Genta Ismajli, Afërdita Pacarada, Diellza Kolgeci, Dren Abazi, ishin disa nga fytyrat më të njohura publike që ishin bërë pjesë e aksionit humanitar që kishte organizuar shoqata humanitare “Nënë Tereza”. Kurse interes të veçantë përbënte pjesëmarja e këngëtares së njohur Nexhmije Pagarusha, e cila edhe pse në moshë të thyer, kishte vendosur që imazhin e saj ta përdorë edhe në bamirësi. Aksioni kishte për qëllim grumbullimin e mjeteve financiare për të ndihmuar shërimin e fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet e zemrës. Pikërisht atë natë ishte organizuar dhe një gala koncert, ku merrnin pjesë sopranoja Ermonela Jaho, këngëtarja e njohur Eda Zari dhe shumë artistë të tjerë shqiptarë të shoqëruar nga Filharmonia e Kosovës. Në këtë mbrëmje ata kishin ardhur që të argëtojnë të pranishmit dhe fytyrat publike, të cilat ishin radhitur tek tavolinat ku qëndronin telefonat përmes të cilëve bëhej grumbullimi i mjeteve financiare. Si çdo vit, edhe këtë radhë shumë personalitete të njohura, përfshirë këtu politikanë, ministra, aktorë, humoristë, këngëtarë, moderatorë e gazetarë, ishin bërë bashkë për të ndihmuar fëmijët në nevojë. Syri i kamerës gjatë gjithë xhirimeve kishte fokusuar disa emra të njohur të skenës, të cilët me shumë dëshirë kishin pranuar ftesën për të qenë pjesë e këtij organizimi humanitar. Mes tyre, vihej re prania e Afërdita Pacaradës (missi i parë i Kosovës), Diellza Kolgeci, këngëtarja e njohur Genta Ismajli, e cila çdo vit është pjesë e këtyre organizimeve, këngëtari sharmant Dren Abazi etj. Telefonatat nuk kishin të ndalur nga të gjitha anët, por më shumë donatorë ka pasur nga Zvicra e Gjermania, si dhe shtete të tjera ku jetojnë shqiptarët. Shuma e grumbulluar kaloi shifrën prej 400 mijë eurosh përmes telefonatave, si dhe pati disa donacione nga bankat e Kosovës.
FUSTANI I ARTA DOBROSHIT, ENDE NË SHITJE PËR 750 EURO
E pranishme në këtë organizim ishte dhe aktorja e njohur kosovare Arta Dobroshi, e cila për dy javë rresht po qëndron në Prishtinë tek familja e saj. Arta gjatë gjithë kohës mbante në dorë telefonin në pritje të donatorëve. Përveç pjesëmarrjes së saj në këtë gala koncert humanitar, aktorja e njohur kishte nxjerrë në ankand edhe fustanin e saj, të cilin e kishte dizejnuar Krenare Rugova, me të cilin Arta ishte paraqitur në Cannes dhe mbante çmimin prej 750 euro. Por ky fustan është ende në shitje.
Ndryshe nga fustani i Artës që është ende në ankand, fanella e futbollistit të famshëm Lorik Cana është shitur në kohë rekord, me një çmim prej 13 mijë eurosh. Kështu bëjnë të ditur burime pranë televizioneve, që kanë ndjekur nga afër këtë manifestim.











