
KAPSHTICE- Trupi i pajetë i adoleshentes shqiptare Kristiana Miçani, e vrarë pak ditë më parë në Selanik të Greqisë ka mbërritur në Kapshticë e shoqëruar nga familjarët e saj.
16- vjeçarja nga Korça u masakruar për shkaqe xhelozie nga ish-i dashuri i saj në bashkëpunim me pesë persona të tjerë.
Policia greke, vetëm 24 orë pas gjetjes së kufomave, pohoi se ka arritur të identifikojë autorët e vrasjes së dyfishtë, si dhe shkaqet që kanë çuar në këtë krim makabër.
Në pranga është vënë vëllai i ish-të dashurit, ndërsa në kërkim është protagonisti kryesor, i cili dyshohet se është arratisur në Itali. Marrëdhënia e vajzës shqiptare me djalin grek ka shkaktuar ndjenjën e xhelozisë tek i dashuri i saj i mëparshëm, duke e nxitur këtë drejt një konflikti që precipitoi në vrasje. Sipas të dhënave të grumbulluara nga hetimet, ngjarja ka ardhur si rrjedhojë e një marrëdhënie më të hershme të vajzës me një 18-vjeçar rom nga Rumania, me emrin Elvis, i cili nuk e pranonte dot që pas ndarjes, ajo krijoi një lidhje të re me djalin grek. Sipas versionit të dhënë nga Policia e shtetit fqinj, zbardhja e ngjarjes është mbështetur jo vetëm në prova dhe fakte të siguruara nga hetimi, por edhe te dëshmitë e qytetarëve, të cilët kanë parë rreth një muaj më parë një skenë jo të zakonshme.
Sipas të dhënave nga të afërmit raportuar sot nga Panorama, trupi i saj do të varroset në fshatin Drenovë
Vajza, me origjinë nga Drenova e Korçës, jetonte me të atin dhe motrën e vogël në Selanik të Greqisë. Aty është njohur dhe me dy djemtë, njëri prej të cilëve u kthye në masakruesin e saj, bashkë me 15-vjeçarin grek.
Identifikimi i autorëve të vrasjes së dyfishtë, viktimë e së cilës mbeti edhe vajza shqiptare, ka mundësuar që krimi të mos mbetet i pazbardhur, por policia helene është duke investiguar detaje të tjera në lidhje me rastin.
© Panorama.al











