Ndërroi jetë pas ndërhyrjes estetike, dënohet me 4 vite burg gruaja që i injektoi silikon modeles së njohur të OnlyFans

Jun 19, 2026 | 12:44

Një kozmetologe pa licencë është dënuar me katër vjet burg në SHBA pasi kreu një procedurë të paligjshme estetike që çoi në vdekjen e modeles së OnlyFans, Christina Ashten Gourkani, e njohur në rrjetet sociale për ngjashmërinë e saj me Kim Kardashian.

O

Sipas mediave amerikane NBC Bay Area dhe San Francisco Chronicle, Vivian Alexandra Gomez u dënua më 15 qershor në lidhje me vdekjen e 34-vjeçares Gourkani, e cila ndërroi jetë në prill të vitit 2023.

Prokurorët thanë se Gomez kishte udhëtuar nga Florida në Kaliforni për t’i kryer modeles injeksione të paligjshme silikoni në të pasme, brenda një dhome hoteli pranë San Franciskos. Sipas Zyrës së Prokurorit të Qarkut San Mateo, menjëherë pas procedurës, Gourkani pësoi komplikacione të rënda shëndetësore dhe humbi jetën.

Në mars të këtij viti, Gomez u shpall fajtore për vrasje nga pakujdesia dhe ushtrim të mjekësisë pa licencë. Prokuroria deklaroi se viktima u sëmur menjëherë pas injeksioneve dhe vdiq si pasojë e dështimit të frymëmarrjes.

Prokurori i Qarkut San Mateo, Steve Wagstaffe, kishte deklaruar më herët se Gourkani pësoi arrest kardiak më 20 prill 2023. Sipas autoriteteve, gjatë hetimeve u zbulua prania e silikonit në qarkullimin e gjakut të saj.

Ekspertët paralajmërojnë se injeksionet e paligjshme me silikon përbëjnë rrezik serioz për jetën. Kirurgu plastik Michael K. Obeng ka shpjeguar se silikoni dhe substanca të tjera të huaja mund të migrojnë në organizëm, duke shkaktuar infeksione, deformime të indeve dhe, në raste të caktuara, bllokim të enëve të gjakut.

Sipas NBC Bay Area, Gomez u largua nga Kalifornia menjëherë pas procedurës dhe u kthye në Florida, ku më pas u arrestua në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet e Qarkut San Mateo. Ajo u ekstradua më pas në Kaliforni për t’u përballur me drejtësinë.

Avokati i saj deklaroi për NBC Bay Area se klientja e tij kishte qenë e gatshme të pranonte përgjegjësinë për akuzën e vrasjes nga pakujdesia që në fazat e hershme të procesit.

Rasti ka rikthyer vëmendjen mbi rreziqet e procedurave estetike të kryera nga persona të paautorizuar dhe jashtë ambienteve të licencuara mjekësore.

© Panorama.al

Te lidhura