1-NË ÇFARË LLOJ SISTEMI POLITIK JETOJMË SOT?
Edhe pse kemi një shtet të dobët, prirjet e qeverisjes autoritariste janë theksuar dhe në mënyrë të sintetizuar kjo shprehet në shtimin e numrit të deputetëve të partisë qeverisëse nga njëra mandaturë në tjetrën. Dikush mund të thotë se ky është reflektim qytetar i shprehur në votime për qeverisjen e mirë, rritjen e mirëqenies dhe të cilësisë së jetesës, zgjidhjen e problemeve të pronave, punësimit, shëndetësisë, arsimit, uljes së kriminalitetit, shtimit të investimeve të huaja direkte, përmirësimit të klimës së biznesit, etj. Unë me zemër do të uroja të ishte vërtet kështu. Por numri i shqiptarëve të larguar nga vendi gjatë 15 viteve të fundit – rreth 700 mijë, rënia e pozicionit të vendit në vlerësimin e PISA, klasifikimi nga “Freedom House” i vendit si “pjesërisht të lirë”, renditja nga Indeksi i Demokracisë i “Economist Intelligence Unit” si “regjim hibrid”, nga Raporti i “Transparency International” (2024) e vendos Shqipërinë në vendin e 80-të në botë për perceptimin e korrupsionit si një ndër më të korruptuarat në Europë, e komprometojnë dukshëm panoramën roze të krijuar nga qeveria dhe pjesa më e madhe me masmedias në mbështetje të saj.
Dmth., duket sikur Shqipëria virtuale e inxhinieruar me kujdes nga Kryeministri Rama ka fituar terren mbi Shqipërinë reale të jetës sonë të përditshme. Të krijohet përshtypja se në Shqipëri motivimi kryesor për të luftuar korrupsionin rrjedh thjesht nga dëshira e tij për të qëndruar në pushtet ose për të siguruar mbijetesën politike afatgjatë dhe nuk ka të bëjë me jetesën e përditshme të qytetarëve të vendit. Kjo është aq e vërtetë sa këto ditë të fillimdimrit kur një pjesë e mirë territorit është ose nën ujë, ose nën dëborë dhe temperaturat janë ulur dukshëm, Kryeministri Rama është i zënë me podcast-et e tij për “Shqipërinë e dekadës tjetër”, të vizatuar me ngjyra që përcillen vetëm në ekranet e mirëpaguara nga taksat e qytetarëve, ndërsa zëvendësen e tij në qeveri – zyrtaren më të lartë të emergjencave civile e pret kalvari i hetimeve dhe gjykimit penal për abuzim të dyshuar me detyrën që mundësoi grabitjen “me ligj” të qindra milionë eurove nga buxheti i varfër i shqiptarëve. Por, siç theksonte këto ditë studiuesi dhe gazetari i mirënjohur i VOA, Elez Biberaj, këto vlerësime për Shqipërinë “pasqyrojnë faktin se institucionet demokratike të Shqipërisë, ndonëse tregojnë ritëm reformues, vazhdojnë të shfaqin brishtësi strukturore”. Le të përpiqemi të hedhim sadopak dritë lidhje me politikat antikorrupsion të qeverisë shqiptare, ose ta themi ndryshe, përse nuk ka ndonjë histori suksesi nga antikorrupsioni qeveritar (përjashto këtu aspektet dokumentare si strategji, pjesëmarrje dhe mikpritje konferencash dhe takimesh ndërkombëtare, fjalime butaforike dhe të mbushur me auto-lëvdata etj., të gjitha këto të paguara shtrenjtë nga taksapaguesit shqiptarë dhe pjesë e “puzzle” -it të Shqipërisë virtuale)…
Raportet, analizat, studimet, tonat dhe huajat, na mësojnë se shumica e historive të suksesit qeveritar ndodhin në mjedise demokratike, që nuk është rasti ynë, ndërsa autokracitë që arrijnë të kontrollojnë korrupsionin e vogël dhe burokratik, shpesh lënë në vend dhe e sofistikojnë korrupsionin që u sjell dobi sundimtarëve. Pikërisht ky është edhe konkluzioni më i besueshëm mbi situatën e antikorrupsionit në vendin tonë. Kështu investimet disavjeçare që zënë fill nga viti 2000 në teknologjinë e informacionit (pavarësisht dyshimeve jo pa arsye për klientelizëm dhe kontroll politik dhe oligarkik në këtë treg) kanë sjellë zgjerimin e përdorimit të qëndrueshëm të shërbimeve ‘online’, gjë që përbën një arritje të çmueshme, edhe pse me kosto jo të vogël financiare për shtetin shqiptar. Për rrjedhoje, arritja më e madhe e qeverive shqiptare të 10-15 viteve të fundit është vendosja nën kontroll e korrupsionit të vogël në shërbimet publike, si mësuesi, mjeku, polici, nëpunësi i gjendjes civile, nëpunësi i bashkisë etj.. Por, në mënyrë paradoksale edhe kjo arritje mbetet e brishtë, për sa kohë që gjatë së njëjtës periudhë numri i përgjithshëm i punonjësve të sektorit publik është rritur në madhësi dyshifrore në vend që të ndodhte e kundërta, ndërsa problemet bazë të shërbimeve publike siç janë shërbimet që lidhen me pronat, me shërbimet e gjykatave etj. janë përkeqësuar dhe kurrsesi nuk mund të mbulohen thjeshtë me rritjen sinjifikative të shkallës së përdorimit e IT në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë.
