Mbishkrime të shek. I në kalanë e Rozafës

Sep 23, 2011 | 12:13

Vetëm tri ditë nga fillimi i gërmimeve në kalanë e Rozafës në Shkodër, ekspedita arkeologjike shqiptaro-polake ka nisur të nxjerrë në dukje vlerat e mëdha historike që fshihen në këtë kala. Në oborrin e dytë të saj, në një nga ujëmbledhësit e kalasë, është gjetur një mbishkrim, i cili daton në shekullin I para Krishtit, dhe është i pari dokument i asaj kohe. Sipas Nikolin Shatit, drejtor i Parkut Arkeologjik të Shkodrës, pjesë e së cilit është edhe kalaja e Rozafës, nga vëzhgimet e para të këtij mbishkrimi, mendohet se teksti ka të bëjë me një akt juridik që i përket periudhës së rënies së Perandorisë Ilire dhe kalimit nën varësinë romake. Ndonëse mbishkrimi ishte i dukshëm, vetëm së fundi u bë i mundur largimi i ujit që mbushte atë dhe pastrimi i vendit në pjesën fundore të ujëmbledhësit. Sipas Shatit, po t’u referohemi fakteve historike të zonës gjatë shekullin II p.e.r. në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. “Me reformat e Dioklecianit bëhet qendër krahinore. Dhe pikërisht ky dokument, i cili është gjetur gjatë në kala, mendohet të jetë një Akt Ligjor i asaj periudhe. Por, gjithsesi, mbishkrimi do të dërgohet në Institutin e Arkeologjisë në Francë, për një mendim më të specializuar”, thotë drejtori i parkut. Gjithashtu, mësohet se pjesë e ekspeditës ka qenë edhe zhvillimi i disa testeve në zonën lindore të kalasë, pranë Xhamisë së Plumbit, si dhe në pjesën jugore, në afërsi të Kishës së Zojës. “Këto teste, edhe pse janë bërë në një thellësi të vogël, kanë nxjerrë në pah praninë e mbetjeve të qytetit të vjetër antik të Shkodrës, i cili është folur prej kohësh që ndodhej diku poshtë kalasë “Rozafa”. Kjo zonë merr vlera shumë të mëdha historike, pasi në të janë zbuluar jo vetëm muri i fortifikimit, por edhe ndërtime urbanistike dhe shtëpi banimi e lokale, brenda dhe pranë murit të rrethimit të vjetër të qytetit të Shkodrës”, ka përfunduar Shati. Për këto gërmime arkeologjike është nënshkruar një kontratë 5-vjeçare nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Parkut Arkeologjik Shkodër, Bashkisë Shkodër dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ndërsa do të financohen nga MTKRS dhe Ambasada Polake në Tiranë. Gërmimet që sapo kanë filluar pritet do përfshijnë gjithë zonën përreth kalasë Rozafa dhe zonën brenda saj.                           r.d.

© Panorama.al

Te lidhura