
PE miraton rezolutën për njohjen e Kosovës, shkrirjen e strukturave paralele
Ndërkombëtarët kanë rënë dakord që ky vit të jetë viti i fundit që Kosova do të jetë e mbikëqyrur prej tyre, duke i hapur dritën jeshile funksionimit si një shtet i vërtetë. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, duke folur në cilësinë e udhëheqësit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar (ICO), tha se ky grup përkrah përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. “Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka shprehur përkrahjen e plotë për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Tashmë i mbetet qeverisë së Kosovës të vazhdojë implementimin e Paketës së Ahtisarit. Pasi të mbyllet ICO-ja, BE-ja dhe miqtë e Kosovës do të interesohen për respektimin e parimeve që dalin nga Paketa e Ahtisarit”, tha Feith para të pranishmëve në Vjenë, ku ndodhej edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Kryeministri kosovar u zotua në emër të qeverisë se Kosovës se Paketa e Ahtisarit do të zbatohej plotësisht, në mënyrë që ky vit të shënojë fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Ndërkohë, në Parlamentin Europian u miratua një rezolutë për Kosovën dhe integrimin e saj në Bashkimin Europian. Rezoluta, e propozuar nga europarlamentarja Ulrike Lunaçek, u bën ftesë pesë vendeve të BE-së, që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, që ta hedhin këtë hap. Ajo kërkon gjithashtu shuarjen e strukturave paralele në Veri të vendit dhe shtimin e marrëveshjeve kontraktuale mes BE-së dhe Kosovës. Kjo rezolutë u miratua dje në Komitetin për Politikë të Jashtme të PE-së me 54 vota pro dhe vetëm 6 kundër. Në raport përfshihen edhe kritika për autoritet e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë më shumë me mungesën e gatishmërisë për të dënuar përgjegjësit për parregullsi në zgjedhje. Raporti kërkon hetime të mirëfillta të parregullsive në zgjedhjet e vitit 2010 dhe dënimin e përgjegjësve për mashtrime në procesin zgjedhor. Ndërsa nga opozita në vend kërkohet përshpejtimi i procesit të bashkëpunimit me qeverinë për të gjetur reformën e duhur për ligjin zgjedhor, për të garantuar se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë parregullsi. Pas miratimit të raportit të saj, Lunaçek, raportuesja për Kosovën në PE, tha se është e rëndësishme që u është përsëritur ftesa vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Eurodeputetja kërkoi edhe që Komisioni Europian të përshpejtojë procesin e dialogut të vizave me Kosovën.
© Panorama.alMediat konfirmojnë takimet Thaçi-Tadiç
Takimet e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilat u përmendën vetëm tri ditë më parë prej kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, morën sërish jehonë nëpër media. Mediat serbe, duke folur për takimin e 2006-s, thonë se ka qenë në një samit dhe nuk mund të quhet, pasi atëherë Kosova nuk e kishte shpallur pavarësinë. Sipas kabllogrameve të WikiLeaks, dy liderët janë pajtuar që çdo takim direkt i Beogradit me shqiptarët e Kosovës të jetë i frytshëm. Takimi në Athinë ka ndodhur me iniciativën e Kryeministrit grek, Jorgo Papandreu, ndërsa takimi i radhës ka ndodhur gjatë sesionit të KS të OKB-së, në janar 2008. Tadiç ka konfirmuar takimin me Thaçin në Nju Jork për gjetjen e zgjidhjes për Kosovën, dhe i pranishëm në takim ka qenë edhe Vojisllav Koshtunica.











