Për studentët e UT, testi i TOEFL-it do të ofrohet me gjysmën e kostos reale. Për t’u regjistruar në testimin e gjuhës, studentët do të paguajnë rreth 100 euro. Nga sa bëri me dije dje Universiteti i Tiranës, tashmë është funksionale UT-ETS, e cila ndodhet në godinën e ish-“Kinoklubit” të Qytetit Studenti. Kjo zyrë do të qëndrojë e hapur nga e hëna deri të premten dhe do t’u ofrojë të gjithë studentëve informacion mbi testet e anglishtes të ofruara nga UT, procedurat e regjistrimit në secilin prej tyre, si dhe detaje të mëtejshme mbi datat e provimeve të gjuhës angleze. “Gjithashtu, një informacion më të detajuar mbi testet e anglishtes që ofron Universiteti i Tiranës, tarifat për çdo provim, materialet përgatitore, si dhe disa modele të testeve të mëparshme, gjenden edhe në faqen zyrtare të internetit: www.ut-ets.edu.al”, sqarojnë krerët e UT. Sipas tyre, faqja e internetit do të jetë funksionale brenda muajit maj 2011. Po kështu, Universiteti i Tiranës, në kuadër të iniciativës së ciklit të seminareve të hapura për “Inkurajimin e Karrierës”, ka filluar javën e promovimit të UT-ETS në të gjitha fakultetet e tij.











