Mbledhja e Këshillit Kombëtar demokrat, Dritan Burgia largohet nga salla: Ne vijmë të flasim, ju nuk lejoni

Dec 17, 2025 | 19:22

Tensione janë shënuar në mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku anëtari i Kryesisë, Dritan Burgia, është larguar në mënyrë demonstrative nga salla.

pd berisha KK

Burime nga brenda mbledhjes bëjnë me dije se largimi i Burgias erdhi pasi u ndaluan diskutimet në këtë forum të lartë të PD-së, duke lejuar vetëm debate mbi protestat.

Sipas burimeve, Burgia ka kundërshtuar këtë vendim, duke u shprehur: “Ne vijmë të flasim në forume, ju thoni nuk lejohet të flasim për asgjë veç protestës”.

Dritan Burgia njihet si një nga organizatorët e takimit të parë të zhvilluar nga Ervin Salianji në Durrës, në kuadër të riorganizimit dhe rienergjizimit të Partisë Demokratike.

Më herët, Burgia është sulmuar në mbledhjen e Kryesisë së PD-së me akuza se bashkëpunon me Partinë Socialiste.

© Panorama.al

Te lidhura