Siç e kanë vënë re me shumë të drejtë, shumë kolegë gazetarë në periudhën e fundit, Presidenti Topi e ka rritur praninë e tij verbale në publik. Ai nuk po lë pa u dhënë përgjigje të gjithë sulmeve, që i vijnë kryesisht nga PD-ja dhe njerëzit e saj në media. Në gazeta po bëhen aktivë dhe njerëz të tij, me komente periodike. Kjo rritje është komentuar në mënyra të ndryshme, dhe komenti më i fundit i kolegut Vasjari tek MAPO e shikonte atë si njëlloj shkeljeje të rolit të tij institucional, si dalje të tij nga mandati i Presidentit. Kjo kritikë e fundit në fakt, pavarësisht qëllimit dashamir, është në sintoni me sulmet që i vijnë atij prej maxhorancës, se Presidenti Topi po u shërben qëllimeve partiake të tij, dhe kjo shpjegon reagimet e tij, etj. etj.
Në këtë analizë duhet thënë në krye të herës se nuk kam ndër mend të merrem me qëllimet që e shtyjnë Presidentin Topi të ketë ndryshim në qasjen e tij në publik, gjë që e bëjnë me dëshirë disa kolegë. Të hysh në interpretimin e qëllimeve të dikujt, është pak e vështirë, sepse duhet të hyjmë në mendjen e tij me instrumente të dobëta njohëse dhe marzhi i gabimit është i madh. Ajo që mund të bëjmë me një marzh gabimi shumë më të vogël, është ta këqyrim këtë aktivizim të tij nga këndvështrimi etik dhe institucional. Pra, të shohim pasojat e veprimeve të tij nga ky këndvështrim. Nuk dua të merrem as me gjykimin e Presidencës Topi në tërësi, gjykim që është mjaft kompleks, por vetëm me këtë moment të dinamikës së saj.
Nga ky këndvështrim duhet thënë në krye të herës se i vetmi metër krahasimi i drejtë është ai i një modeli kushtetues të ngjashëm me të Shqipërisë, në pikëpamje të tekstit të shkruar. Nëse do mbeteshim tek modeli shqiptar, do të shikonim se në shumë aspekte Presidenca Topi është thuajse në një gjatësi vale me atë të presidencës Meidani dhe Moisiu. Ka bërë kompromise me shumicën, por është vënë në konflikt të heshtur me të në dekretime ligjesh të caktuara, kryesisht për reformën e pronës, etj. etj; për emërime ambasadorësh dhe krerësh institucionesh, për shkarkime të tyre, siç është rasti i SHISH, për zhvillimin e një politike të interesit kombëtar etj. Kjo ngjashmëri në fakt duhet të na shtyjë të jemi në favor të Topit. Nëse të gjithë presidentët kanë hyrë në konflikt me shumicën për arsye të ngjashme, e ku Berisha është faktor konstant, atëherë besnikë të qasjes legjitimiste, ne duhet të jemi me ta. Ata kanë mbrojtur pavarësinë e institucioneve nga politika, pa hyrë fare në hesap, nëse e kanë bërë këtë për qëllime të tyre. Sipas filozofisë së mësipërme, ne nuk duhet të gjykojmë veprimet e politikanëve nisur nga qëllimet, por nga pasojat. Nëse tre presidentë me të kaluar të ndryshme politike konfliktohen me Berishën, atëherë gjasat janë më të mëdha që ta ketë fajin Berisha, nëse duam të bëjmë neutralin. Ky njeri me një të kaluar të gjatë politike, siç e nënvizon për ata që kanë veshë ambasadori Arvizu, ka treguar me dhunë verbale dhe fizike se do t’i shtjerë në dorë të gjitha institucionet. Kush e kundërshton në këtë qëllim, është automatikisht armiku i tij «mosmirënjohës», por ama jo armiku i interesit publik dhe kombëtar. Berisha në këtë pikë nuk ka treguar durimin apo qasjen institucionale të Nanos, i cili asnjëherë nuk u konfliktua publikisht me presidentin Moisiu, dhe deri diku dhe me Meidanin.
