TIRANË- Enti Rregullator i Energjisë u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e CEZ, KESH dhe OST-së për rritjen e çmimit të energjisë, por vendimi u shty, për shkak se ekzistojnë disa paqartësi në planin e investimeve të HEC-eve si, Bistrica, Bistrica 1, Ulza dhe Shkopeti.
Në nisje të mbledhjes së sotme, drejtori juridik i ERE, Eduard Elezi ka deklaruar se në qendër do të jetë interesi i konsumatorit.
Sipas tij, nuk ka një afat të saktë se kur do të merret vendimi, ndërkohë që në shqyrtim krahas kërkesave do të jenë edhe planet e investimeve të kompanive.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka kërkuar që për vitin 2012 tarifa me të cilin ajo i shet energjinë CEZ-it të rritet nga 1.48 lekë për kilovat/ orë në 5.05 lekë. Nga ana e përfaqësuesve të KESH kërkesa është argumentuar me koston e lartë të blerjes së energjisë dhe kjo tashmë dihet, pasi KESH ka deklaruar që ka prekur overdraftin 45 milionë euro për të blerë energji. Sipas KESH, tarifa me gjithë koston e importit shkon në një total diku mbi 4 lekë për kilovat/orë. Ndërkaq, operatori i dytë, ai i Sistemit të Transmetimit (OST), ka kërkuar një rritje të tarifës së transmetimit të energjisë nga 0.6 lekë për kilovat/orë në 0.73 lekë për kilovat/orë.
Kjo nga ana e përfaqësuesve të OST ne senacen degjimore para disa ditesh është argumentuar me investimet në rrjet, por edhe me llogaritjen e shpenzimeve operative, të cilat për t’u përballuar kërkojnë të ardhura mbi 4 miliardë lekë.
E treta në kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë është kompania e shpërndarjes CEZ. Kreu i saj në Shqipëri, Josef Hejsek, në fjalën e tij parashtroi dy alternativa për tarifat. E para sipas tij është rritja e energjisë me një mesatare 4.6 për qind, çka për qytetarët do të përkthehet me një kosto 200 lekë për faturë në muaj. Pra, nga 9.25 lekë për kilovat orë që është tarifa mesatare e energjisë që CEZ shet, kjo tarifë shkon diku tek 9.96 lekë. Alternativa e dytë që CEZ parashtroi, është zgjidhja e problemit të borxhit. CEZ ka deklaruar dje se, nëse gjendet zgjidhje për borxhin e keq të saj, apo për borxhin që kompanisë i kanë institucionet buxhetore dhe jo buxhetore, atëherë tarifa mund të mos rritet. Burime nga CEZ bëjnë me dije se ky borxh që kompania kërkon që t’i jepet zgjidhje, kap një vlerë të përafërt me 80 milionë euro.
Në këtë pikë del edhe problemi që CEZ ka me borxhin ndaj KESH-it, që shkon diku tek 50 milionë euro. DEBATI Grupe të ndryshme interesi ishin dje të pranishme në dëgjimoren publike të organizuar nga ERE. Nga ana e Shoqatës së Invalidëve u kërkua që CEZ të jetë më e kujdesshme me rritjen që kërkon, duke marrë parasysh këtë kategori.
© Panorama.al