2- A JEMI VËRTETË NË KUSHTET E NJË “REGJIMI HIBRID” SIÇ EDHE E KLASIFIKON INDEKSI I DEMOKRACISË I “ECONOMIST INTELLIGENCE UNIT”?
Për ata që nuk e dinë, regjimet autoritariste karakterizohen nga brishtësia apo dobësimi i institucioneve dhe procedurave të pjesëmarrjes dhe konkurrencës politike, të drejtave themelore të njeriut dhe kontrollit të pushtetit (ndarja e pushteteve, roli i parlamentit, zgjedhjeve, pluralizmit politik, etj.) të cilat në vendet demokratike janë thelbësore për funksionimin e sistemit dhe konsolidohen me kalimin e kohës, pra janë karakteristika e një demokracie. Nisur nga ky këndvështrim, lehtësisht mund të identifikon disa karakteristika përmes të cilave mund të dallohen regjimet autoritare nga ato demokratike dhe totalitare. Të tilla janë psh., pluralizëm i kufizuar në kontrast me pluralizmin kryesisht të pakufizuar të demokracive dhe monizmin e totalitarizmit. A nuk ishin ndryshimet kushtetuese të fundit në lidhje me sistemin zgjedhor që çuan në kufizimin e vetë pluralizmit? Unë mendoj se po. Tipar tjetër i regjimeve autoritariste është pjesëmarrja e kufizuar politike dhe mungesa e mobilizimit qytetar. Psh., në zgjedhjet e fundit, pjesëmarrja e ulët në zgjedhje dëshmon mungesën e besimit të qytetareve si ndaj pushtetit, ashtu edhe ndaj opozitës, por njëkohësisht edhe njëlloj dorëzimi të tyre në një situatë të pashpresë, pavarësisht propagandës qeveritare që flet pa pushim për “arritje dhe fitore”, për Shqipërinë 2030, ashtu siç flitej dikur për “ndërtimin e plotë të shoqërisë socialiste”… Në forcimin e tendencave autoritariste duhet parë edhe zbehja e dukshme e legjitimitet të sistemit, legjitimitet, i cili tashmë nuk sigurohet përmes një ideologjie përbashkuese dhe dominuese si në vendet demokratike, por më tepër përmes mentaliteteve, lojës me emocionet dhe predispozitave psikologjike, por edhe përmes vlerave të përgjithshme (patriotizmi, nacionalizmi, modernizimi, rendi, etj.). Një rezultat i dukshëm i kësaj situate është edhe zbehja e kontrollit kushtetues dhe institucional si dhe kufizimet e pakta mbi kreun e ekzekutivit, por edhe një shkallë e lartë e kontrollit e këtij të fundit mbi shoqërinë dhe aktivitetin ekonomik të saj, zhvillim që pritej të sillte transformime pozitive në shoqërinë e sotme shqiptare, duke filluar me dekurajimin e braktisjes së vendit.
Gjithsesi, sa thashë më sipër është opinioni personal dhe po e lë vullnetin e secilit lexues të reflektojë mbi llojin e regjimit në të cilin jetojmë sot në Shqipëri…
3-CILAT JANË SFIDAT KRYESORE PËR NJË SUKSES NË LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT?