Së dyti, sjellja e Presidentit Topi nuk është ndonjë risi as në raport me modelin më të rëndësishëm të një republike parlamentare, siç është ai italian. Me një eksperiencë më të gjatë pluraliste, Italia ka njohur qoftë presidentë të qetë si Sandro Pertini, qoftë presidentë hiperaktivë si Francesko Cossiga, i cili jo vetëm që hynte në polemika të përditshme me njerëz të qeverisë, por dhe guxonte të mos dekretonte ministra të caktuar, diçka që Presidenti Topi nuk e ka bërë duke u gjendur diku në midis të tyre. Kjo na shtyn të themi që marzhi i lirisë interpretuese të rolit të Presidentit sipas Kushtetutës është tërësisht në vullnetin e tij, dhe ai mund të shmanget nga zakoni presidencial, nga modeli presidencial i paraardhësve, pa drojën e abuzimit. Për më shumë që në historinë italiane dhe Kosiga mbahet president i mirë, edhe Pertini gjithashtu. Madje, për ironi të fatit, presidenti Kosiga shihej me shumë simpati dhe nga demokratët- kujto zonjën Topalli në një shprehje të tillë simpatie për arrogancën e Kosigës, që kishte thënë se «do ta nxirrte me shkelma prokurorin nga zyra». Siç mund të kuptohet, mënyra si një president e zhvillon mandatin e vet, është dhe funksion i rrethanave historike, politike dhe institucionale.
Pra, nëse nisemi nga këto dy elemente, duket se zoti Topi nuk ka bërë ndonjë shmangie të madhe nga modeli kushtetues dominant- ai italian, por as ndonjë shmangie të madhe nga eksperienca kushtetuese e paraardhësve që kanë punuar me Kushtetutën e 1998-s.
Ky përfundim (së bashku me historinë e konflikteve të shumicave me prokurorët e përgjithshëm, me shefat e SHISH etj.) në të vërtetë thekson vlerën e Kushtetutës së 1998- ashtu siç ishte dhe jo si u ndryshua nga dyshja Berisha-Rama. Ne bindemi se kjo ndarje kompetencash sipas asaj Kushtetute garanton ekuilibra institucionalë, pavarësi të institucioneve nga shumicat në pushtet, ndërgjegjësim të individit President për rolin e tij të pavarur brenda shtetit etj.
A bën mirë që reagon Presidenti?
Me këtë përfytyrim mund të themi edhe disa konsiderata të tjera. Në lidhje me atë nëse bën mirë apo bën keq Presidenti Topi që reagon ndaj sulmeve që i vijnë prej shumicës.
Së pari, Presidenti Topi reagon, por përgjithësisht nuk sulmon i pari, ndryshe nga presidenti italian Kosiga. Ky reagim i tij është i domosdoshëm për ruajtjen e dinjitetit të një institucioni si Presidenca, që synohet të nëpërkëmbet nga shumica dhe mediat afër saj. Përndryshe në imagjinatën popullore të shqiptarit që pëlqen «atë që s’ta lë për mbrapa», mosreagimi do merrej si dobësi, qoftë personale, qoftë institucionale. Sa kohë që ky reagim mbetet në kufijtë e një etike qytetare dhe politike, atëherë ai është i shëndetshëm. ”Hane Shan, hane Bagdat”, reagimi i Topit në krahasim me sulmet e Berishës, veçanërisht pas 21 janarit.
