Mbeti shtatzënë me një shqiptar, prindërit ndihmë gjykatës për abortin

Dec 11, 2011 | 11:13
Spitali i Trentos në Itali

Një e mitur 16-vjeçare, me shtetësi dhe kombësi italiane, nga Trento, e cila priste një fëmijë nga i dashuri i saj shqiptar, abortoi e detyruar nga prindërit dhe gjykata. Fëmija i padëshiruar, me këmbëngulje nga prindërit e saj, që do të kishte gjak shqiptar në damarë, nuk u lejua të lindë. Pas shumë debatesh të forta me familjen, e mitura u dorëzua. Dje 16-vjeçarja iu nënshtrua abortit. Lajmi u bë i ditur nga mediat e vendit fqinj, sipas të cilave, e mitura e ndërpreu shtatzëninë e saj. Duke iu referuar avokatit të familjes të së miturës, mediat italiane raportonin se aborti kishte qenë zgjedhje vullnetare e së miturës. “Në fund ka qenë një zgjedhje e lirë dhe e vullnetshme e vajzës”, mësohet të këtë pohuar avokati. Rasti i 16-vjeçares u bë mediatik në vendin fqinj për shkak se prindërit e saj iu drejtuan gjykatës, për ta detyruar vajzën e tyre të abortonte. Mediat italiane e kanë pasqyruar ngjarjen më tepër si një problem social që ka të bëjë me konfliktet e prindërve me fëmijët, duke mos i kushtuar rëndësi aspektit racist të ngjarjes. Thelbi i padisë së prindërve të vajzës në gjykatë ka qenë megjithatë partneri i saj shqiptar dhe mosha e tij e mitur.
PADIA E PRINDERVE
Pak ditë më parë, mediat e vendit fqinj raportuan një rast të rrallë ku dy prindër i ishin drejtuar gjykatës kundër vajzës së tyre. Ata i kërkonin gjykatës të së miturve të urdhëronte vajzën e tyre shtatzënë të abortonte fëmijën. Gjykata ishte parë si mundësia e fundit prej tyre, pasi kishin hasur në rezistencë të fortë të minorenes, e cila kërkonte ta mbante fëmijën. Por, prokurori i Gjykatës së të Miturve “është dorëzuar” para rastit. Sipas tij, në këtë rast nuk kishte vend për ndërhyrjen e ligjit, pasi aborti ishte një e drejtë, jo një detyrim që mund t’i imponohej dikujt, qoftë kjo edhe një e mitur. “Kjo nuk është punë e drejtësisë. Mund të merren shërbimet sociale me të”, është shprehur ai. “Mosha shumë e re, shumë i ‘gabuar’ babai i fëmijës. Minoren edhe ai (sapo ka mbushur 18 vjeç), i ardhur si refugjat nga Shqipëria, i papunë, përfshirë në belara dhe i gjendur në një komunitet për të miturit e vetmuar. Por edhe i dhunshëm. E mitura mbante në trup të mavijosura, por për të kjo nuk ishte problem. ‘Jam e dashuruar, – përsëriste, jam e sigurt se që do të arrij ta bëj të ecë në rrugën e drejtë’. Vetëm iluzionet e një vajze të vogël, sipas prindërve. Kur ata zbuluan që ishte shtatzënë, kërkuan me çdo mënyrë ta bindnin për ta ndërprerë atë shtatzëni”, citonte dje “La Republica.it”. Po sipas mediave, nuk dihet asgjë për të dashurin shqiptar të së miturës, të cilat nuk kursenin as dyshimet se mbase ishte bindur të “zhdukej” pasi i ishte dhënë një shumë parash.

Vendimi, gjykata takoi veçmas dy të rinjtë
Prokurori që mbikëqyri rastin e dy të rinjve dhe gjyqtari që shqyrtoi çështjen e tyre kanë kërkuar dje një takim vetëm për vetëm me vajzën italiane dhe djalin shqiptar para se të jepnin një vendim në lidhje me çështjen. Mediat kanë pohuar se prindërit e vajzës në mënyrë të vazhdueshme insistonin për heqjen e fëmijës, por prokurori i kishte këshilluar ata që të mos nxisnin në këtë drejtim, pasi vendimi duhej të ishte vetëm i dy prindërve të fëmijës, edhe pse në moshën e adoleshencës. Në gjykatën e të miturve në Itali mësohet se vajza 16-vjeçare ka deklaruar dje se pranon heqjen e fëmijës dhe se nuk do ta takojë më të dashurin e saj shqiptar.

DHUNA
Prindërit e 16-vjeçares italiane kanë pretenduar para gjykatës së vendit fqinj se shqiptari ka qenë edhe i dhunshëm me partneren e tij. Ata kanë pretenduar se djali e ka qëlluar vajzën duke pretenduar se ajo ka shenja dhune e nxirje në krahë. Po kështu, prindërit kanë pohuar para gjykatës se nga telefonatat kishin kuptuar se partneri i vajzës së tyre ishte i dhunshëm dhe xheloz.

© Panorama.al

Te lidhura