk nga Parlamenti pa votuar.
Vullneti i vërtetë politik matet me votë, jo me fjalime patetike!”.
© Panorama.al