Së dyti, ky reagim në pikëpamje të origjinës e pasuron polifoninë e debatit në Shqipëri. Ka reagim të opozitës-megjithëse ai mbetet i dobët dhe jo institucional; ka reagim të vakët të shoqërisë civile, dhe ka reagim të Presidentit në emër të institucioneve të pavarura. E keqja nuk na dominon dhe verbalisht, ndaj reagimi presidencial është i duhur edhe në këtë këndvështrim. Së treti, reagimi është i domosdoshëm për të treguar përpara opinionit publik dista-ncim nga shumica. Në pikëpamje të veprimit institucional, Presidenti Topi ka treguar këtë distancim duke mos firmosur ambasadorë politikë, ligje të ndryshme, që pastaj Gjykata Kushtetuese i ka hedhur poshtë si antikushtetuese, duke refuzuar Marrëveshjen e Detit me Greqinë etj. Por duhet dhe distancimi verbal, sepse pikërisht për shkak të etikës së pozicionit të vet zoti Topi nuk i ka shfrytëzuar këto raste refuzimi të ligjeve apo emërimeve për të bërë politikë personale. Duke mos e shoqëruar distancimin në vepra, me distancim verbal, jo të gjithë shqiptarët do ta dinin se çfarë ka bërë ai në të vërtetë për mbrojtjen e shtetit nga dhuna e shumicës, që po kthehet në regjim.
Së katërti, ky reagim është i domosdoshëm dhe për të mbrojtur apo inkurajuar ata individë, apo ato segmente brenda institucioneve të pavarura, që shantazhohen nga ekzekutivi. Rasti i Kolegjit Zgjedhor, i manipulimit prej tij të rezultatit në Tiranë, i shpërblimeve të anëtarëve të Kolegjit me «shtyrje të pensionit», etj. tregon se sa thellë ka hyrë politika në këto institucione, në këta 6 vjet të maxhorancës Berisha. Në këtë optikë, reagimi i Presidentit madje është i vonuar.
E ardhmja e së djathtës
Duke e përmbyllur këtë analizë, na duhet të shtojmë dhe diçka tjetër. Po e bëjmë me kujdes, me doza të larta hipotetizmi, sepse po hyjmë tek qëllimet. Nëse Presidenti Topi është bërë aktiv, pse do të krijojë personalitetin e tij të ri politik, i gatshëm për të hyrë në garën e pluralizmit me një parti të re, atëherë edhe këtu nuk shihet asnjë problem. Mjaft që ai të respektojë Kushtetutën. Nëse për shkak të refuzimit të dy figurave më jetëgjata të pluralizmit shqiptar që sot janë në paqe me njëra-tjetrën, Berishës dhe Nanos (siç na e kujtoi ambasadori Arivizu), nuk ka status të ish-presidentit, çfarë duhet të bëjë një President, pasi të lërë detyrën? Të tërhiqet në vakancë? E ka Shqipëria luksin që të injorojë eksperiencën e jashtëzakonshme të një individi që ka qenë në krye të shtetit, siç ka bërë me Meidanin dhe Moisiun? Jo, ndaj atëherë çdo president duhet të mendojë për atë se ç’do të bëjë në të ardhmen. Dhe është kjo që e tremb Berishën. Presidenti Topi me reagimin e vet po shndërrohet në figurën e vetme institucionale të së djathtës, që i kundërvihet Berishës. I është kundërvënë lideri historik i Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji, por ai s’kishte ndonjë rol institucional. I është kundërvënë Spartak Ngjela, por pozicioni i tij s’ishte në këtë lartësi institucionale, por në atë të kryetarit të një Komisioni ligjesh. Shembulli i mocionistëve të 92-shit është karikatural, nëse do shohim ku kanë përfunduar 99% e tyre. E pra, nëse sot elektorati i djathtë rreshtohet dhe për oportunizëm apo për mungesë alternative me PD-në, nesër pikërisht për shkak të këtij protagonizmi të Topit nuk do të jetë kështu. Dhe atëherë e djathta mund të shndërrohet vërtet alternativë në këtë vend, që prej 21 vjetësh apo prej 66 vjetësh dominohet nga e majta. Por kjo është një temë tjetër.
© Panorama.al