Në vendet demokratike, suksesi i kësaj lufte lidhet ngushtësisht me përdorimin legjitim dhe gjerësisht të mjeteve të tilla si transparenca dhe llogaridhënia, si dhe kontrollet dhe balancat institucionale, të cilat formalisht, dmth., në letër, i kemi edhe në Shqipëri. Por këto mjete, edhe pse ekzistojnë nuk ndikojnë të bartësi zyrtar i vullnetit politik, kreu i ekzekutivit. Le ta ilustrojmë me skandalin korruptiv të znj. B. Balluku që po zbulohet hap mbas hapi nga SPAK dhe GJKKO. Kudo në botën që na rrethon, vetëm dyshimi jo më ngritja e akuzës penale do të ishte e mjaftueshme për dorëheqjen e zyrtarit në fjalë, për analiza në lidershipin e partisë qeverisëse dhe marrje përgjegjësie nga Kryeministri i vendit duke përfshirë edhe ndjesën publike për cenimin e besimit të votuesve, zgjedhësve e taksapaguesve të tij. Rruga që po ndjek z.Rama, pavarësisht pozitës së vështirë publike në të cilën ndodhet, duke ushtruar presion mbi gjyqësorin deri edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese siç dyshojnë shumë analistë dhe ndjekës të zhvillimeve në vend, për një vendimmarrje që frenon lirinë kushtetuese të SPAK për të hetuar pa kufizim zyrtarët e lartë dhe politikanët e vendit rrezikon të hedhë në erë gjithë narrativën zyrtare dhe tautologjinë e derisotme pro-SPAK të partisë qeverisëse, por edhe të mundësojë nisma të rrezikshme ligjore, që në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe respektimit të ndarjes së pushteteve do të krijojnë mekanizma pengues për veprimtarinë e SPAK në mbrojtje të zyrtarëve të lartë të dyshuar apo në hetim për abuzim me detyrën apo në hetim si në rastin e zn.j Balluku. Nëse kjo do të ndodhë, do të ishte një rrezik serioz për mbajtjen gjallë të korrupsionit, por edhe për të nxitur sjelljet grabitqare të politikanëve, që edhe në kushtet e sotme përbëjnë një shqetësim publik në rritje dhe një pengesë serioze në vetë procesin e integrimitnë BE. Të jemi më konkretë, situata e sotme e korrupsionit në Shqipëri shfaqet në mungesën e kontrolleve dhe balancave funksionale, duke përfshirë edhe Kuvendin e Shqipërisë, në mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në kontrollin qeveritar mbi median e shoqërinë civile etj., shfaqje që në fund të fundit kanë gjeneruar politika dhe praktika korruptive, ose favorizim të pakicës në dëm të shumicës së votuesve.
4-EVOLUCIONI I PERCEPTIMEVE RRETH SUKSESIT TË LUFTËS KUNDËR KORRUPSIONIT
Dy dekada më parë, shumë prej nesh besonin se vendimi për t’u përfshirë në korrupsion nxitej nga prania e pushtetit monopolist dhe diskrecionit administrativ dhe mund të pengohej nga prania e mekanizmave të llogaridhënies. Dmth., kishte një formulë të tillë: Korrupsioni = Monopol + Diskrecion – Përgjegjshmëri (Klitgaard, Kontrollimi i Korrupsionit, 1988). Dmth., besohej gjerësisht se korrupsioni mund të reduktohej duke ndikuar negativisht në motivimet e agjentit (zyrtarit publik e politikanëve) për t’u angazhuar në sjellje korruptive. Gjatë dekadës së fundit, studiuesit kanë provuar gjerësisht se mënyrat më efektive për të luftuar korrupsionin kërkojnë vendosjen e kontrollit dhe të balancave mbi qeverinë për të kufizuar vendimmarrjen diskrecionare dhe për të zvogëluar mundësitë për kërkim të fitimeve. Dmth., për suksesin real të kësaj lufte në Shqipëri duhet të merren në konsideratë faktorët kontekstualë dhe nevoja për të përfshirë qytetarët e zakonshëm, në mënyrë që ata të mund të luajnë rolin e tyre legjitim dhe të mbajnë të përgjegjshme qeverinë. Formula e sotme mund të ishte kështu: Korrupsioni = Kufizime (Ligjore + Normative) – Mundësitë (Diskrecioni i pushtetit + Burimet materiale) (Mungiu-Pippidi, 2015). Sipas kësaj formule, niveli i korrupsionit në Shqipëri është rezultat i ekuilibrit që rezulton nga bashkëveprimi midis mundësive për t’u përfshirë në korrupsion dmth., diskrecioni (qasje e privilegjuar në pushtet/pushtet të pakufizuar individëve luajale ndaj Njëshit të qeverisë, praktika monopoliste në tregje, burokraci dhe ndryshime të shpeshta ligjesh ndaj biznesit, etj.) dhe burimeve financiare/materiale (ndihma e huaj, diskrecioni në vendimmarrje, linjat buxhetore të përqendruara në pak duar, burimet natyrore të shpërndara në mënyrë klienteliste, punësimi në sektorin publik – patronazhi politik, kontraktime publike klienteliste, etj.) – dhe kufizimet, të cilat mund të jenë ligjore (ligje dhe rregullore) ose normative (media, shoqëria civile, opinioni publik, informimi i elektoratit etj.).
5-A MUND TË KETË SUKSES LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT NË SHQIPËRI?
Përkundër prirjeve relativizuese dhe glorifikimit të dokumenteve strategjike, pjesëmarrjes në aktivitete ndërkombëtare apo pjesëmarrja e sponsorizuar e zyrtarëve të BE në ngjarje publike në Shqipëri etj., mendoj se nuk janë të mjaftueshme për të reduktuar korrupsionin në Shqipëri. Statusi social-ekonomik i vendit dhe deformimet serioze të proceseve demokratike diktojnë nevojën për politika me realiste që përfshijnë shtimin e përpjekjeve për zbatimin e kuadrit ligjor në fuqi dhe sidomos për uljen e presionit dhe të kontrollit politik mbi agjencitë ligjzbatuese dhe mbështetjen pa kushte të SPAK, por edhe një rol më aktiv të shoqërisë civile, komunitetit të biznesit etj., për ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e qytetarëve në proceset demokratike duke filluar me pjesëmarrjen në zgjedhje. Nëse për këtë fenomen dhe rreziqet imediate të kapjes së shtetit nga oligarkia, lobet e biznesit të madh dhe segmente të krimit të organizuar, do të zhvillohet një debat i shëndoshë dhe i përgjegjshëm publik larg ngritjes së akuzave në erë apo mbrojtjes së sponsorizuar të politikanëve tashmë në rrjetën e drejtësisë së reformuar, mund të lindë edhe nevoja e amendimeve të reja ligjore antikorrupsion. Kështu, mendoj se është e nevojshme të krijohet një konsensus i gjerë publik për ta konsideruar korrupsionin si një çështje e sigurisë kombëtare, duke hedhur poshtë përpjekjet aktuale psh., përmes Kodit të ri Penal për dekriminalizimin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, e cila në thelb mbetet çelësi kryesor që të çon tek aferat korruptive, pasurimi i paligjshëm, grupet kriminale të strukturuara etj..
Nisur nga çështjet në proces antikorrupsion të zyrtarëve të lartë që SPAK po heton vitet e fundit, nuk mund të mos bjerë në sy edhe masat relativisht të ulëta të dënimit të veprave të lidhura me korrupsionin; dobësi të dukshme të organeve të qeverisjes së pushtetit gjyqësor dhe mundësi për kanalizimin përmes tij të ndikimeve të fuqishme politike mbi këtë pushtet, përfshirje e pamjaftueshme e agjencive të tjera shtetërore si Avokati i Popullit, ILDKPI, DPTT, Presidenti i Republikës, entet rregullatore sektoriale dhe bota akademike etj.. Pavarësisht kësaj, siç tregon edhe përvoja e vendeve të suksesshme në luftën kundër korrupsionit, “vullneti politik” shpesh përmendet si një përcaktues kyç për suksesin e kësaj lufte.
Masat që qeveria e Kryeministrit Rama ka ndërmarrë kundër ryshfetit të vogël dhe llojeve të tjera të korrupsionit që përfshijnë zyrtarë publike të nivelit të ulët, mendoj se janë një bazë fillestare që nuk duhet injoruar për të adresuar korrupsionin e madh të zyrtarëve publike, për vendimmarrjet klienteliste të institucioneve kryesore shpenzuese të fondeve publike të llojit “5D” (sipërmarrje private të posaçme të krijuara nga nëpunësit publikë vendimmarrës për fondet buxhetore) në mënyrë që qytetarët të shohin ulje reale të kostos së korrupsionit, funksionim të mekanizmit të “check and balance”, veçanërisht sa i takon rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë, por edhe krijimit të kushteve që opozita politike të japë kontributin e vet në forcimin e integritetit të sistemit në tërësi dhe mbi të gjitha në respektimin e ndarjes së pushteteve sipas Kushtetutës dhe përvojave të mira të vendeve të OECD. Ndoshta në këtë mënyrë vendi do të mund të përshtatë ritmin e reformave integruese të shpallura me konsolidimin e bazave demokratike të shtetit duke iu larguar hap mbas hapi autoritarizmit populist të ditëve të sotme.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












