Mbledhja e Këshillit të Mandateve u shty pa datë, Sefa: Vendimi për imunitetin e Belinda Ballukut mund të merret para Vitit të Ri! Opozita të mos “kapet” me provat

Dec 19, 2025 | 16:44

Avokati Indrit Sefa theksoi se vendimi për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut mund të merret para Vitit të Ri.

sefa

Në një intervistë për News 24, ai theksoi se maxhoranca po bëhet barrierë për punën e SPAK, duke tentuar me e shtyrë vendimmarrjen.

“Duket se politikisht maxhoranca është bërë barrierë për SPAK.  Opozita ka mbajtur qëndrim procedurial, por qëndrimi i saj është të hetohet dhe shqyrtohet sa më shpejt kërkesa. Fakti që maxhoranca po bëhet barrierë për punën e SPAK tregon se dosja është në nivel të avancuar të hetimeve. Mendoj se maxhoranca duhet të mbajë qëndrimin e saj, që është dhënia e mundësisë SPAK që të bëjë detyrën e tij. Besoj se me t’u njohur me aktet e dosjes, Rama do të ndryshojë qëndrim me t’u njohur, besoj se para vitit të ri do të merret autorizimi i SPAK për sa kohë është dosje e plotë”, tha ai.

Më herët ai kritikoi edhe qëndrimin e opozitës që kërkon USB-në me provat, duke thënë se duhet të mos merret me këtë pjesë por të japë autorizimin e saj.  Ai theksoi se, nëse opozita deklaron se e mbështet SPAK-un, atëherë çdo kërkesë e prokurorisë duhet të pranohet pa vonesa dhe pa debate të panevojshme.

“Çfarë interesi ka opozita në këtë debat. Opozita e ka të prerë qëndrimin, të jepet autorizimi. Provat i di SPAK. Ç’punë kanë këta me provat. Juristë të mëdhenj këta. Me çfarë autoriteti do të vlerësojnë punën e një organi të procedurës. Nëse do të ishte me të vërtetë kundërshtar i maxhorancës…Ku është fitorja politikisht”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura