Mbifaturimet, Prokuroria nis hetimet ndaj CEZ-it

Jan 11, 2012 | 13:25

Mbifaturimi i energjisë elektrike nga kompania “CEZ” bëhet objekt i hetimeve të Prokurorisë. Duke marrë shkas nga kallëzimet penale të disa qytetarëve, Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimet prej disa javësh në lidhje me “fryrjen” e mundshme të faturave nga ana e CEZ-it. Sipas burimeve nga Prokuroria mësohet se procedimi penal ka filluar për veprën penale të mundshme “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Pas padive të bëra nga disa qytetarë, mësohet se Prokuroria u ka kërkuar atyre faturat “e fryra” të energjisë dhe i ka bllokuar ato në cilësinë e provave materiale. Më pas kallëzimet në fjalë janë bashkuar në një dosje të vetme dhe sipas rastit, Prokuroria ka thirrur dhe ka marrë në pyetje faturistët e CEZ-it, të cilëve u janë kërkuar shpjegime për rastet e mbifaturimeve. Nga ana tjetër, organi i akuzës ka sekuestruar dokumente pranë zyrave të CEZ-it, përfshi vendimmarrjen e bordit dhe hierarkinë që ndjek krijimi dhe llogaritja e faturave. Sipas Prokurorisë, objekt i hetimit është edhe një vendim i bordit të CEZ-it për të faturuar “energjinë e pamatur” te qytetarët. Ky vendim, i cili kishte për qëllim faturimet shtesë referuar muajve paraardhës, sipas Prokurorisë, është marrë pas gjobitjes së CEZ-it nga ERE me 500 milionë dollarë. Dyshimi është se vendimi në fjalë ka pasur për qëllim mbulimin e kostos së gjobës, por duke qenë se pas reagimit të shumë qytetarëve dhe apelimit të faturave, edhe vetë CEZ-i e anuloi një vendim të tillë. Në Prokurori mësohet se kanë përfunduar gjithë regjistrat e faturave të kompanisë çeke, ndërkohë që organi i akuzës i ka zgjeruar hetimet edhe në drejtime të tjera. Kështu, veç fenomenit të mbifaturimit të energjisë elektrike, Prokuroria ka pranuar disa padi nga qytetarët që thonë se u ka munguar energjia elektrike edhe pse kanë qenë pagues të rregullt të saj apo rastet kur kanë paguar për ditë që nuk kanë pasur furnizim me energji për shkak të ndërprerjeve të përkohshme. Ky është rasti i parë kur Prokuroria bashkon një numër kaq të madh denoncimesh nga qytetarët për faturimet e energjisë elektrike. Deri tani në Prokurori janë vënë përballë denoncimet e qytetarëve të Tiranës dhe thëniet e faturistëve të CEZ-it që mbajnë qëndrime të kundërta. Faturistët kanë pohuar se në ndonjë rast të rrallë ka gabime matematike që korrigjohen, por kanë mohuar mbifaturimet e qëllimshme.                        tr.so

ERE: CEZ, “gjoba” qytetarëve me ligjin e shfuqizuar
Sipas një raporti të ERE-s, CEZ-i ka bërë aplikim në mënyrë të kundërligjshme për “dëmin ekonomik” apo “energjinë e pamatur” për kundërvajtësit e energjisë elektrike. Sipas CEZ-it, problemet e mbifaturimit konsistojnë në faturime dukshëm të gabuara, mosrespektim të afateve të leximit të matësit. Një tjetër problem është ai i matjes së energjisë elektrike për shkak të pajisjes me aparat matës, kryerja e kontrollit të aparatit matës, mosrakordimi i vlerës së faturuar aforfe me gjendjen reale të matësit. Një tjetër problem është ai i lidhjes dhe transferimit të kontratave – vonesa në lidhjen e kontratave, mos transferim të kontratave për objektet që figurojnë debitore. Sipas ERE-s, aplikimi i “dëmit ekonomik” dhe “energji e pamatur” është kryer në mënyrë abuzive dhe arbitrare, pasi këto veprime nuk janë në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi, pasi me ndryshimet e bëra në ligjin nr. 9072, datë 22.05.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, dënimi i kundërvajtësve të energjisë elektrike sipas kësaj procedure, ishte shfuqizuar.

© Panorama.al

Te lidhura