TIRANE- Në mbledhjen e parë të qeverisë pas urimit për një fillim të mbarë të vitit 2012 për ministrat e tij, kryeministri Berisha foli për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe u ndal ne zgjedhjen e Presidentit, moment për të cilin tha se duhet të bëjmë “përpjekje të mëdha për t’i dhënë vendit një President në lartësinë e Kushtetutës, një President me integritet të plotë”
“Ky është viti i zgjedhjes se presidentit. Garantoj se do të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën. Çdo përpjekje për të imponuar dëshira suplementare në raport me Kushtetutën do të pësojë dështimet që kanë pësuar të tjerët. Të bëjmë përpjekje për t’i dhënë vendit një president në lartësinë e detyrave, Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, me integritet të plotë.”- tha Berisha.
Duke garantuar opozitën për zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur, Berisha theksoi se pret votimin e ligjeve në Kuvend, ashtu siç e parashikon edhe pakti i nënshkruar.
“Politika e pengut dështoi, një vend i lirë me besim tek liria, ligjet dhe Kushtetuta nuk mund të merret peng kurrë. Qëndrojmë të hapur për një bashkëpunim të sinqertë në të mirë të vendit. Uroj dhe dëshiroj që ato ligje që presin të votohen siç është marrëveshja.”-theksoi ai.
Ky vit tha krymeministri duhet të frymëzoje çdo shqiptar, ta shndërrojmë në vitin e një fillimi të ri e të një vizioni të ri për 100 vitet që do të vijnë.
Kreu i qeverisë e vuri theksin tek të vërtetat historike të shqiptarëve. Duke dënuar krimet e bëra gjatë viteve të komunizmit, Berisha tha se shqiptarët kanë nevojë për një rivlerësim, duke shtuar se, të vërtetat duhen thënë në mënyrë të qytetëruar.
Për opozitën, kryeministri tha se askush dhe për asgjë nuk do të mund të marrë peng vendin. Megjithatë, ai shprehu gadishmëinë për të bashkëpunuar me opozitën në mënyrën më të sinqertë.
Lidhur me ecruinë ekonomike, kreu i qeverisë tha se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të vazhduar me rritje ekonomike edhe gjkatë këtij viti, pavarësisht se kriza ka marrë përmasa të maëdha në zonën e euros.
© Panorama.al











